E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika i lë vendin zisë për Kekën

 

MALESI E MADHE/ RIDVAN DIBRA

Dy burra e kanë vajtuar për 4 orë trupin e pajetë të Aleksandër Kekës, para se ai të përcillej për në banesën e fundit. Ashtu si e do zakoni i Malësisë, për të treguar dhe një herë se tradita e burrave ruhet dhe respektohet, derisa njeriu të largohet përfundimisht nga kjo botë.
Dhimbja e kishte përfshirë familjen Keka, prej momentit kur eksplozivi i vendosur nga një dorë e panjohur, i mori jetën njeriut të tyre. Por, orët e fundit ishin akoma më të rënda. Gjatë paradites së djeshme, gratë kanë vënë kujën për humbjen e papritur të jetës së 34-vjeçarit, baba i 3 fëmijëve. Rreth orës 13:00, në një tendë të ngritur në oborrin e shtëpisë për të kryer ritet mortore, Kekës i janë bërë të gjitha zakonet e Malësisë për të tilla raste. Sipas traditës, dy burra kanë vajtuar me fjalë për fatin e Aleksandrit, duke bërë të rrënqethen të gjithë të pranishmit, të mbledhur për t’i dhënë dhe ata lamtumirën e fundit. Në orët e pasdites, pranë Aleksit ka mbërritur dhe vëllai i tij nga SHBA-ja, me të cilin ishin ndarë pak muaj më parë, për ta parë tashmë për herë të fundit.
Ceremonia mortore ka vazhduar me një shërbesë fetare në nderim të shpirtit të Aleksit. Rreth orës 17:15 kortezhi prej qindra vetësh, i cili shoqëronte trupin e pajetë të 34-vjeçarit, është drejtuar pranë varrezave të fshatit Pjetroshan, aty ku do të jetë dhe banesa e fundit e tij. Mbi varrin e Aleksit ndodhej dhe Nard Ndoka Kryetari i Partisë Demokristiane, së cilës i përkiste dhe i ndjeri, njëkohësisht dhe shok i tij. Ai ka mbajtur një fjalim të shkurtër lamtumire, ku vrasjen e Aleksandrit e ka quajtur një ngjarje kriminale. Megjithatë, Ndoka nuk ka përmendur asnjë fjalë që kishte të bënte me politikën, duke respektuar në këtë mënyrë ditën e zisë për familjen dhe miqtë e viktimës. Vetë pjesëmarrja e një numri të madh njerëzish në këtë ceremoni varrimi, çka mund të dallohej lehtë edhe në gjeografinë e targave të makinave që mbushën dje fshatin Pjetërshan në Malësi të Madhe, tregoi edhe një herë për natyrën e dashur e miqësore të Aleksit. I cili, edhe pse një person i qetë dhe i pafjalë, kishte arritur që të bënte shumë njerëz për vete. Ndërkohë që në biseda të ndryshme nga familjarët e viktimave, por edhe ato të shokëve apo të miqve, kërkohej që vdekja e Aleksit të mos shfrytëzohej nga krahët e ndryshme të politikës. Ata i kërkonin organeve të drejtësisë zbardhjen sa më shpejt të kësaj çështjeje, me qëllim që të dalin para drejtësisë autorët e krimit të shëmtuar, kushdo qofshin ato. “Vetëm kështu do të gjejë prehje shpirti i Aleksit”, shpreheshin ata. Për të marrë pjesë në varrimin e kreut demokristian të Malësisë së Madhe mbërritën dje dhe përfaqësues të partive të ndryshme politike. Nga ana e Partisë Demokristiane ishte vetë kryetari i saj, Nard Ndoka, Frrok Gjini, Jakë Ndoka, etj. si drejtuesit lokalë të saj; nga ana e PD-së Paulin Sterkaj, Astrit Bushati, Ramiz Çobaj, Gjokë Uldedaj; Dashamir Shehi, Gilman Bakalli e të tjerë për LZHK-në, ndërsa nga ana e PS-së ndodhej kandidati i saj, Tom Doshi dhe socialistët lokalë të rrethit Malësi e Madhe.

“Policia e
rivrau
Aleks Kekën”
Kryetari i Partisë Demokristiane akuzoi dje Policinë e Shtetit, pas përfundimeve paraprake të saj, se kreu i demokristianëve të Malësisë së Madhe ka qenë trafikant. “Me këtë deklaratë policia e rivrau Aleks Kekën. Ai ka qenë një njeri i nderuar, i zgjedhur në pushtetin lokal në këtë zonë dhe pa asnjë vendim gjykate, ndërsa policia e konsideroi atë trafikant”, deklaroi mbrëmë Ndoka në “Ora e debatit” në Ora Neës. Kreu i PDK-së konfirmoi qëndrimin se kjo është një vrasje politike, ndërkohë që shtoi se ende nuk ka marrë një telefonatë nga Kryeministri Berisha pas kësaj vrasje. Sipas tij, të vetmit që e kanë telefonuar janë disa ish deputetë të PD-së, të cilët kanë ngelur tashmë jashtë listave. Në fund ai bëri të ditur se gjatë ditës së sotme do të çojë në prokurori një kallëzim penal për Topallin dhe Policinë e Shtetit.

Topalli: I qëndroj deklaratave të mia, Ndoka është mafioz dhe spiun
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaron se “nuk tërhiqet nga deklarata se kreu i PDK-së, Ndoka, është mafioz dhe spiun. Në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut në TV “Klan”, Topalli ka deklaruar se “i qëndron kësaj deklarate dhe se nuk i ka pasur me Partinë Republikane akuzat për mafiozë dhe spiunë”. “Ju e dëgjoni për herë të parë këtë fjalë, nuk e keni dëgjuar më parë nga unë. E ke dëgjuar në Parlament. E kam jo për të gjithë demokristianët, dhe nga ish-deputetë sepse ato nuk do të jenë më deputet. Bëj dallim unë midis tyre, jo të gjithë janë e njëjta gjë. E ke dëgjuar në Parlament dhe e kam thënë kur kam qenë në fushatë elektorale”, tha Topalli. Ajo shtoi se kjo nuk është gjuha e urrejtjes, por është gjuha e së vërtetës. “Po të gjykojmë se ne nuk duhet të themi kurrë të vërtetat, ky vend nuk do të ishte ku jemi sot. Nuk besoj se ka qenë gjuhë e urrejtjes kjo. Po të hyjmë në këtë mentalitet të diskutimit, i bie që katër vite më parë thoshim se është sistemi i kleptokracisë, kjo është gjuhë e urrejtjes apo e së vërtetës. Edhe një herë të them se kjo vlen për dy prej ish-deputetëve të atij grupi. E përsëris, e kam thënë në Parlament dhe e përsëris çdo ditë në fushatë”, deklaroi Topalli. Numri dy i PD-së nuk i është përgjigjur konkretisht pyetjes, se kush janë persona mafiozë në PDK, por shtoi se “janë ato që citoi drejtuesi i emisionit, duke nënkuptuar kreun e PDK-së, Ndokën. Më pas Kryeparlamentarja ka sqaruar edhe çështjen e përfshirjes së PR-së në qëndrimin e saj, duke theksuar se është keqkuptuar kjo pjesë. “Për sa i përket pjesës tjetër, ajo që unë kam pasur në mend është për këto dy persona. Për Partinë Republikane nuk vlejnë këto. Për PR dhe për çdo parti tjetër për shkak të sistemit të ri, që ndryshon nga sistemi i vjetër kur ne mund që në ndonjë rast, jo në Shkodër, mund të ketë ndodhur në qarqet e tjera që të votosh në qarqet e tjera të koalicionit, kësaj radhe është detyra ime që votat e PD-së nuk do të shkojnë për asnjë parti tjetër, as për PR-në, e as për ndonjë parti tjetër të vogël. Ky është dallimi ndërmjet njërës dhe tjetrës”, theksoi Topalli. Ndërsa u shpreh se “unë do i kërkoja Prokurorisë, Policisë dhe agjencive të tjera të sigurimit, që të bëjnë të mundur një hetim të plotë të gjithanshëm dhe të paanshëm”.

Shpërthimi, korret bari në vendngjarje

Ferdinand Dervishi

Ekspertët kanë vendosur të korrin barin në të dyja anët e rrugës ku ndodhi shpërthimi që i mori jetën kryetarit të Partisë Demokristiane të Malësisë së Madhe, Aleksandër Keka. Një vendim i ardhur pasi është dështuar në gjetjen e qoftë një prove të vetme që të paktën të çojë në një drejtim të caktuar hetimin e vrasjes. Synimi kryesor i kësaj ndërmarrjeje është që të kalohet në sitë çdo grimcë dhe pranë vendngjarjes, me qëllimin e parë të tentohet për të shtënë në duar kartën e celularit me anë të të cilit supozohet të jetë aktivizuar bomba në makinën e të ndjerit. Ky është mbase zhvillimi më kryesor i hetimit të ngjarjes që dy ditë më parë tronditi gjithë opinionin publik me mënyrën ekstremisht të dhunshme të ekzekutimit të një personazhi publik. Burimet nga hetimi thonë se është vendosur të bëhet një përpjekje e tillë për shkakun se ende nuk dihet saktësisht se me ç’lloj mekanizmi është aktivizuar lënda plasëse vendosur poshtë sediljes së të ndjerit. Por edhe nëse do dështohet për gjetjen e kartës, nga ku në raste të ngjashme janë nxjerrë edhe të dhëna determinante për hetimet, ekspertët kanë parashikuar se puna nuk do të shkojë dëm, pasi të paktën do të gjenden pjesëza të celularit apo të ndonjë mekanizmi tjetër që ka përbërë bombën, duke zbardhur të paktën pikëpyetjen e parë për mekanizmin e krimit.
Një telefon i paregjistruar
Një tjetër moment i hetimit që është duke mbjellë pesimizëm tek ekspertët është përllogaritur të jetë edhe mundësia e përdorimit të kartave celulare malazeze për të aktivizuar shpërthimin. Kjo, sepse në shtetin fqinj, ku edhe është vërtetuar se prodhohen apo montohen këto bomba me celular, kartat e telefonave nuk regjistrohen, siç ndodhte dikur edhe në Shqipëri. Dhe nëse numri i telefonit është i paregjistruar, ashtu siç ka mundësi të jetë edhe numri që ka realizuar telefonatën, sërish hetimi mund të mbetet në vend numëro. Sepse në këtë rast kemi të bëjmë me valë telefonike të emetuara nga antenat më të afërta dhe asgjë të regjistruar në pajisjet e telefonive celulare. 
Nga ana tjetër ka pasur edhe supozime për lëvizjet e njeriut që ka aktivizuar bombën me celular. Hetuesit mendojnë se ai ka ndjekur të paktën ato lëvizje që Aleks Keka ka bërë gjatë mëngjesit të së enjtes. Pra, supozohet se bomba është vendosur natën dhe në mëngjes vrasësi, pasi kështu mund të quhet ai që realizoi telefonatën aktivizuese të bombës, ka ndjekur lëvizjet e Kekës me qëllim që të sigurohej që shpërthimi nuk do të shkaktonte më shumë dëm se sa ishte llogaritur. Kështu është pritur që viktima të pinte kafen e mëngjesit në qendër të qytetit të Koplikut dhe më pas është vëzhguar teksa hipte i vetëm në makinë. Më tej vrasësi e ka lënë disa minuta viktimën e vet që të largohet duke llogaritur se rruga të cilën ai po përshkonte ka pak trafik dhe pak shtëpi të banuara në të dyja anët e saj. Pak minuta më vonë supozohet që ai të ketë bërë thirrjen vrasëse.
Misteri i larjes së makinës
Si një nga misteret më të mëdha të hetimit ka mbetur i mbledhur rreth faktit të larjes së makinës në lavash para se ajo të shpërthente. Një ditë më parë i ndjeri kishte qenë për fushatë në Kelmend dhe makina ishte mbushur gjithë pluhur, pasi rruga që të çon në fshatrat e kësaj zone, në shumicën e kohës është e paasfaltuar. Por njerëzit që kanë larë makinën nuk e kanë vënë re aspak bombën poshtë sediljes së shoferit, apo në rastin më të mirë kanë dyshuar se ajo është një pako dhe nuk e kanë prekur për të respektuar ca rregulla që nëpër pikat e larjes së makinave respektohen si të shenjta. Ndërkohë hetimi ka përcaktuar edhe lëvizjet e një dite më parë të makinës. Është hetuar për mundësinë e vendosjes së bombës një natë më parë, kur viktima e kishte parkuar makinën pranë një fushe minifutbolli, por edhe mundësia e vendosjes natën, gjatë kohës që ai flinte në shtëpinë e tij në fshatin Pjetërshan. Gjithsesi hetuesit pranojnë se ende nuk kanë asnjë provë të saktë nga ku të drejtojnë vrullin e hetimit. Kjo më shumë prej faktit se vrasja ka cilësitë e një krimi të mirëmenduar, të realizuar në distancë, pra pa rrezikuar aspak për lënien e provave që mund të inkriminonin autorët e vërtetë.    

Celulari i Kekës gjendet i padëmtuar
Hetuesit e kanë gjetur në gjendje të mirë celularin që përdorte kryetari i vrarë i Partisë Demokristiane të Malësisë së Madhe, Aleksandër Keka. Bëhet fjalë për të njëjtin celular me anë të të cilit ai ka realizuar thirrjet e fundit të jetës së tij, mëngjesin e të enjtes. Një nga këto thirrje ka qenë me kryetarin e Partisë Demokristiane, Nard Ndoka. Sipas Ndokës, ata kanë pasur një telefonatë atë mëngjes dhe kanë fiksuar një takim për kafe në qytetin e Shkodrës. Po sipas Ndokës, i ndjeri i ishte dukur në humor, pra përmes zërit të tjetrit ai nuk kishte kuptuar ndonjë shqetësim. Hetuesit pohuan se celulari i viktimës i është nënshtruar menjëherë ekspertizës. Por pohohet gjithashtu se paraprakisht aparati nuk ka fshehur ndonjë detaj që mund të ndihmojë hetimin. “Madje, viktima Aleksandër Keka nuk ka marrë asnjë telefonatë 10-15 minuta para se të ndodhte shpërthimi”, pohoi një nga hetuesit.  Gjithsesi celulari i të ndjerit supozohet të shërbejë për të vërtetuar eventualisht ndonjë mesazh kërcënues, apo lidhje telefonike me personazhe të dyshimtë.

I vrari ndërroi makinën

Aleksandër Keka e kishte ndërruar makinën që përdorte zakonisht me një tjetër vetëm disa ditë para se të ndodhte ngjarja. Duke qenë se për fushatë atij i duhej të shkonte në fshatra të largët me rrugë të vështira e të paasfaltuara, ai e kishte ndërruar makinën e vet të ulët dhe komode me një fuoristradë të ofruar në këmbim nga ortaku i tij në biznesin e ndërtimeve. Ndërrimi i makinave është bërë disa ditë para ngjarjes dhe kështu është përjashtuar mundësia që bomba të ketë qenë në makinë, vendosur aty me tjetër synim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›