Senatorët francez: Franca mbështet integrimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në BE Senatorët francez gjatë takimit me kryeparlamentaren, Jozefina Topalli

Senatorët francez vlerësuan sot gjatë një takimi me kryeparlamentaren Jozefina Topalli, në selinë e Kreysisë së Kuvendit, se “transformimet e Shqipërisë nga viti në vit janë impresionuese”. “Transformimet e Shqipërisë nga viti në vit janë impresionuese. Zhvillimi ekonomik është dinamik. Reformat, jo të lehta, që keni bërë janë të jashtëzakonshme”, u shprehën ata. Duke renditur këto vlerësime, senatorët francezë të grupit të miqësisë Francë-Shqipëri, “konfirmuan edhe një herë mbështetjen e Francës për një integrim sa më të shpejtë të Shqipërisë në BE”. Në takimin me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, senatorët shprehën entuziazëm për rritjen e bashkëpunimit ekonomik me Shqipërinë dhe interes për intensifikimin e këtij bashkëpunimi. Për Kryetaren e Kuvendit mbështetja e Francës, si një nga vendet më të rëndësishme të BE-së, mbetet shumë e vyer për shqiptarët. Duke u ndalur në situatën politike në vend, Topalli tha se “Kryeministri Berisha dhe mazhoranca gjatë gjithë kësaj kohe i kanë ofruar opozitës të gjitha mundësitë për transparencë të plotë sipas ligjit dhe Kushtetutës”. “Ne mbetemi të hapur për çdo hetim parlamentar, pa shkelur Kushtetutën e vendit dhe duke respektuar parimin bazë të demokracisë, ndarjen e pushteteve”, deklaroi kryetarja e Kuvendit, gjatë takimit me senatorët francezë.