E Shtunë, 31 Tetor 2026

Senatori Obama vazhdon turneun në Lindjen e Mesme

Kandidati për president i partisë demokrate, senatori Barak Obama gjatë vizitës së tij në Afganistan u takua me presidentin Hamid Karzai. Senatori Obama ka qenë një kritik i vazhdueshëm i administratës së Presidentit Bush, duke thënë se nuk po bëhet mjaft për të rindërtuar Afganistanin. Turneu i senatorit Obama po ndiqet me vëmendje të madhe nga media dhe opinioni amerikan. Shumë analistë thonë se kjo vizitë do të jetë shumë e rëndësishme për kandidatin demokrat për të eliminuar dyshimet mbi përvojën e tij në marrëdhëniet e jashtme.

Senatori Obama dhe senatorë të tjerë që po udhëtojnë me të, vlerësuan angazhimin e ushtarëve amerikanë që po shërbejnë në Afganistan. Ata hëngrën mëngjes me një grup ushtarësh, para takimit me presidentin Karzai. Për senatorin Obama, Afganistani, ku talebanët dhe terroristë të Al Kaidës kanë filluar të riorganizohen, përbën qendrën e strategjisë së tij për t'u përballur me rrezikun nga terrorizmi.

Kandidati për president i Partisë Demokrate ka thënë se Afganistani ka nevojë për më shumë trupa dhe vëmendje se sa Iraku. Edhe pse udhëtimi zyrtarisht u organizua si pjesë e një delegacioni të Kongresit si mision faktmbledhës, pjesëmarrja e senatorit Obama në këtë delegacion ka bërë që e tërë vëmendja të përqëndrohet tek ai. Siguria është e shtuar dhe orari i udhëtimeve dhe takimeve të tij mbahet shumë sekret nga fushata e zotit Obama.

Së bashku me senatorin Obama në këtë vizitë po marrin pjesë edhe senatorët Çak Hejgëll dhe Xhek Rid. Të dy senatorë të cilët kanë një të kaluar ushtarake janë përmendur si kandidatë të mundshëm për nën president edhe pse senatori Rid ka thënë se nuk është i interesuar dhe senatori Hejgëll, i cili i përket Partisë Republikane shihet si një zgjidhje jo shumë e mundshme.

Dje delegacioni nga Senati zhvilloi një takim me guvernatorin e krahinës Nangahar Gul Agha Sherzai, në bazën amerikane në Xhalalabad. Takimi u zhvillua shumë pranë vendit, ku Osama Bin Laden u shpëtoi trupave amerikane në vitin 2001.

Vizita e parë e senatorit Obama jashtë vendit, që kur siguroi emërimin e partisë demokrate si kandidat për president, shihet si një shans për të forcuar aftësitë në politikën e jashtme, në një kohë kur kandidati republikan Xhon Mekejn e ka kritikuar disa herë pretendentin demokrat se nuk ka vizituar mjaft Irakun dhe Afganistanin. //bsa//

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›