Qeveria rrit taksën për naftën
Një urdhëresë e Ministrisë së Financave, takson me 1 deri në 2 lekë më shumë çdo litër naftë apo benzinë të konsumuar
Kërkohet që Tatimi mbi Vlerën e Shtuar të paguhet për çmimin final të produktit, gjë që rrit taksat totale
Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi dje se grosistët e naftës dhe ata të cigareve do të detyrohen të paguajnë Tatim mbi Vlerën e Shtuar mbi çmimin me pakicë. Kjo do të thotë se, për çdo litër naftë ose benzinë, qeveria do të mbledhë një deri në dy lekë më shumë TVSH. Bode, deklaroi se, “në këtë mënyrë do të ketë më shumë transparencë për konsumatorët dhe do të shmangen rritjet abuzive të çmimeve”. Por ekspertë kontabël thanë për “Shekullin” se masa është thjeshtë fiskale, synon të rrisë të ardhurat në buxhet nga shitja e karburanteve dhe cigareve dhe se do të rëndojë drejtpërsëdrejti te konsumatori.
“Kemi miratuar një udhëzim të ri, që i detyron grosistët të deklarojnë çmimin final të shitjes për karburantet dhe cigaret dhe të paguajnë taksa mbi çmimin final”,- tha Bode, duke e shpallur këtë si masë në mbrojtje të konsumatorëve. Udhëzimi i Ministrisë së Financave ka hyrë në fuqi më 1 Korrik. Tregtarët e cigareve dhe karburanteve janë përpjekur të menaxhojnë stoqet, për të shmangur efektet negative nga rritja e taksave. Udhëzimi i ri i klasifikon pikat e shpërndarjes së karburanteve si dhe tregtarët e cigareve si “kontraktorë shërbimi”, si dhe detyron grosistët të paguajnë TVSH mbi çmimin me pakicë. Në këtë mënyrë, do të paguhet TVSH edhe për pjesën e fitimit bruto që realizojnë pikat e karburanteve, normë fitimi që varion zakonisht nga 5 në 10 lekë për litër. Për pasojë, taksimi i përgjithshëm i karburanteve rritet me 1 deri në 2 lekë për litër, që do t’i shtohet çmimit final që paguan konsumatori. E njëjta gjë ndodh edhe me cigaret. Por në rastin e cigareve, taksimin më të lartë do ta paguajnë normat e fitimit të tregtarëve të vegjël, për shkak se çmimet e cigareve zakonisht ndryshojnë me jo më pak se 10 lekë, ndërsa rritja konkrete e kostos është 1 deri në 2 lekë. Kjo është një situatë e çuditshme, pasi një segment aktiviteti ekonomik taksohet dy herë. Pikat e karburantit paguajnë taksa si biznes i vogël, ndërsa do të paguajnë edhe TVSH për mallin që shesin. Gjatë vitit të kaluar, në Shqipëri u konsumuan rreth 600 mijë tonë karburante, nga të cilat, 413 mijë tonë qenë karburant i importuar. Në bazë të këtyre shifrave, udhëzimi i ri i Ministrisë së Financave do t’u marrë konsumatorëve shqiptarë vetëm nga karburantet, 5 deri në 10 milionë euro më shumë në vit. Po kaq para do të paguhen shtesë edhe si taksa për konsumimin e cigareve. Qeveria ka realizuar të ardhura shumë më të larta buxhetore nga ushqimet dhe karburantet gjatë këtij viti, si pasojë e rritjes së shpejtë të çmimeve të këtyre mallrave. Por rritja e shpejtë e kostove buxhetore nga humbjet në sektorin e energjisë elektrike, si dhe rritjes së shpenzimeve për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, e ka detyruar qeverinë të kërkojë më shumë taksa nga shqiptarët. Vetëm javën e kaluar, një vendim i ri i qeverisë shtoi detyrimin për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të të gjithë shqiptarëve që kanë paga mujore prej 17 mijë lekësh dhe ata që kanë paga më të larta se 65 mijë lekë.
Bode: Fajin për deficitet e kanë vendorëtMinistri i Financave, z.Ridvan Bode akuzoi pushtetin vendor se ka shkaktuar një deficit në të ardhurat e buxhetit të konsoliduar të shtetit prej 3 miliardë lekësh gjatë shtatë muajve, deri në korrik. Bode, deklaroi se të ardhurat nga taksat mbi shtëpitë, një taksë mbi ekzistencën që duhet të paguajnë të gjithë shqiptarët pavarësisht të ardhurave, kanë ecuri shumë të keqe. Ministri i Financave thotë se pushteti vendor ka nevojë të zhvillojë strukturat e veta të mbledhjes së taksave, t’u dërgojë faturën në shtëpi qytetarëve, etj. Deri më sot, taksa mbi pronën është mbledhur në Shqipëri duke përdorur si mekanizëm force shërbimin e certifikatave të lindjes e të vdekjes. Bashki të ndryshme, përfshirë edhe Bashkinë e Tiranës, nuk pranojnë të lëshojnë certifikata për qytetarët që nuk kanë paguar taksën e pronës. Por vetëm një pjesë e shqiptarëve kanë nevojë reale për të marrë një certifikatë lindjeje ose vdekjeje. Taksat paguhen për metër/katror në bazë të vetëdeklarimeve të qytetarëve, të cilët e kanë mësuar tashmë të deklarojnë se banojnë në shtëpi me sipërfaqe sa më të vogël, për të paguar më pak taksa. Ndër shqetësimet e tjera të Ministrisë së Financave, mbeten të ardhurat e Sigurimeve Shoqërore e Shëndetësore, të cilat janë rritur shumë herë më pak sesa rritja e shpenzimeve. Buxheti Suplementar ka përcaktuar rritjen e të ardhurave nga taksat në masën e 7 miliardë lekëve mbi planin fillestar të fillimvitit, plan ky i konsideruar si tepër optimist dhe që ka pak gjasa të realizohet.