E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për shoqërinë

Shoqëria civile e ka rrënuar shoqërinë. Shoqëria është totalitet organik. Shoqëria civile është agregat i njësive të instaluara. Shoqëria është shumësi e marrëdhënieve përmbajtësisht të padiferencueshme që individit ia mundëson lindjen e dytë dhe ia kushtëzon lirinë. Shoqëria civile është shumësi e OJQ-ve formalisht të diferencuara që individit ia kushtëzon shkëputjen dhe ia mundëson ankesën. Shoqëria është. Shoqëria civile vjen. Shoqëria ngrihet (nga poshtë). Shoqëria civile zbret (prej lart). Sajimi i shoqërisë civile, bëhet në llogari të shoqërisë. Me kahje të kundërt të zhvillimit në terrenin që nuk është i saj, shoqëria civile e gërryen shoqërinë. Organizmi i madh koheziv shndërrohet në një masë të shkapërderdhur dhe të shpërqendruar së cilës i sipërvendoset një strukturë e hollë, por e gjerë.

Këtu nuk e kam fjalën për shoqërinë civile sipas kuptimeve teorike në filozofi apo në fushën e mendimit politik. Nuk e kam fjalën as për vendet e ndryshme të botës, dhe është një çështje tjetër nëse kjo mund të vlejë edhe gjetiu. Këtu e kam fjalën për atë që quhet shoqëri civile në Kosovë, e cila duke e zëvendësuar shoqërinë ka bërë që të drejtat e njeriut dhe të popullit të zëvendësohen me nevojat e komuniteteve, që lufta për të drejtat e qytetarëve kundër pushtetit, të zëvendësohet me avokim dhe lobim te pushtetarët, që grevat, protestat dhe demonstratat të zëvendësohen me kampanja dhe koncerte, që e kaluara e afërt dhe konkrete të zëvendësohet me një të ardhme të largët dhe abstrakte, që edukimi shkollor të zëvendësohet me kurse dhe konferenca.

Shoqëria është angazhim. Shoqëria civile është dukje. Shoqëria zhvillon njerëzit përmes lirisë së tubimit dhe veprimit. Shoqëria civile bllokon njerëzit, duke i kufizuar ata në lirinë e shprehjes. Liria e shprehjes në Kosovë është e gjithëpranuar pikërisht për shkak se liria e veprimit është shumë e ngushtuar, por edhe për shkak se nuk ekziston liria e të menduarit. Aq shumë njerëz flasin aq shumë sepse pak veprojnë nga vullneti dhe fare pak kanë mendime të vetat. Ky i folur, më parë sesa që i zbulon ata si subjekt (që s’janë), i maskon ata si objekt (që janë bërë). Prandaj është i nevojshëm veprimi si sqarim. Dhe, prandaj nuk ka liri veprimi. Ka liri të shprehjes pikërisht që të mos ketë liri të veprimit. Dhe, ka liri të shprehjes sepse mendimi i shprehur tashmë është i kontrolluar. Njëmend mediat kryesore televizive nuk kontrollohen si dikur, por kjo për shkak të vetëcensurës së tyre. Ato nuk pasqyrojnë jetën e qytetarëve por gjestet e qeveritarëve. Ato nuk tregojnë për shoqërinë dhe jetën e saj, por e projektojnë modelin jetësor dhe praktikat shoqërore që u imponohen njerëzve për t’i ndjekur. Televizori nuk është pasqyra ku shoqëria e sheh të tashmen dhe të kaluarën e saj, por ai është sfera e kristaltë ku shoqëria e sheh të ardhmen e saj në vdekje e sipër. Nuk ka emisione nga historia apo shkenca dhe nuk ka programe edukative, por ka sport dhe telenovela pafund. Madje edhe kuizet e rralla (zakonisht për fëmijë) më parë se promovimit të dijes përmes garave i ngjajnë spektaklit sportiv me enterier prej tifozëve. Inxhinieringu medial televiziv në Kosovë definitivisht ka për qëllim që njerëzve t’ua bëjë shumë të vështirë mendimin. A nuk është shprehja “brainstorming” e farkuar nga shoqëria civile, indikacion se zakonisht të menduarit mungon andaj duhet ta rezervojmë një kohë të veçantë për të menduar?! Duket se shoqëria civile ka zgjidhje edhe për problemet në krijimin e të cilave ka kontribuar vetë.

Edhe Qeveria e Kosovës është pjesë e shoqërisë civile. Qeveria e Kosovës është OJQ-ja më e famshme në Kosovë. Ajo zbaton plane që nuk i ka përpiluar vetë dhe shpenzon buxhetin e Kosovës sipas projekteve që ia hartojnë zyrtarë të huaj, thuajse ky buxhet ishte donacion i tyre. Ngjashëm si zyrtarët e OJQ-ve edhe politikanët e Kosovës e dinë mirë që janë aty ku janë jo për shkak se atyre u besojnë qytetarët, por për shkak se janë të dëgjueshëm ndaj ndërkombëtarëve, ndaj atyre burokratëve që vazhdimisht janë disi të shqetësuar por asnjëherë të brengosur. Prandaj në Kosovë nuk mund të hysh në politikë. Në Kosovë mund të dalësh nga politika duke hyrë në parti politike. Politika zyrtare në institucionet e sistemit edhe pas pavarësisë nuk është politikë. Ajo është punë teknike e një politike që bëhet jashtë saj e sipër saj. “We must fix this problem!”, është fjalia më e shpeshtë e qeveritarëve të vërtetë ndërkombëtarë, e cila kësisoj e shpërfaq vizionin e tyre veçse teknologjik për neve.

Bile edhe KFOR-i sillet si OJQ. Ai na e ka mbuluar Kosovën gjithandej me billboard-a për tolerancë. Përveç që kjo tolerancë nuk ka përmbajtje, ajo nuk ka as kufij – pra, është edhe tolerancë ndaj jotolerancës. Megjithëkëtë, është e qartë se kjo tolerancë nuk mendohet aq si tolerancë ndaj dallimeve politike, sociale dhe ekonomike, por më parë ndaj atyre kulturore të cilat konsiderohen të pareduktueshme dhe pjesë inherente e shkaqeve të konfliktit. Dhe, sigurisht, tolerancë për pushtetin atje lart që na vëzhgon me billboard-at e tij, ndërkohë që është hermetikisht i mbyllur për çfarëdo llogaridhënie ndaj vendasve. Edhe atëherë me të rrallë, kur nuk e kanë për temë tolerancën, gjithsesi bëhet fjalë për billboard-a përplot me fëmijë poshtë së cilave figurojnë mesazhet e regjimit për qytetarët (siç).

Nuk është vetëm shoqëria civile aktuale e reduktueshme në një shprehje të hegjemonisë së pushtetit. Pushteti, me sjelljet dhe (mos)veprimet e tij, po ashtu është bërë i reduktueshëm në konceptin e shoqërisë civile te ne. Në zemër të nuancave vezulluese që ua marrin njerëzve mendtë ndodhet antagonizmi, ndodhet kontradikta e papajtueshme ndërmjet shoqërisë dhe shoqërisë civile.

Pa e restauruar shoqërinë, pa ia kthyer shoqërisë qytetarin, nuk do të arrijmë të kemi institucione politike që na e përfaqësojnë vullnetin dhe na i mbrojnë interesat, nuk do të kemi sistem politik ku pushtetari është në shërbim të qytetarit. Shoqërinë duhet ta ribëjmë. Ajo tani ndodhet në hapësirën pothuajse të zbrazët ndërmjet njerëzve apatikë që mendojnë se asgjë s’mund të ndryshohet dhe njerëzve iluzionistë që besojnë se gjithçka do të bëhet mirë. Restaurimi i shoqërisë është shoqëror. Mirëpo, njëherë shoqëria ribëhet duke u bërë rezistencë. Shoqëria duhet të bëhet rezistencë për t’u bërë shoqëri, për t’u bërë ajo që është. Rezistenca politike dhe shoqërore është ajo që e modelon dhe e ndryshon regjimin sundues, e detyron atë t’i përshtatet njerëzve dhe kështu e konsolidon shoqërinë e qytetarëve. Ky ndryshim është thelbësor dhe kryesor. Ky ndryshim është kushti dhe mundësia e përparimit të qëndrueshëm. Mirëpo, ky ndryshim nuk bëhet vetëm nga njerëzit që duan të kenë të ardhme më të mirë. Sepse ata presin. Ky ndryshim bëhet para së gjithash nga ata të cilët e duan të tashmen shumë më të mirë. Rezistenca është tash.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›