E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulet eksporti i prodhimeve bujqësore

Gjatë gjashtëmujorit të parë, eksporti i mallrave të grupit “Ushqim, Pije, Duhan” ra me 5%

Instituti i Statistikave njoftoi se eksporti shqiptar i ushqimeve u tkurr gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Statistikat tregojnë një gjendje të vështirë në sektorin e bujqësisë. Gjatë gjashtë muajve, deri në qershor, eksporti i grupit “Ushqim, Pije, Duhan”, ku hyjnë të gjitha prodhimet bujqësore, ra në 25.47 milionë euro, ndërsa një vit më parë qe 26.8 milionë euro. Viti i kaluar u konsiderua si një vit shumë i keq bujqësor për Shqipërinë, për shkak të thatësirës së zgjatur që solli probleme të shumta për fermerët. Ky vit pritej të sillte përmirësim, por të dhënat e eksporteve flasin për të kundërtën. Çmimet e mallrave ushqimore janë dyfishuar në të gjithë botën, gjë që ka sjellë përfitime për ekonomitë bujqësore të vendeve të varfra, por Shqipëria duket nuk po përfiton shumë nga kjo situatë.

Sektori i bujqësisë në Shqipëri përbën 25% të PBB-së, ndërkohë që më shumë se 55% e popullatës së vendit jeton falë tokës. Ky sektor ka qenë në stanjacion të vazhdueshëm që prej shumë vitesh tashmë, kryesisht për shkak të pamundësisë për të konkurruar në tregjet rajonale, për shkak se të gjitha vendet fqinje kanë sektor bujqësor shumë të zhvilluar. Rritja ekonomike e sektorit të bujqësisë ka qenë shumë e vogël në krahasim me rritjen ekonomike të sektorëve të tjerë. Grupi “Ushqim, Pije dhe Duhan” përbën vetëm 5.4% të eksporteve totale të vendit tonë.

Rritje minimale edhe te eksporti i tekstileve

Edhe sektori i Tekstileve dhe Këpucëve, duket se po përjeton një situatë jo shumë pozitive. Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit, eksporti i këtij zëri shumë të rëndësishëm të eksporteve, u rrit me vetëm 4.4%, një nga normat më të ulëta të rritjes që ka regjistruar në shumë vite. Eksporti i Tekstileve dhe Këpucëve arriti në 209 milionë euro gjatë gjashtëmujorit të parë. Ky është zëri që jep 50% të eksporteve totale të vendit dhe konsiderohet veçanërisht i rëndësishëm për shkak se punëson mbi 30 mijë vetë, kryesisht në zona të varfra dhe përgjithësisht gra.

Kompanitë europiane përgatiten për krizë

Një numër gjithnjë e më i madh kompanish europiane kanë dhënë shenja se po përgatisin veten për një periudhë recesioni, ose një periudhë të gjatë rritjeje të ngadaltë ekonomike në kontinenti, duke marrë masa mbrojtëse. Nga prodhuesit e makinave te zyrat e kontabilistëve, të gjithë po punojnë për të ulur kostot, për të zvogëluar prodhimin, apo për të shkurtuar vende pune. Gjiganti i konsulencës, KPMG, deklaroi se ka tërhequr njoftimet për vende pune të reja. “Kemi ngrirë planet për punësim njerëzish që nuk janë të domosdoshëm”, - deklaroi një zyrtar. Kompania irlandeze e prodhimit të ambalazheve, “Smurfit Kappa”, deklaroi se po ul kostot dhe se nuk do të hapë linja të reja prodhimi, pavarësisht se çmimet janë të larta. Prodhuesit e makinave si “Fiat”, “Mercedes” dhe “BMW”, kanë shkurtuar prodhimin ndërsa kompanitë ajrore si “British” dhe “Ryanair” janë duke ulur numrin e udhëtimeve. Kompani të tjera si “Henkel” apo banka “UniCredit”, kanë njoftuar pushimin e mijërave njerëzve nga puna.

Masat antikrizë u shtuan kohët e fundit, kur një sondazh vërejti se besimi i investitorëve qe në nivelin më të ulët në pesë vite. Kompanitë europiane panë fitimet e tyre të zvogëlohen disa herë gjatë muajve të parë të këtij viti.

Edhe kompanitë që deri më sot nuk janë prekur nga vështirësitë ekonomike, po ndjekin nga afër situatën. Shefi i grupit holandez të telekomunikacioneve, KPN, deklaroi se deri më tani nuk është vërejtur rënie e konsumit në Beneluks dhe Gjermani, por se ata do të nisin një program uljeje kostoje në rast se një gjë e tillë fillon. Ekonomia europiane u rrit me 0.7% në tremujorin e parë të këtij viti, shifër kjo shumë më e lartë se ajo e ekonomisë amerikane. Por frika e recesionit është shtuar në të gjitha vendet. Ekonomia e vendeve të zhvilluara po vuan një periudhë pasigurie të shkaktuar nga kriza në sektorin financiar. Bankat u detyruan gjatë këtij viti të pranojnë se kanë humbur dhjetëra-miliarda dollarë në kreditim të pamatur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›