E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tetë portierë shqiptarë, mes të "pathyeshmëve" të botës

Mes të tjerash, Shqipëria shquhet edhe për portierë, të cilët kanë lënë gjurmë në analet e historisë së futbollit botëror. Dhe ata nuk janë të paktë, plot tetë të tillë, duke filluar nga Bujar Gogunja e deri te Foto Strakosha, Anesti Arapi e Xhevahir Kapllani. Ka qenë renditja e botuar dje nga ana e Institutit prestigjioz të Historisë dhe Statistikave të Futbollit Ndërkombëtar (IFFHS), ai që ka konfirmuar një gjë të tillë. Pikërisht në këtë listë të rinovuar, ku janë klasifikuar emrat e 438 gardianëve që e lanë të paprekur rrjetën e portës së tyre për shumë minuta në kampionatet e vendeve përkatëse, bëjnë pjesë edhe tetë portierë shqiptarë.

Shqiptari i parë që ka shkruar emrin në majat e larta të kësaj liste të gjatë, është elbasanlliu Bujar Gogunja, i cili mbajti për 1037 minuta të paprekur portën e Labinotit (Elbasanit të sotëm). Gogunja, i pozicionuar i 38-ti në listën e IFFHS-së, mban edhe rekordin e të gjitha kohërave të pathyeshmërisë për kampionatin shqiptar të futbollit. Portieri (i lindur më 1957-ën), i cili për më shumë se 11 vjet (1974-1985) mbrojti katërkëndëshin e Labinotit, dha një kontribut të jashtëzakonshëm në fitimin e titullit të parë kampion të verdhebluve në sezonin 1983-1984. Ai e mbajti të paprekur rrjetën e portës së tij në 11 takime radhazi, por në minutën e 43-të ndeshjes së 12-të, ishte Genc Tomori i Partizanit, ai që me golin e tij ndërpreu "tragjikisht" rekordin absolut në Shqipëri të Bujarit. Në kampionatin e sezonit 1983-1984, Elbasani në 26 ndeshje pësoi në total 14 gola, 15 fitore, 7 barazime, 4 humbje, 37 pikë. (Atëherë një fitore vlerësohej 2 pikë). Gogunja, ish-portier dhe trajner, ka lënë pas në renditje Peter Çeh të Çelsit, i cili për momentin etiketohet si një ndër portierët më të mirë të botës.

Një tjetër emër i spikatur i portës shqiptare në këtë listë është edhe ai i Kujtim Shtamës (i renditur i 77-ti), portieri i Teutës, i cili në sezonin 1993-1994 ka ruajtur paprekshmërinë e katërkëndëshit të tij për plot 927 minuta. Shqiptari i tretë për nga koha më e madhe pa pësuar gol është Raqi Psiku (Partizani, 905 minuta, i 79-ti). Ndër emrat e njohur të portës shqiptare janë tre ish-portierë të kombëtares shqiptare: Dodë Tahiri (Vllaznia, 898 minuta, i 90-ti), Qemal Vogli (Dinamo, 840 minuta, i 114-ti) dhe Foto Strakosha (Dinamo, 695 minuta, i 332-ti). Por në këtë listë figurojnë edhe Anesti Arapi (Flamurtari, 827 minuta, 121-ti) dhe Xhevahir Kapllani (Teuta, 824 minuta, 127-ti). Ndërkohë, rekordin absolut në të gjithë botën e mban braziliani Matos Filho, i mbiquajtur "Mazaropi", i cili e mbajti të bardhë portën e Vasko de Gamës për 1816 minuta. I dyti është egjiptiani Tabet El-Batal i Nacionalit të Kajros me 1442 minuta. Treshen e plotëson belgu Deni Verlinden i Bryzhit me 1390 minuta pa gol. Mes top 10 më të mirëve është edhe Van der Sar i Mançester Junajtid (1311 minuta, i 6-ti).

Rekordi shqiptar

Gogunja, rekordmeni shqiptar me 1037 minuta pa pësuar gol në portën e Labinotit (Elbasanit në sezonin 1983-1984) është pozicionuar i 38-ti në listën e IFFHS-së me 438 portierë, duke lënë pas gardianin e Çelsit dhe të Çekisë, Peter Çeh

Renditja e portierëve shqiptarë

38. Bujar Gogunja (Labinoti, sot Elbasani)

1037 minuta, 11.12.1983-13.05.1984

71. Kujtim Shtama (Teuta)

927 minuta, 12.02.1994-30.04.1994

79. Raqi Pisku (Partizani)

905 minuta, 14.01.1951-18.03.1951

90. Dodë Tahiri (Vllaznia)

898 minuta, 02.09.1945-23.12.1945

114. Qemal Vogli (Dinamo)

840 minuta, 21.01.1952-23.03.1952

121. Anesti Arapi (Flamurtari)

827 minuta, 07.10.1990-09.12.1990

127. Xhevahir Kapllani (Teuta)

824 minuta, 02.10.1993-05.02.1994

332. Foto Strakosha (Dinamo)

695 minuta, 04.03.1990-22.04.1990

Top 10 më të mirët e botës

1. Geraldo Pereira "Mazaropi", Brazil, 1816 min

2. El Batal, National, Egjipt, 1442 min

3. D. Verlinden, Bryzh, Belgjikë, 1390 min

4. H.M. Buljubasish, Universidad, Argjentinë, 1352 min

5. El Batal, National, Egjipt, 1325 min

6. Edvin V.D.Sar, Mançester Jun., Holandë, 1311 min

7. E.El-Hadari, National, Egjipt, 1288 min

8. A.R. Gomezh, Atletiko Madrid, Spanjë, 1275 min

9. G.Huard, Bordo, Francë, 1266 min

10. A.Donizete "Zeti", Palmeiras, Brazi, 1242 min



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›