E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sequi: Dialogu politik dhe 12 prioritetet duhet të bashkojnë palët

Sequi i përgjigjet pyetjeve të gazetareve, se pse Shqipërisë nuk iu dha statusi kandidat, Ai u përgjigje shume shkurt, ngërçi politik i cili vazhdon që prej dy vjetësh është arsyeja kryesore, duke përmendur dhe vlerësimet në 12 prioritetet që BE i ka vendosur Shqipërisë.

Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi, theksoi se Shqipëria ka kapacitet që të plotësojë standardet që kërkohen për anëtarësimin në BE, por për këtë duhet përkushtim, vendosmëri dhe mbi të gjitha integrimi duhet parë si prioritet kombëtar.

Sipas tij “viti 2010-ta ka parë hapa të rëndësishme që janë bërë përpara në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në BE. Qytetarët kanë pasur mundësi të gëzonin udhëtimin pa viza në zonën Shengen dhe KE rekomandoi që të hapeshin negociatat për anëtarësimin në BE, nëse vendi do të arrinte shkallën e nevojshme të pajtueshmërisë, në veçanti nevojën për të përmbushur 12 prioritetet kyçe, të cilat janë identifikuar në opinionin e KE për aplikimin e Shqipërisë në BE.

Në vitin 2011 Shqipëria ka filluar punën drejt përmbushjes së këtyre 12 prioriteteve kyçe”.
Ai u shpreh se, “Qeveria shqiptare ka përgatitur një plan veprimi për t’i trajtuar këto 12 prioritete dhe disa përparime mund të vihen re në disa sektorë si për shembull; lufta kundër krimit të organizuar, përforcimi i mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve dhe përmirësimi i trajtimit të të burgosurve në institucionet e heqjes së lirisë, miratimi i reformës gjyqësore ose strategjisë për reformën gjyqësore është një tjetër hap pozitiv”.

“Megjithatë”, tha Sequi, “progresi është penguar nga vijimi i ngërçit politik dhe zhvillime të tjera konfliktuale që kanë shtuar klimën e mosbesimit”.

“Reforma të rëndësishme që kanë të bëjnë me BE ende s’kanë përfunduar, sidomos ato që kërkojnë 3/5 e votave në Kuvend dhe përfundimin e proceduarave të emërimit për disa institucione të pavarura”, u shpreh Sequi.

Sipas tij, “për të përmbushur kriteret e përcaktuara Shqipërisë do t’i duhet që të ndërmarrë  progres thelbësor për të përmirësuar punën e Kuvendit, për të garantuar që zgjedhjet të bëhen në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, për të reformuar administratën publike, për të zbatuar në mënyrë efikase strategjinë e reformës në gjyqësor, për të trajtuar çështjet e të drejtave të pronësisë dhe të drejtave të njeriut si dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Në aspektin ekonomik, Sequi vlerëson se, “ekonomia shqiptare vazhdoi të kishte rritje kjo në sajë të eksporteve të forta dhe pavarësisht kërkesës së ulët të tregut të brendshëm". "Shqipëria ka bërë disa përparime për sa i përket shndërrimit në ekonomi tregu funksionale, megjithatë ekzekutimi i kontratave dhe zbatimi i shtetit të së drejtës janë disa nga ato faktorë të cilët vazhdojnë të pengojnë potencialin e Shqipërisë për zhvillim të mëtejshëm ekonomik”, tha ai.

Si konkluzion Sequi shprehet se, “Shqipëria ka bërë progres të kufizuar për përmbushjen e kritereve politike dhe për mbushjen e 12 prioriteteve kyçe”. Sipas tij, “ka pasur disa sinjale pozitive që partitë politike mund të rifillojnë dialogun, i cili kërkohet në mënyrë urgjente, në mënyrë që të ketë një nivel bashkëpunimi, i cili do të bëjë që progresi të vijojë në fushën e integrimit evropian”.

“Përpara se të rekomandohet çelja e negociatave për anëtarësim, Shqipëria duhet të ndërmarrë përpjekje të mëtejshme thelbësore, për miratimin dhe zbatimin e reformave’, theksoi Sequi.Sipas tij, “ngërçi i vazhdueshëm politik ka penguar procesin. Viti i kaluar ka shënuar mungesë të dialogut konstruktiv politik në Kuvend dhe po ashtu një mjedis të polarizuar politik si edhe një retorikë konfliktuale”.

Sequi thekson se, “KE mbetet ende tepër e angazhuar dhe e përkushtuar për të ardhmen evropiane të Shqipërisë”. “Nuk ka standarde të dyfishta që mund t’i aplikohen Shqipërisë. Kushtet janë të njëjta që i vendosen të gjitha vendeve që aspirojnë integrimin në BE. Dhe në veçanti ndërmarrja e reformave që kanë të bëjnë me BE dhe përmbushjen e 12 prioriteteve kyçe.

Jemi të sigurt që Shqipëria ka kapacitet dhe mundësitë e duhura që të përmbushë standardet e larta që kërkohen për çeljen e negociatave për anëtarësim”, shprehet kreu i delegacionit të BE-së në Tiranë.
“Megjithatë”, sipas tij, “për këtë kërkohen që të bëhen përgatitje rigoroze dhe të plota, të ketë bashkëpunim konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës dhe të gjendet konsensusi për disa fusha’.

“Shqipëria ka nevojë të bashkojë forcat e veta për një objektiv të përbashkët që është anëtarësimi në BE”, thekson Sequi. Sipas tij, “raporti i progresit është një mjet i rëndësishëm për integrimin. Ai jo vetëm krijon një panoramë për gjendjen e vendit në krahasim me standardet e BE , por tregon dhe rrugën se si duhet ecur përpara drejt integrimit evropian si në periudhën afatshkurtër dhe në atë afatmesme”.

“Prandaj”, theksoi Sequi, “zbatimi i 12 prioriteteve kyçe është bazë dhe njëkohësisht raporti së bashku me 12 prioritetet kyçe duhet parë si element bashkues jo si element ndarës”.
Sipas tij, “të dyja partitë nevojitet të tregojnë me fakte që aspiratat integruese të vendit vendosen si agjenda kryesore e tyre.”

Për sa i përket mundësisë për një shans të Shqipërisë për çeljen e negociatave në dhjetor, Sequi u shpreh se, duhet të shpjegojë një aspekt institucional të kësaj çështjeje. “Nuk jam në një pozitë ku mund t’iu them se çdo të thotë Këshilli Evropian në dhjetor. Por nëse do më duhet të bazohem mbi atë që kanë thënë ministri i jashtëm italian Franco Frattini dhe ministri i jashtëm grek, Stavros Lambrinisidis kur vizituan Shqipërinë, dialogu politik ishte thelbësor”, përfundoi Sequi. /L.Ferhati/Start/

                                                                                             2011-10-12 21:08
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›