Sequi: Drejt Europës të përbashkuar, hiqni imunitetin

Jo pushim, por integrim! Ky ka qenë mesazhi që u ka përcjellur të gjithë aktorëve politikë ambasori i BE-së i akredituar në Tiranë, Ettore Sequi gjatë një konference për shtyp me gazetarët, lidhur me 12 prioritetet kyce të KE për anëtarësimin në BE. Sequi ka sjellë në vëmëndje dhe njëherë se vjeshta është afër dhe nuk ka kohë për të humbur, në një kohë kur progresraporti me arritjet e shënuara nga Shqipëria pritet të dalë në fund të shtatorit.
“Në këtë raport do pasqyrohen aktivitetet për periudhën tetor 2011- shtator 2012. Ju kujtoj se ai bëhet në bazë të vendimeve, ligjeve të miratuara dhe masave që janë zbatuar. Si rregull nuk merren parasysh ato ligje që janë në përgatitje e sipër e presin miratimin në Kuvend. Unë nuk do e paraprij raportin e progresit. Do përqendrohem në arritjet e deritanishme, do jap një vlerësim të përgjithshëm”- tha ai.
Sequi ka vënë theksin në domosdoshmërinë për heqjen e imunitetit, si një element me rëndësi dhe në fokus të BE, si pjesë e shtetit të së drejtës.
“Ne besojmë se votimi për sistemin e imunitetit do jetë hap kritik dhe i rëndësishëm. Përgëzojmë palët që kanë gjetur konsensusin për imunitetit. BE i jep rëndësi cështjeve që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit. Heqja e imunitetit është masë e rëndësishme në këtë luftë dhe donim reflektim të këtyre cështjeve. Ky nuk do ishte fundi i procesit pasi duhet të bëhen hapa të mëtejshëm mbi këtë çështje”- tha Ambasadori.
Ndërkaq Ambasadori i BE ka vlerësuar pozitivisht progresin e bërë deri më tani me reformat, kryesisht në miratimin e kodit zgjedhor, duke vlerësuar konsensusin dhe bashkëpunimin mes mazhorancës dhe opozitës. Por sipas tij ky konsensus dhe dialog konstruktiv duhet të vazhdojë edhe më tej, pasi sipas tij koha është një burim i kufizuar dhe nuk ka kohë për të humbur në këtë ceshtje dhe objektiv kombëtar.