E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sequi: Konsensusi, gur i rëndësishëm në rrugën drejt BE

TIRANË- Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, përshëndeti të enjten konsensusin mes maxhorancës dhe opozitës në Kuvend për ngritjen e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore dhe miratimin e dy ligjeve me shumicë të cilësuar.

I pranishëm në punimet e seancës së sotme të Kuvendit, ambasadori Sequi, në një prononcim për mediat, tha se sot ishte një ditë pozitive për parlamentin shqiptar, pasi konsensusi do të bëjë të mundur realizimin e reformave të rëndësishme të vendit, duke përfshirë edhe atë zgjedhore.

"E kam përsëritur disa herë se integrimi europian është një prioritet kombëtar. Janë 12 prioritete kyçe që priten të zbatohen, por ne jemi mjaft të inkurajuar nga sinjalet e sotme pozitive në parlament, pasi rruga drejt BE-së është një rrugë që ndërtohet mbi bashkëpunimin dhe konsensusin dhe e bazuar në dialog", tha Sequi.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›