Sequi: Më shumë përgjegjësi për një Shqipëri më të gjelbër

Në ditën botërore të mjedisit, ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi ka bërë apel për një Shqipëri më të gjelbër. Duke folur në aktivitetin e organizuar nga ministria e mjedisit, ambasadori Sequi është shprehur optimist që vendi ynë do të plotësojë kriteret e BE-së për mjedisin.
“Kjo ditë është një apel për më shumë përgjegjësi për një Shqipëri të gjelbër. Kam besim që Shqipëria do të plotësojë kërkesat e BE-së për mjedisin dhe ne do t`ju mbështesim. Bashkimi Europian ka investuar 100 milionë euro për mjedisin në Shqipëri ndërsa shumë shpejt do të ketë edhe një projekt për trajtimin e ujrave” shtoi ambasadori Sequi.
Nga ana e tij, ministri i mjedisit Fatmir Mediu ka theksuar se shumë shpejt do të krijohet një inspektoriat për çështjet e mjedisit. Sipas tij ka filluar projekti i ndarjes së mbetjeve ndërsa ka shtuar se është rritur edhe ndërgjegjësimi I qytetarëve ndaj mjedisit.
5 Qershori është dita botërore e mjedisit. Si në të gjithë botën edhe në Shqipëri, Ministria e Mjedisit e mbështetur edhe nga zyra e BE-së në Tiranë kanë zhilluar një sërë aktivitetesh sensibilizuese për mbrojtjen e mjedisit.