Sequi-Nishanit: Të përmbushen kërkesat për në BE

Kreu i shtetit Bujar Nishani është takuar sot me kreun e delegacionit të BE-së Ettore Sequi. Ambasadori i BE-së në Tiranë Etore Sequi ka inkurajuar institucionet shqiptare, të përmbushin kërkesat e paraqitura nga Bashkimi Evropian.
Gjatë një takimi me presidentin e republikës Bujar Nishani, ambasadori Sequi kërkoi angazhimin e institucioneve shqiptare për reformimin e sistemit gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, ligjin për heqjen e imunitetit dhe reformën parlamentare.
Nga ana e tij, presidenti Nishani e garantoi Kreun e Delegacionit të BE-së në Tiranë se Institucioni i Presidentit dhe të gjitha institucionet shqiptare do të bëjnë më të mirën e mundshme për të shfrytëzuar në mënyrë efektive kohën e mbetur për të plotësuar kriteret që garantojnë marrjen e statusit të vendit kandidat në BE dhe se do të vazhdojnë përpjekjet e tyre për rritjen e standardeve edhe pas këtij momenti.
Gjithashtu gjatë takimit është biseduar edhe për vizitën që Presidenti Nishani do të zhvillojë në Bruksel, nga data 17-19 shtator 2012, ku do të takohet me autoritetet më të larta të Bashkimit Europian.