E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sequi: Procesi i integrimit duhet të udhëhiqet nga parimi i gjithëpërfshirjes

04-07-2013 / Gazeta 55

Ambasadori i BE-së në vendin tonë takon liderin e LSI-së

Ambasadori i BE-së në vendin tonë, Ettore Sequi zhvilloi dje një takim me liderin e LSI-së, Ilir Meta. Në një konferencë për mediat, në përfundim të takimit, ambasadori Sequi theksoi rëndësinë e gjithëpërfshirjes në përmbushjen e reformave të nevojshme, që do të mundësojnë ecjen përpara të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Sipas ambasadorit Sequi, Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të marrë statusin kandidat për në BE. “Pas këtyre zgjedhjeve ne kemi besim se do të ketë një tranzicion të qetë drejt pushtetit në mënyrë që të përqendrohet puna te axhenda e reformave të cilat janë të nevojshme për Shqipërinë. Jam veçanërisht i kënaqur nga përdorimi i fjalës “gjithëpërfshirje” dhe që është një fjalë kyçe. Sepse procesi i integrimit në Bashkimin Evropian është një proces, i cili përfshin të gjithë vendin. Të gjitha mundësitë për të marrë statusin e vendit kandidat janë aty për Shqipërinë dhe kemi besim se kjo do të jetë e mundur edhe në sajë të këtij angazhimi të ri”,- deklaroi ambasadori.  Nga ana e tij, lideri i LSI-së theksoi angazhimin për të çuar përpara reformat për marrjen e statusit kandidat dhe integrimin e vendit në BE, duke shprehur besimin se tashmë ekziston e gjithë mundësia për të krijuar një klimë me themele të qëndrueshme dhe afatgjata të bashkëpunimit dhe të gjithëpërfshirjes midis mazhorancës së re dhe opozitës së re.  Duke kujtuar se pak javë më parë u arrit konsensusi në parlament gjatë fushatës elektorale për miratimin e tre ligjeve edhe pse me vonesë, Meta tha se, "tani është mundësia për të përfshirë në këtë proces reformash edhe shumë faktorë të tjerë të shoqërisë sonë, shoqërisë civile, grupet e interesit, qarqet akademike dhe universitare në mënyrë që këto reforma të fitojnë një temp të ri, por edhe të gëzojnë një konsensus sa më të gjerë shoqëror dhe politik".  I pyetur nëse i ka dhënë ndonjë këshillë konkrete zotit Meta, i cili do të drejtojë Kuvendin e Shqipërisë, në kushtet kur mazhoranca ka 84 deputetë dhe mund të marrë vendime pa patur nevojën e votave të opozitës, ambasadori Sequi tha: “Unë besoj që përvoja dhe vizioni i z. Meta nuk kanë nevojë për këshilla. Edhe në fakt fjalën “gjithëpërfshirje” ne të dy e kemi përmendur edhe në të kaluarën. Kështu që nuk shoh asnjë arsye përse fjalë gjithëpërfshirje të mos jetë një fjalë po aq kyçe edhe në të ardhmen”. Nga ana e tij zoti Meta iu përgjigj të njëjtës pyetje duke theksuar se pavarësisht nga kjo mazhorancë prej 84 deputetësh, për çështje të rëndësishme nuk do të mjaftonte thjesht një votim i bazuar mbi numra, por mbi një konsensus sa më të gjerë me përfshirjen e opozitës.  "Ky ka qenë është dhe do të jetë vullneti ynë në të ardhmen dhe ne besojmë se në këtë mënyrë demonstrojmë një filozofi të re të mazhorancës së re dhe presim një përgjigje të re nga opozita e re për filozofinë e saj për të ardhmen”, përfundoi kreu i LSI-së.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›