Sequi: Reforma në Drejtësi, kusht për statusin
Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi inkurajon klasën politike në përmbushjen e reformave të integrimit
Kreu i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi deklaroi dje gjatë prezantimit të draftit të Ministrisë së Drejtësisë për ligjin e Avokatisë, se reforma në Drejtësi është një tjetër kusht i Bashkimit Evropian, për marrjen e statusit të vendit kandidat. Duke iu referuar draftit të Ministrisë së Drejtësisë, rreth përmirësimit të ligjit për profesionin e Avokatit në Republikën e Shqipërisë, Sequi kërkoi respektimin e ligjit dhe zbatimin e tij. “Progresi i Shqipërisë varet nga procesi i zbatimit të ligjit. Janë bërë disa hapa konkrete. Ka pasur disa iniciativa interesante, të cilat kanë sjellë përmirësim të situatës në këtë drejtim, gjithmonë në kuadrin e detyrave që Shqipëria ka për të realizuar në procesin e integrimit në BE dhe përpjekjeve për të marrë statusin e vendit kandidat”- u shpreh ai. Ambasadori Sequi theksoi se projekti i sundimit të ligjit në Shqipëri EURALIUS, financohet në shumën prej 2.3 milionë euro nga taksapaguesit evropianë. Ndërkohë, shtyrja e seancave gjyqësore për shkak të mungesës së avokatëve ka bërë që Ministria e Drejtësisë të hartojë masa të rrepta në rastet kur mos-prania e tyre është e pa-justifikuar. Projektligji parashikon gjoba në shumën nga 5 mijë deri në 50 mijë lekë, pezullim ushtrimi aktiviteti nga 3 muaj në 2 vjet deri në heqjen përfundimtare të licencës së avokatit. Ministria e Drejtësisë ka kërkuar që t’i jepet fund zvarritjes së proceseve gjyqësore për shkak të mungesës së avokatëve. Ligji i hartuar në bashkëpunim me misionin EURALIUS parashikon në rritjen e strukturave të kontrollit për procedurat që do ndiqen për masat disiplinore ndaj avokatëve, si edhe krijimin e një qendre të veçantë për avokatët.
...