Sequi: Shifrat që dolën, shenjë e mirë për bashkëpunimin

Ilir Meta zgjidhet Kryetar i Kuvendi
Ambasadori i BE-së në vendin tonë, Ettore Sequi e konsideron një shenjë të mirë për bashkëpunimin mazhorancë-opozitë, faktin që Ilir Meta u zgjodh në postin e kreut të parlamentit edhe me votat e një grupi të deputetëve të opozitës. Në një prononcim për mediat në përfundim të seancës së Kuvendit, ambasadori Sequi shprehu bindjen se zoti Meta do ta udhëheqë kuvendin në mënyrën më të mirë. “Dëshiroj t’i jap urimet e mia më të mira zotit Meta për zgjedhjen e tij si kryetar i kuvendit dhe nuk kam dyshim se ai do ta udhëheqë kuvendin në mënyrën më të mirë. Gjatë fjalimit të zotit Meta, ai tha disa fjalë të rëndësishme, të cilat i mbajta shënim. Ai tha se integrimi i Shqipërisë në BE ecën në mënyrë paralele me integrimin mes mazhorancës dhe opozitës. Në fakt edhe unë thashë dje që shpresojmë që në parlamentin e ri të shikojmë më pak konfliktualitet dhe më shumë zgjidhje. Ai përdori fjalët reforma, transparencë, sipërmarrje të përbashkët, gjithë përfshirje, zbatueshmërine e ligjeve”, deklaroi ambasadori Sequi.
Kreu i LSI, Ilir Meta zgjidhjet kryetar Kuvendi me 91 vota/Kreu i LSI, Ilir Meta zgjidhet kryetar i parlamentit me 91 vota pro, 45 kundër dhe 1 abstenim. 137 deputetë morën pjesë në votim. Lista e deputetëve që kishin firmosur kandidaturën e Metës kryesohej nga Edi Rama. Në fjalën e parë si kryetar i Parlamentit, Ilir Meta porositi ligjvënësit të tregohen të matur për çdo ligj që do të votojnë dhe për çdo sjellje politike sepse siç theksoi ai, populli pret reforma që do të integrojnë vendin dhe jo konflikte. “Ky kuvend duhet të përfaqësojë atë që duhet të jetë pritshmëria e shqiptarëve por dhe praktika më e mirë e europianëve, tolerancën dhe bashkëpunimin, respektin për ligjin e parimet demokratike. Shqiptarët kërkojnë nga ne reforma të thella dhe të qëndrueshme që na integrojnë më shpejt me Europën, reforma që u sjellin më shumë vende pune, që u bëjnë jetën e begatë fëmijëve dhe të ardhmes. Ndaj ftesa ime është pikërisht lënia pas e frymës konfliktuale, jemi për të bërë më të mirën, për popullin tonë, na duhet të japim llogari çdo ditë se çfarë ligje duhet të miratojmë për të bërë jetën më të mirë e më të bukur”. Sipas Metës, sfidat që i shtrohen para politikës shqiptare janë shumë dhe duhen përballuar me qëllim fitimin e besimit të popullit. “Ky kuvend do të japë më shumë alternativa dhe më shumë zgjidhje. Papunësia dhe varfëria janë sfida tona të përbashkëta, matësi më i mirë i kontributit tonë është sa vende të reja janë hapur sot dhe sa e kaluan pragun e varfërisë sot, vetëm kështu do vendosim besimi tek populli. Ne duhet të ecim drejt modelit më të mirë ekonomik tek rritja e prodhimit vendas dhe menaxhimit të burimeve njerëzore që nuk na mungojnë. Të vendosim një standard të ri të sjelljes politike ku të debatohet mbi një sjellje të re politike”. Meta ftoi pozitën dhe opozitën të bashkëpunojnë që të faktojnë një politikë të qëndrueshme të vendit. “Uroj për një punë të përbashkët pozitë-opozitë. Ky kuvend do kontribuojë për një politikë të qëndrueshme. Sfidat që janë para janë të mëdha dhe të përbashkëta. Le të reflektojmë dhe ne në këtë kuvend që ta meritojmë plotësisht besimin e atyre që na votuan”. Në përfundim të votimit për zgjedhjen e kryetarit të kuvendit, kreu i komanduar i grupit të PD-së, Edi Paloka theksoi se grupi demokrat kishte marrë vendim për të votuar kundër Metës. “Kush e përcaktoi se janë deputetët tanë. Ju garantoj që nuk është kaq e rëndësishme sa mendoni ju. Opozita jonë do të jetë tjetër gjë, jo problem numrash. Numrat edhe sikur të ishit 8 apo 18 nuk ndryshojnë gjë. Ka qenë vendim i grupit për të votuar kundër. Ju prisni që unë të bëj hetuesin, nuhatësin. As nuk e dëgjova rezultatin sme interesonte, tani po e marr vesh nga ju.”, deklaroi Paloka.