E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sequi: Shqipëria përpjekje në integrimin në BE

Me paraqitjen e letrave kredenciale Presidentit të Republikës, Bamir Topi, z. Ettore Sequi u bë sot formalisht Ambasadori i ri i Bashkimit Evropian dhe Shefi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri.
Sequi u emërua Shef i ri i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri në fillim të shtatorit 2010 nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Çështjet e Sigurisë/Zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Baronesha Catherine Ashton, në kuadër të emërimeve të para për Shërbimin e ri të Jashtëm të Bashkimit Evropian (EEAS), që filloi punë në 1 janar 2011.
Në ceremoninë e prezantimit të letrave kredenciale, Ambasadori Sequi deklaroi: "Ndjehem veçanërisht i privilegjuar që jam emëruar në këtë post të rëndësishëm në një kohë sfidash për Shqipërinë. Liberalizimi i vizave ishte një sukses i vërtetë për shqiptarët, por është e nevojshme të ruhet ritmi në përpjekjet e Shqipërisë për t`u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe veçanërisht të mobilizohen të gjitha energjitë e vendit për të plotësuar në kohën e duhur prioritetet kyçe të përcaktuara në Opinionin e Komisionit Evropian."
Një diplomat karriere, Ambasadori Sequi, 54 vjeç, është italian. Ai e nisi karrierën e tij në Shërbimin e Jashtëm Italian më 1985. Që nga 1988 ai shërbeu si konsull i Italisë në Teheran dhe më pas si Këshilltar në Përfaqësinë e Përhershme të Italisë në Kombet e Bashkuara në Nju Jork dhe Këshilltar në Kabinetin e Ministrit të Jashtëm të Italisë. Kjo është eksperienca e dytë e Ambasadorit Sequi në Shqipëri, sepse nga korriku i vitit 2000 deri në dhjetor të 2004 ai shërbeu si Zëvendës Ambasador i Italisë në Tiranë. Sequi vjen në Shqipëri pas një misioni me shumë sfida në Afganistan, së pari si Ambasador i Italisë në Kabul dhe më pas si i Përfaqësues i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Afganistan dhe Pakistan.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›