E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sequi: Vëmendja e BE, tek tranzicioni i pushteteve. Nishani: Optimist për mazhorancën e re

TIRANË- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi sot një takim Ambasadorin e BE-së në vendin tonë, Ettore Sequi. Në qendër të bisedës me kreut të shtetit dhe ambasadorit të BE-së ishte procesi i tranzicionit të pushteteve dhe vazhdimi i reformave në vend.

Siç bën të ditur zyra e shtypit e Presidencës, Ambasadori Sequi, në fillim të takimit u shpreh se procesi zgjedhor, zhvilluar në Shqipëri ka rritur optimizmin për të ardhmen evropiane të vendit dhe se vëmendja e Brukselit është përqendruar në procesin e tranzicionit të pushteteve, në vazhdimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, vazhdimin e reformave dhe konsolidimin e drejtësisë, demokracisë dhe shtetit ligjor.

“Kryediplomati evropian shtoi se duhen evidentuar arritjet e deritashme dhe se duhet të vazhdojnë përpjekjet që vendi të bindë edhe skeptikët për performancën e tij në përmbushjen e standardeve të nevojshme të integrimit evropian.”-theksohet në njoftim.

Nga ana e tij Presidenti Nishani u shpreh optimist se mazhoranca e re qeverisëse do të vazhdojë me vendosmëri luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, do të përshpejtojë ritmin e reformave.

Kreu i shtetit nënvizoi se do të vazhdojë t`i ofrojë qeverisë së re bashkëpunimin e tij të plotë institucional dhe se është i mendimit që bashkëpunimi dhe bashkëpërgjegjësia respektive e të gjitha institucioneve shtetërore dhe politike mbeten elementë të rëndësishëm në konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor.

Presidenti Nishani, në përgjigje të interesimit të Ambasadorit Sequi, tha se institucionet e ligjit nuk duhet të stepen nga presionet e natyrave të ndryshme, por duhet të zbatojnë ligjin dhe se do të garantojë ruajtjen, forcimin dhe mbrojtjen e institucioneve të pavarura.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Tranzicioni politik, Nishani apel institucioneve: Mos u stepni nga revanshet e mundshme

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›