E Diel, 1 Nëntor 2026

Tranzicioni politik, Nishani apel institucioneve: Mos u stepni nga revanshet e mundshme

TIRANE - Presidenti i Republikës në prag të tranzicionit politik në vend thirri në një takim pune, Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Kryetarin e Gjykatës së Lartë, Nënkryetarin e KLD-së, Prokurorin e Përgjithshëm, Kryetarin e KLSH-së dhe Inspektorin e Përgjithshëm të ILDKP-së. 

Në cilësinë e Kreut të shtetit, z. Nishani ftoi krerët e këtyre institucioneve që të përballojnë me sukses dhe profesionalizëm periudhën e tranzicionit politik të pushtetit dhe të mos stepen apo frikësohen nga ndonjë revansh i mundshëm, gjatë fazës së kalimit të pushtetit, nga një maxhorancë në tjetrën.

“Në momente të tilla, të tranzitimit të pushtetit politik, stabiliteti dhe qartësia profesionale e institucioneve tuaj merr një rol garantues. Do të ishte e dëmshme dhe kundër-produktive, stepja, apo dhe frika ndaj ndonjë revanshi që mund të mendohet. Kjo gjë s’duhet të ndodhë jo vetëm për dinjitetin profesional dhe shtetëror që ju dhe institucionet tuaja përfaqësojnë, por kryesisht për atë rol të madh të garantit ligjor, ekonomik e kontrollues që institucionet tuaja kanë në shërbim të qytetarit dhe demokracisë shqiptare.Pavarësisht legjitimitetit moral apo ligjor, të gjitha kërkesat, deklaratat apo çdo ndërhyrje e jashtme që mund të vijë prej politikës duhet konsideruar vetëm si diçka së cilës i duhet përgjigjur korrektësisht, por jo si pengesë objektive për të kryer detyrat dhe objektivat që i ka vënë vetes secili prej institucioneve tuaja. Askush nuk duhet të ndihet i sulmuar, dhe për më tepër i brishtë apo lehtësisht i goditshëm ”, u shpreh Nishani.

Presidenti i Republikës në fjalën e tij nënvizoi se qeveria dhe kryeministri i ri, pavarësisht se mund të kenë pikëpamjet e tyre, por baza e këtyre institucioneve, sipas tij është e përcaktuar ligjërisht dhe e pavarur institucionalisht.

“"Zgjedhjet prodhuan një maxhorancë të re politike, së cilës i uroj suksese në përmbushjen e detyrave dhe misionit të saj. Prioritetet e kësaj qeverie mund të jenë të ndryshme nga ato të maxhorancës së mëparshme, kësisoj dhe funksionet qeverisëse duhet të jenë të matura. Në shërbim të këtij mandati të kësaj maxhorance të re, vendimarrjet e institucioneve të tilla si: Prokuroria, Gjykata e Larta, Banka e Shqipërisë, KLSH-ja, ILDKP-ja etj, duhet të mos përfshihen nga perceptimi i inercisë së tranferimit të pushtetit", theksoi Presidenti. ”, apeloi Nishani. 

Kreu i shtetit po ashtu bëri thirrje edhe për vazhdimin e reformave nga këto institucione, pavarësisht ndërrimit të maxhorancës.
"Reformat strukturore që janë nisur dhe që janë në vazhdim e sipër, ato që janë të miratuara dhe të bashkërenduara me komunitetin ndërkombëtar, ato që kanë filluar të japin frute në transparencën e sistemit dhe sidomos në rritjen e konkurencës nuk kanë asnjë arsye të ndërpriten e të mbeten në pritje. Ato janë të destinuara të arrijnë objektivat e veta. Kjo do t'i sillte mundësi më të mëdha qeverisë së ardhshme, por dhe do të krijonte një mundësi bashkërendimi të objektivave tona të përbashkëta", nënvizoi Nishani.

(e.m/BalkanWeb) Lidhje te tjera Presidenti Nishani uron Hollande për festën kombëtare të Francës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›