Sequi: Çështja e romëve do reflektohet në progres-raportin që do t’i dorëzojmë Brukselit në tetor
Ambasadori i BE-së tha se problemet e tyre do ndikojnë në statusin e vendit kandidat
Romët e “Rrugës së Kavajës” do të jenë pjesë e progres-raportit që zyra e BE-së në Tiranë do t’i dorëzojë Brukselit në tetor.
Ambasadori Ettore Sequi e tha qartë se fati Europian i Shqipërisë varet edhe nga respektimi i të drejtave të tyre. Deklarata e Sequit erdhi në përfundim të një takimi të organizuar nga Avokati I Popullit Igli Totozani, ku për gati dy orë përfaqësues të organizmave ndërkombëtare dhe shoqata për të drejtat e njeriut, theksuan nevojën e zgjidhjeve afatshkurtra dhe afatgjata për romët. Në takim mungonin institucionet vendimmarrëse, sic shpjegoi Totozani. Një grup prej mbi 30 familjesh rome protestojnë prej ditësh kundër prishjes së ambienteve ku jetojnë, pranë zonës me emër Pallati me Shigjeta në Tiranë. Sipërfaqja në fjalë është dhënë për ndërtim nga pronari i ligjshëm i tokës.
Wilton: Duhet zgjidhje afatgjatë
Avokati i Popullit Igli Totozani ka zhvilluar sot një tryezë në lidhje me situatën e krijuar pas dëbimit të 37 familjeve rome nga barakat e tyre pranë Pallatit me Shigjeta në Tiranë.
Në fjalën e tij, Totozani është se situata e krijuar me familje rome është e rëndë dhe duhet një zgjidhje emergjente. “Fillimisht kanë qenë 67 familje, 30 u larguan, 37 familje kanë mbetur pa mundësi strehimi. Familjet rome po kalojnë momente të vështira, ndërsa dëbimi i tyre nuk është bërë në mënyrën e duhur. Koha nuk pret, duhet zgjidhje”, tha Totozani.
Lidhur me kallëzimet për këtë rast, Totozani është shprehur se i ka kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së shtetit, Hysni Burgaj t’i hetojë. Ndërsa, Kryetari në detyrë i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton ka kërkuar një zgjidhje afatgjate për komunitetin rom. Ai ka theksuar se OSBE-ja është duke ndjekur me vëmendje situatën e krijuar me familjet rome dhe kërkon ndërhyrjen e institucioneve shtetërore për strehimin e tyre. “Shpresoj se mund të përcaktojmë një mënyrë më afatgjatë për trajtimin e këtyre çështjeve dhe rrethanave. Shpresoj që korniza ligjore të jetë e plotë, shpresoj që të jemi të qartë për përgjegjësitë, detyrimet dhe procedurat në trajtimin e këtyre situatave, në të ardhmen, në mënyrë më proaktive e të qëndrueshme, që të mos kemi më këto situata krize fatkeqe. Ne e mbështetëm me kënaqësi Avokatin e Popullit në hartimin e propozimeve që paraqiti më herët. Mendojmë se janë propozime të mira. Do të ishim shumë të kënaqur nëse do të shihnim institucionet shqiptare t’i vinin ato në jetë. Nëse institucionet dëshirojnë ta bëjnë këtë, ne do të japim tërë mbështetjen që mundim për t’i çuar gjërat përpara”- është shprehur ambasadori i OSBE. Në këtë treyezë të rrumbullakët kanë marrë pjesë institucione shtetërore dhe komunitetit ndërkombëtar.