Sequi për reformën zgjedhore: Të përshpejtojmë proçedurat

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama është takuar sot me tre ambasadorët e akredituar në Tiranë. Takimi, i cili zgjati për rreth një orë u zhillua me dyer të mbyllura në selinë rozë, ndërsa në fokus të bisedimeve pati zvarritjen e reformës zgjedhore.Një fakt i tillë është konfirmuar nga vetë ambasadori i Bashkimit Europian, Ettore Sequi, në një deklaratë të tij pas mbarimit të takimit, ndërsa ka theksuar se nevojitet një përshpejtim procedurash për reformën zgjedhore.
“Patëm një takim të mirë, diskutuam për procesin e integrimit. Diskutuam dhe për progresin e bërë me reformën zgjedhore. Ka ardhur koha që të përshpejtojmë procedurat per reformën”-tha ai.
Ndërkohë më herët në një deklaratë për shtyp kreu i PS-së Edi Rama u shpreh i shqetësuar në lidhje me zvarritjen që po i bëhet reformës zgjedhore nga mazhoranca, ndërsa i bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë të mos lejojnë që kjo reformë të dështojë.
Sipas tij kryeministri Berisha nëpërmjet zvarritjes së përfundimit të reformës zgjedhore kërkon të vjedhë zgjedhjet e ardhshme.
“Nesër do të jetë vonë për ta ndaluar përsëritjen e historisë së shkeljes së vullnetit të popullit sovran” ka shtuar më herët Rama.