NATO, flamuri i Shqipërisë në gjysmështizë
Ende pa mbushur tre vite nga anëtarësimi në NATO, Shqipëria ka regjistruar martirin e parë nga pjesëmarrja në operacionet e kësaj aleance.
Feti Vogli humbi jetën në Afganistan tre ditë më parë. Ai ishte pjesë e kontingjentit Eagle 4, që kishte mision paqeruajtës në Kandahar.
Kjo ngjarja e rëndë ka bërë që për herë të parë, flamuri i Shqipërisë në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel të ulet në gjysmështizë.
Dëshmorit të Atdheut Feti Voglit, nesër pritet ti bëhen nderimet e fundit.
* * *
Trupi i Komandantit që humbi jetën 3 ditë më parë në Afganistan, Feti Vogli, pritet që të mbërrijë sot në kryeqytet.
Trupi i pajetë i kapitenit pritet të mbërrijë sot në Tiranë me një avion të NATO-s, ndërsa nuk janë bërë të ditura detaje të tjera të ceremonisë mortore shtetërore.
Ndërkohë, në familjen Vogli në Baldushk të Tiranës, dyert e mortit janë hapur prej 3 ditësh.
Krerët e shtetit dhe ambasadori i SHBA-së në Tiranë kanë shprehur ngushëllimet për humbjen e kapitenit Feti Vogli, të cilit Ministria e Mbrojtjes i dha titulli “Dëshmor i Atdheut” dy ditë më parë. / G.N.