E Diel, 1 Nëntor 2026

Sequi viziton ish të burgosurit, lë grevën një prej tyre

Në ditën e 9 të grevës së urisë, përkeqësimi i situatës shëndetësore ka ndërprerë betejën e njërit prej ish të përndjekurve politikë. Llazi Koçi, ka dalë nga greva mesditën e sotme, për të marrë ndihmë mjekësore në QSUT. Dhe pse në një situatë të tillë, vetë ish- i përndjekuri,Llazi Koçi ka shprehur vendosmërinë për t`iu kthyer sërish grevës deri në përmbushjen e qëllimit të tij.
 

Ndërkaq gjatë paradites 20 grevistët e urisë janë vizituar dhe nga ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, i cili pavarësisht se u ka shprehur mbështetjen ish-burgosurve, është shprehur se greva nuk është zgjidhje për problemin e tyre. Duke diskutuar me grevistët kreu i prezencës së BE-së në Shqipëri ndër të tjera ka deklaruar se ky problem do të gjejë zgjidhje.
 
"Unë jam këtu të dëgjoj me vëmendje të gjitha problemet tuaja.Unë kam lexuar se cfarë ka ndodhur në 50 vitet e komunizmit, ndërsa ju e keni përjetuar. E kuptoj që mund të keni vuajtur dhe për këtë erdha këtu, për të mësuar pse keni hyrë në greve si dhe kërkesat tuaja. Kam besim se ky problem i trashëguar nga e kaluara do gjejë zgjidhje. Kam besim për këtë. Ju shpreheni se do të qëndroni në grevë deri në fund dhe ky është një fakt ekstrem që nuk i jep zgjidhje problemit tuaj"-tha ai.
 

Prej mbrëmjes së 22 shtatorit, grupi i ish-të përndjekurve politikë po qëndron në një ambient të hapur pranë zonës së “Komunës së Parisit. Ata kërkojnë marrjen sa më shpejt të dëmshpërblimit për vitet e burgut, të kryera në kohën e komunizmit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›