E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Sistemi aktual zgjedhor cenon barazinë e çdo vote

TIRANË Lëvizja Socialiste për Integrim mirëpriti paktin PS-PD, duke theksuar

se mbarëvajtja e tij paralajmëron një realitet të ri politik në vend. Por përpos kësaj, Sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama deklaroi dje se reforma zgjedhore duhet të jetë gjithëpërfshirëse. “Gjithëpërfshirja është e rëndësishme sepse një reformë që të jetë e suksesshme nuk mund të jetë monopol i dy apo tri partive. Kjo vjen edhe në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR-it dhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë që sugjerojnë apo që na kanë rekomanduar prej kohësh përfshirjen në tryezën e punës së reformës të aktorëve influentë politikë në vend, të faktorëve të rëndësishëm të votuar prej qytetarëve shqiptarë por edhe të përfaqësuesve të shoqërisë civile, pasi në vend ka disa organizma të tillë që punojnë me zgjedhjet, që merren me zgjedhjet dhe që kanë përvojën për të ofruar kontribute të vyera në të mirë të reformës zgjedhore”, - tha dje Rama. Ndryshe nga dy partitë e mëdha, LSI-ja kërkon edhe ndryshim ose modifikim të sistemit. “...Duke e konsideruar sistemin si një komponent të rëndësishëm të reformës, ne synojmë të mbërrijmë tek një sistem që përkthen realisht çdo votë të qytetarëve shqiptarë në mandate përfaqësimi, sepse sistemi aktual krijon deformime në këtë raport ose diskriminon faktorë të rëndësishëm politikë në vend”, - tha ai, duke shtuar se një deputet i LSI-së është bërë i tillë për shkak të rreth 20 mijë votave të marra, ndërkohë që në Kuvend ka deputetë që bëhen të tillë me 4-5 apo 6-7 mijë vota.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›