Marrëveshje për regjistrimin e fëmijëve të lindur në emigrim
Organizata “Shërbimi Ligjor Falas” nënshkroi dje një marrëveshje me Ministrinë e Jashtme për të shkëmbyer informacion dhe për të përfshirë konsullatat në pajisjen e emigranteve me dokumente për regjistrimin e fëmijëve në gjendjen civile. Drejtuesja e organizatës “Shërbimi Ligjor Falas”, Rajmonda Bozo, thotë se, sipas marrëveshjes së bashkëpunimit me Ministrinë e Jashtme, konsullatat shqiptare do të përfshihen në ndihmën ndaj këtyre familjeve. Zonja Bozo thotë se pengesat më të mëdha në regjistrimin e fëmijëve në Shqipëri i hasin emigrantët e kthyer, që nuk kanë dokumente për fëmijët e lindur jashtë vendit. “Aktualisht ka edhe prindër të paregjistruar, dikur fëmijë emigrantësh, që tani nuk regjistrojnë dot fëmijët e tyre. Ata duhet të kthehen në shtetet ku kanë lindur dhe të kërkojë dokumentet e lindjes, që është një procedurë e kushtueshme në kohë dhe në të ardhura. Marrëveshja e sotme e kthen këtë proces në një detyrë për konsullatat shqiptare, dhe një shërbim që vjen falas edhe nga shteti respektiv”, thotë zonja Bozo. Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, tha se po studiohet mundësia e hapjes së konsullatave të reja në vendet ku ka më shumë emigrantë shqiptarë, si në Kretë të Greqisë.“Kjo marrëveshje është një hap tjetër konkret i rëndësishëm sa u takon shërbimeve që Ministria e Punëve të Jashtme ofron nëpërmjet rrjetit konsullor për qytetarët shqiptarë dhe veçanërisht për një kategori të caktuar, që i kanë lindur fëmijët e tyre jashtë shtetit dhe kanë probleme me dokumentet e tyre të lindjes”, tha zoti Haxhinasto.
Ekspertët thonë se mosregjistrimi në gjendjen civile është një problem që rëndon mbi të drejtat e fëmijëve, sepse kështu fëmijët nuk gëzojnë të drejta as në vendin ku ka janë lindur as në vendin ku jetojnë. Ka ndodhur që një nënë ka 3 fëmijë të paregjistruar, dhe ajo nuk konsiderohet kryefamiljare, duke e bërë të pamundur mbijetesën e familjes së saj, sepse pa një certifikatë dhe pa librezë vaksinimi, ajo nuk merr dot asnjë shërbim mjekësor, asnjë ndihmë sociale dhe nuk paraqitet dot në asnjë çerdhe, kopsht, apo shkollë.