E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sër Fabio: “Bekam, hajde dhe festo 100-shen!”

Rikthehet paqja midis dy armiqve dhe miqve të vjetër njëkohësiht. Pas përjashtimit kundër Zvicrës, trajneri i ri i Anglisë, italiani Fabio Kapelo, thirri për herë të parë Dejvid Bekamin, i cili do të veshë fanellën e “tri luanëve” për herë të 100-të gjatë karrierës së tij të gjatë.
Devid Bekam u përfshi në listën e 30 të thirrurve nga Kapelo për miqësoren kundër Francës, të programuar për datën 26. Fabio Kapelo, pas përjashtimit të ish-lojtarit të Realit të Madridit për ndeshjen miqësore kundër Zvicrës, vendosi ta thërrasë “Spice Boy” pas paraqitjes së tij të shkëlqyer me bluzën e Los Angeles Galaksi.
Bekam ka mundësinë më të mirë për të plotësuar objektivin e tij të madh për të veshur për herë të 100-të fanellën e Anglisë, numër treshifror, që më parë e kanë arritur një numër shumë i kufizuar njerëzish, midis të cilëve Piter Shilton, Bobi Çarlton, Bobi Mur dhe Billi Rajt.
E vetmja enigmë që ka mbetur tani është fakti nëse Kapelo do ta hedhë në fushë nga minuta e parë apo në lojë e sipër ish-kapitenin e përfaqësueses. Ndeshja e fundit e Bekamit me përfaqësuesen angleze është ajo kundër Kroacisë gjatë nëntorit të vitit të kaluar.
Kapelo shpjegoi edhe arsyet e thirrjes së Bekamit: “Kam thënë gjithmonë që e kam pasur në konsideratë Dejvidin dhe Baldini (ndihmësi i tij) e monitori në mënyrë të vazhdueshme dhe mori prej tij një përshtypje të shkëlqyer. Mund të japë shumë për skuadrën tonë dhe kohezionin e grupit”. Kapelo dërgoi numrin dy të tij, Franko Baldinin, në Shtetet e Bashkuara për të parë në aksion Bekamin në ndeshjet miqësore të para sezonit dhe gjithashtu foli edhe me trajnerin e Los Angeles Galaksi, Rud Gulit. “Unë gjithmonë kam thënë se kur Dejvid Bekam do të jetë plotësisht në gjendje, ai do të jetë pjesë e skuadrës. Unë di gjithçka rreth Dejvid Bekamit dhe se çfarë ai mund të ofrojë në skuadër”, - theksoi trajneri i parë italian që drejton Anglinë, atdheun e futbollit.

Shiriti i kapitenit, tani një çështje

Trajneri i ekipit të Liverpulit, Rafael Benitez, insistoi se Stivën Xherard është njeriu i duhur për të udhëhequr Anglinë. Kapiteni i “Anfield Road” mbajti shiritin edhe në miqësoren e fituar me Zvicrën, njëherësh edhe ndeshja e parë e Anglisë nën drejtimin e Fabio Kapelos.
Në fakt, shiriti mund të kthehet në një problem në kombëtaren e “tri luanëve”, pasi Xhon Terri, lojtari që kishte këtë rol në kohën e Stiv Meklarenit, është rithirrur në përfaqësuese për ndeshjen miqësore kundër Francës, që do të luhet të mërkurën e ardhshme në Paris. Kapelo insistoi se deri në ndeshjen e parë zyrtare të kualifikuesve të Kupës së Botës (në shtator 2008) nuk do të emëronte një kapiten fiks.
Benitez tha se lojtari i tij e meriton, pasi ai është një lider edhe te Liverpuli: “Stivën ishte kapiteni i Anglisë edhe në ndeshjen e mëparshme dhe ai shfaqi të gjithë potencialin e tij. Unë nga ana ime jam i habitur pasi është folur që ai nuk do të jetë më kapiteni i Anglisë në ndeshjen tjetër. Nuk më perket mua që të zgjedh. Kapelo është me fat pasi ai ka kandidatët më të mirë për kapiten, por nëse do të më pyesnin mua do t’i thoja se Stiven është njeriu i duhur. Teri dhe Beri janë ndër lojtarët më të mirë dhe kapitenë të mirë për klubet e tyre dhe janë të mirë gjithashtu edhe për Anglinë. Por, unë e shoh çdo ditë Stivenin në ndeshjet e tij si dhe në stërvitje dhe besoj se ai meriton i pari”.

21 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›