Thyhet “veza” e Pangos, fiton ajo e Dukës
Dash Frashëri
Sfida Pango-Duka (MTKRS-FSHF) po i ngjan përplasjes folklorike të dy vezëve. Njëra patjetër do të thyhet. Por, nëse ajo e Dukës është e mbrojtur ndërkombëtarisht (ia vlen të kujtojmë se presidenti i FSHF-së është një nga prodhuesit më të mëdhenj në Shqipëri përmes kompanisë së tij “AIBA), “veza” e Pangos (ministri i dytë i sportit në qeverinë “Berisha”) është lehtësisht e pambrojtur. Për të lënë pas hyrjet metaforike dhe për të dalë te problemi më i mprehtë i topit të “shfryrë” shqiptar, dje u realizua një nga aktet drejt paqes. “Unë uroj që të kemi një zgjidhje pozitive sa më shpejt, ashtu siç e kam dëshiruar gjithmonë”, - tha Duka.
“KOKË MË KOK˔
I kërkuar zyrtarisht nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit, takimi dypalësh Pango-Duka u zhvillua në zyrën e ministrit Pango, duke marrë edhe një sfond privat. Biseda u fokusua tërësisht në lidhje me dy ndëshkimet e FIFA-s dhe UEFA-s, që prodhuan edhe pezullimet e Shqipërisë për shkak të ndërhyrjes së politikës në punët e futbollit.
Një takim kokë më kokë i shumëpritur, por që nuk prodhoi asgjë për momentin. Biseda u zhvillua në mëngjes herët (rreth orës 08:30) në selinë e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, por nëse Duka u shpreh i gatshëm për të folur për mediat, ministri preferoi një “herë tjetër”, për të shmangur edhe hollësitë për median duke mos dashur të prononcohet rreth takimit, por besohet se gjithçka do të zgjidhet në ditët në vazhdim.
ARGUMENTET
Kreu i FSHF-së mori të mërkurën edhe mbështetjen e shefit të FIFA-s, Jozef Blater, dhe me këtë siguri presidenti Duka i ngjiti shkallët deri në katin e tretë, ku ndodhet zyra e Pangos, me një siguri absolute se do të ishte ai fituesi. Bosi i futbollit shqiptar u tregua i hapur për të folur për median duke parë edhe insistimin e tyre. Duka deklaroi për mediat se i kishte paraqitur ministrit argumentet për pezullimin e FSHF-së, por tha se bisedimet nuk kishin sjellë asnjë rezultat. “Jemi në negociata të vazhdueshme dhe shpresojmë se do të kemi takime të tjera për të gjetur ndonjë zgjidhje", - tha i qetë Duka. “Biseduam në përgjithësi për të gjitha problemet. Kemi debatuar (me Pangon) jo kush është e drejtë, jo kështu, po ashtu. Jemi munduar të bindim njëri-tjetrin, por nuk kemi arritur ende në asnjë përfundim. Shpresoj në të ardhmen. Uroj të kemi zgjidhje pozitive e të rikthehemi sa më shpejt në FIFA", - tha Duka, i cili shtoi se brenda një afati të shkurtër kohor do të zhvillohet një takim i dytë.
ASAMBLEJA
Duke shfrytëzuar konferencën për shtyp në lidhje me shpërblimet e sportistëve elitarë të shumësportëshit shqiptar (u shpërndanë rreth 18 milionë lekë), ministri i sporteve Ylli Pango, pas takimit me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, sqaroi se firmosi statutin e FSHF-së vetëm me një ndryshim, ndërsa i bëri thirrje Federatës të mbledhë Asamblenë për ta miratuar atë. Pango sqaroi se kontrolli në institucionin e drejtuar prej Dukës po shkon drejt përfundimit dhe rezultatet do t’i bëhen publike UEFA-s dhe FIFA-s, që e kanë pezulluar tashmë futbollin shqiptar nga aktivitetet ndërkombëtare. Ministri Pango deklaroi se komunikimi me FSHF-në po kryhet konform ligjeve të shtetit shqiptar. Ai theksoi se ministria ka vlerësuar situatën aktuale në FSHF dhe kërkon mbledhjen e Asamblesë së saj për të firmosur ndryshimin e bërë në statut. “Ministria kontrolloi vetëm fondet e akorduara nga shteti. Auditi në FSHF po përfundon dhe rezultatet do t’i bëhen të ditura UEFA-s”, - tha Pango.
21 klube kërkojnë rrëzimin e Dukës
Numri i klubeve që kërkojnë midis të tjerash edhe shkarkimin e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, shkoi në 21. Lajmi është bërë publik çuditërisht nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve. Drejtuesit e lartë të tetë klubeve të Superligës, Partizanit, Besës, Vllaznisë, Elbasanit, Tiranës, Shkumbinit, Kastriotit e Skënderbeut, i janë shtuar edhe katër skuadra të Kategorisë së Parë: ADA, Dajti, Tepelena, Bylis, por edhe të Kategorisë së Dytë: Butrinti, Memaliaj, Minatori, Korabi, Këlcyra, Përmeti, Delvina, Përparimi, Veleçiku, etj.
Klubet kërkojnë thirrjen e Asamblesë së Jashtëzakonshme të Federatës Shqiptare të Futbollit, që do të sillte automatikisht edhe votëbesimin e presidentit aktual, Armand Duka. Ndërkohë, media ka bërë të ditur edhe tre emra kandidatësh për postin më të lartë në qeverinë e futbollit shqiptar. Ish-trajneri i Kombëtares së Futbollit, Shyqyri Rreli, ish-kryeministri Aleksandër Meksi dhe zëvendëspresidenti aktual i FSHF-së, Lutfi Nuri, janë dhe emrat e mundshëm të klubeve “rebele”. Jo më larg se dita e mërkurë, presidenti i FIFA-s, Jozef Blater, në një letër dërguar FSHF-së dhe kreut të saj Duka, i konsideroi të paligjshme dhe të papranueshme kërkesat e gjashtë klubeve.
Vetëm një javë pas vendimit të rreptë të FIFA-s për pezullimin e Shqipërisë, erdhi edhe “copy-paste” i Komitetit Ekzekutiv të bijës së saj europiane, UEFA-s. Qeveria e futbollit europian bëri të ditur, përmes një komunikate zyrtare të publikuar në faqen e saj, se ajo është plotësisht në përputhje e në mbështetje të vendimit të FIFA-s për një pezullim pa afat të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Katër kërkesat e klubeve
1) I kërkojmë Federatës Shqiptare të Futbollit dhe presidentit të saj që brenda një afati kohor prej 5 ditësh, deri më datën 21.03.2008, të zgjidhë problemet me MTKRS-së.
2) Në rast të moszgjidhjes së këtij konflikti brenda datës 21.03.2008, ne jemi të vendosur të bojkotojmë kampionatin.
3) Në rast të moszgjidhjes së këtij konflikti brenda datës 21.03.2008, ne kërkojmë dorëheqjen e presidentit të Federatës.
4) Nëpërmjet MTKRS-së, kërkojmë përkrahjen e shtetit për më shumë mbështetje për futbollin në Shqipëri për të qenë në një hap me reformat që ka ndërmarrë qeveria në fushat e tjera të ekonomisë, për t'u konkluduar me privatizimin e klubeve.
Bogdani: “Mëkat që nuk fituam!”
Erion Bogdani i dhuroi një pikë të çmuar Livornos në barazimin në shtëpi me Rexhinën (1-1), duke realizuar kështu edhe golin e dytë sezonal të tij, pas atij të shënuar kundër Juventusit. Bogdani realizoi me kokë në minutën e 61-të dhe trajneri i Livornos, Xhankarlo Kamoleze, u shpreh i kënaqur me lojën e lojtarit të tretë më të paguar te Livorno (750 mijë euro paga vjetore).
“Shpresoj se goli i Erionit do të jetë i rëndësishëm edhe për t’u zhbllokuar”, - tha trajneri Kamoleze. Por dhe sulmuesi shqiptar shprehet entuziast. “E kërkuam fitoren deri në fund të ndeshjes. Është më të vërtetë një mëkat që nuk ia arritëm. Jam i lumtur për golin, por do të isha akoma më i lumtur nëse do të fitonim”. Ky ishte goli i 21-të i sulmuesit të Kombëtares kuqezezë në Serinë A, një rekord ky për një futbollist shqiptar në një nga kampionatet më të vështirë në botë. Livorno bëri një paraqitje të bukur kolektive, por nuk arriti të marrë tri pikët.
Erion Bogdani nuk do të luajë në ndeshjen e ardhshme kundër Udinezes, pasi shqiptari është pezullur me një javë për shkak të plotësimit të kartonëve të verdhë. Ndeshja e fundit midis dy ekipeve përfundoi 4-0 për Udinezen.
Goli i parë i Behramit
Në javën e 29-të të Serisë A te goli shkoi edhe kosovari me pasaportë zvicerane, Valon Behrami, i cili vendosi edhe fatin e derbit roman Lacio-Roma 3-2, kur mbrojtësi realizoi në minutën e 92-të. Faqet sportive zvicerane i bënë jehonë të madhe golit të Behramit. “Ky ishte goli i parë sezonal i kosovarit, të cilin trajneri Delio Rosi e vendos nga minuta e parë në krahun e djathtë të mesfushës. Ndërkombëtari zviceran me golin e tij i dha atmosferë derbit midis dy rivalëve të përjetshëm”, - shkruan faqja zvicerane nzz.ch.
Skela: “Dua të shënoj gola të tjerë në Bundesligë”
Fantazisti i Energi Kotbus, Ervin Skela, ishte krijuesi i një goli në fitoren historike kundër Bajernit të Munihut (2-0). “Do të shkoj në dyqanin e fansave të skuadrës dhe të çoj bluzën time atje”, - thotë me të qeshur Skela. “Ishte thjesht një shaka”, - thotë ndërkombëtari shqiptar për median gjermane. “Ne duhet ta çojmw fitoren në vazhdimësi dhe duhet të jemi të përqendruar”, - thotë 31-vjeçari, i cili dje luajti kundër ish-skuadrës së tij, Eintrahtit të Frankfurtit. Skela ka pasur shkëlqimin e tij në Gjermani pikërisht me këtë skuadër, për të cilën militoi midis viteve 2001 dhe 2004. “Unë dua të shënoj sa më shumë gola të tjerë në Bundesligë dhe shpresoj ta arrij këtë”. Skela ka luajtur në Gjermani me fanellat e Eintrahtit të Frankfurtit, Arminia Bielefeld, Kaiserslauternit dhe tani me Energi Kotbus. Skela, i cili zotëron edhe pasaportë italane, ka luajtur në Serinë A për pak muaj me Askolin.
Malindi, spektator në fitore
Slavia e Sofjes, skuadra e re e ish-sulmuesit të Partizanit, Enco Malindi, fitoi 2-1 sfidën me Marek Dupnitsa. Miqtë kaluan në avantazh me anë të Ez Zahid Nuredint (9’), ndërsa për vendasit barazoi Nikolaj Petrov me penallti (41’). Simonoviç në fund të takimit firmosi edhe fitoren 2-1 për Slavian. Malindi e ndoqi ndeshjen nga tribuna, kjo dhe për shkak se kishte vetëm 24 orë në tokën bullgare. Të mërkurën, talenti më i ri shqiptar, mbrojtësi 19-vjeçar Klodian Semina, luajti 90 minuta të plota në humbjen 1-2 të Belasicës në Petrich me Liteksin, edhe pse vendasit shënuan të parët, vetëm 3 minuta nga fillimi i takimit: Kavranov (3’). Juras barazoi në minutën e 48-të dhe Niflor vulosi shifrat 1-2 në të 79’. Sipas faqes bullgare donabalon.eu, Semina ka bërë një lojë të kujdesshme dhe të pëlqyeshme nga trajneri Aljosha Andonov. Kjo ishte edhe ndeshja e dytë e ish-lojtarit të Vllaznisë me fanellën e kuqe të Belasicës.
Kapllanin e “ha një kangur”
Sulmuesi shqiptar Edmond Kapllani, i cili shënoi për Karlsruhen 17 gola kur ajo ndodhej në Bundesliga 2, ende nuk e ka shënuar golin e nderit në kampionatin maksimal gjerman edhe pse janë zhvilluar jo pak, por 24 javë. Faqja e njohur sportive gjermane sportal.de në një speciale të saj kushtuar lojtarëve që kanë bërë një debutim të suksesshëm dhe atyre që kanë zhgënjyer, e ka renditur Kapllanin në listën e këtyre të fundit. “Xhoshua Kenedi (australian) u përshtat shpejt dhe ka bërë një paraqitje të mirë duke shënuar katër herë dhe duke zhvendosur shqiptarin nga formacioni”, - shkruan sportal.de.
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 24
22 MARS 2008
Besëlidhja – Dinamo
B.Pashaj, E.Miho, M.Dervishi
Teuta – Partizani
K.Meta, B.Mesi, A.Lamçe
Kastrioti – Vllaznia
N.Abeshi, F.Elezi, A.Pregja
Flamurtari – Besa
L.Jemini, Ë.Pjetrushi, D.Salaj
Shkumbini – Tirana
Sh.Guçe, S.Zeka, L.Mustafaraj
Elbasani – Skënderbeu
T.Latifi, D.Koreshi, R.Zhuli
Kategoria e Parë
Java 23
Laçi – Sopoti
A.Kastrati, R.Avdo, E.Jorgji
Erzeni - Gramshi
A.Taullau, A.Bejtja, E.Biçaku
Lushnja – Skrapari
E.Dobi, E.Dera, G.Qirici
Dajti – Apolonia
M.Sopjani, A.Mali, E.Doda
Pogradeci – Naftëtari
B.Breshani, S.Avdo, D.Rexha
Turbina – Luftëtari
P.Lapi, E.Kello, F.Lama
21 Mars 2008