Presidenti Bush autorizon dërgimin e armëve në Kosovë
Thaçi: “Kosova do të kontribuojë në marrëdhëniet me SHBA-të” . Koshtunica: “Në Kosovë jo armë të reja, por bisedime të reja”
Presidenti amerikan Xhorxh Bush ka autorizuar furnizimin e Kosovës me armë, një hap i rëndësishëm në marrëdhëniet me shtetin e ri. Në një dokument dërguar sekretares së Shtetit, Kondoliza Rajs, presidenti Bush është shprehur se ka arritur në përfundimin se furnizimi i Kosovës me armë do të forcojë sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe do të nxisë paqen në botë. Presidenti amerikan ka udhëzuar sekretaren e Shtetit që t’ia transmetojë këtë vendim Kongresit, por nuk ka dhënë hollësi të tjera. Ndërkohë, hapi i presidentit amerikan Bush për autorizimin e furnizimit të Kosovës me armatim është mirëpritur nga institucionet kosovare ndërsa analistët pohojnë se SHBA-të e shohin Kosovën si faktor stabiliteti në rajon. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mirëpritur këtë ndihmë dhe ka premtuar se Kosova do të kontribuojë në raportet e shkëlqyeshme që ka me Uashingtonin.
“Raportet e Prishtinës me Uashingtonin janë specifike, speciale, të shkëlqyeshme dhe natyrisht prania e KFOR-it amerikan dhe e të gjitha trupave të NATO-s është e mirëseardhur, e respektuar dhe më e përkrahur nga qytetarët në botë”, - tha Thaçi. Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se hapi i presidentit Bush do t’i forcojë raportet e sigurisë së Shteteve të Bashkuara me Kosovën, do të promovojë sigurinë dhe stabilitetin në të gjithë Ballkanin dhe do të përmirësojë kapacitetin e Kosovës për të marrë pjesë në aktivitete paqeruajtëse. Analisti politik kosovar, Ramush Tahiri, është shprehur se ky vendim lë të kuptohet se megjithëse Kosova është e vogël, ajo paraqet një partner strategjik të SHBA-ve.
“Kosova, megjithëse është e vogël, konsiderohet partner strategjik i SHBA-ve dhe faktor i rëndësishëm në promovimin e paqes dhe në infrastrukturën apo arkitekturën e sigurisë ndërkombëtare. Llogaritet që Kosova do të ndihmojë në luftën kundër terrorizmit dhe do të jetë faktor paqeje në rajon”, - tha Tahiri. Ky lajm nuk është pritur pozitivisht nga autoritetet serbe. Kryeministri në largim i Serbisë, Vojisllav Koshtunica, e ka kritikuar hapin e Shteteve të Bashkuara për të armatosur Kosovën, duke thënë se ky është një hap i gabuar, i cili mund të destabilizojë Ballkanin. “Në Kosovë tashmë ka tepër armatim dhe në vend të armatimit shtesë të shqiptarëve do të ishte më mirë që Amerika t’i kthehet respektimit të Kartës së Kombeve të Bashkuara”, - tha Koshtunica. “Në Kosovë nuk nevojiten armë të reja, por bisedime të reja”, - tha ai. Ndërsa ambasadori i Rusisë në NATO, Dimitrij Rogozin, u shpreh se ndihma ushtarake amerikane për Kosovën synon të armatosë ish-terroristët dhe paralajmëroi se ky hap mund të çojë drejt përplasjeve të reja terroriste në Ballkan. “T’u japësh armë ish-terroristëve për luftën kundër terrorizmit, të paktën duket zbavitëse, në mos më keq”, - është shprehur Rogozin.
Bullgaria njeh Kosovën, Serbia tërheq ambasadorët
Bullgaria i shtohet vendeve që njohën Kosovën. Qeveria bullgare ka bërë të ditur se së shpejti do të vendosen marrëdhëniet diplomatike dhe do të hapet ambasada bullgare në Prishtinë. Ministri i Jashtëm bullgar, Ivaylo Kalfin ,u shpreh se me qëllim që të ruhet stabiliteti në rajon duhet që si nga Kosova ashtu edhe bashkësia europiane të marrin seriozisht parasysh tre faktorë. “Ka tre faktorë rreziku që duhen marrë parasysh. Së pari, qeveria në Kosovë duhet të tregojë angazhim për përmbushjen e planit “Ahtisari”. Së dyti, ne presim nga Serbia të bëjë një politikë proeuropiane dhe të përqendrohet në përgatitjet për anëtarësim. E treta, bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë të qartë e në mënyrë të vendosur gatishmërinë e saj për respektimin e parimeve, pra zbatimin e planit “Ahtisari”. Serbia ka njoftuar tërheqjen e ambasadorëve të saj nga Bullgaria, Kroacia e Hungaria, vende këto që e njohën pavarësinë e Kosovës.
Kacin: “Zvarritja e statusit të Kosovës, mundim për serbët”
Raportuesi i Parlamentit Europian për Serbinë, Jelko Kalcin, ka deklaruar se shtyrja e njohjes së Kosovës është mundim i panevojshëm i Serbisë dhe serbëve. Kalcin është shprehur se në këtë moment Kosova ka nevojë për status dhe për njohjen e këtij statusi mirëpo edhe për ndihmën dhe drejtimin nga BE-ja.
“Zvarritja e njohjes së Kosovës është në fakt një mundim i panevojshëm për Serbinë dhe serbët. Të gjithë serbët e kanë ditur se kjo gjë do të ndodhë dhe nëse shkakton dhembje, atëherë le të ndodhë sa më parë dhe jo në faza”, - ka thënë ai. Kacin ka komentuar se politikanët, për të mbijetuar politikisht, shpesh ikin në të kaluarën në mitologji dhe për këtë i bëjnë shantazh bashkësisë ndërkombëtare e sidomos BE-së.
Fejt: “Detyra e EULEX-it në Kosovë këshillimi, jo administrimi”
Detyra kryesore e Misionit të BE-së në Kosovë EULEX është këshillimi dhe jo administrimi. Kjo ka qenë deklarata e përfaqësuesit të BE-së në Kosovë Piter Feit gjatë një debati me përfaqësuesit e shoqërisë civile të organizuar nga Universiteti i Prishtinës. Ai ka bërë thirrje që të hiqet dorë nga përdorimi i dhunës dhe problemet të zgjidhen përmes dialogut. Fejt tha se detyra kryesore e Misionit të BE-së është që të mbikëqyrë zbatimin e planit të Ahtisarit gjatë dy viteve të ardhshme, duke shpresuar se atëherë do të përfundojë mandati i misionit të tij. Përfaqësuesi i lartë është shprehur se ngjarjet në Mitrovicë po përcillen me vëmendje nga Misioni Europian meqenëse dhuna është drejtuar për nga forcat ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë.
21 Mars 2008