E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trezege: “Në Milano për të fituar”

Pas barazimit me Empolin, bardhezinjtë përgatiten për transfertën e “San Siros” kundër Interit. “Nëse do të firmosja për një barazim? Jo, në Milano ne shkojmë për të fituar, - pohoi David Trezege. “Duhet të bëjmë lojën tonë dhe, për respekt të tifozëve, do të kërkojmë të bëjmë një goditje të bukur në ‘Meaca’. Do të ishte e bukur të rihapnim luftën për titull dhe, pastaj, të fitosh kundër Interit pas ‘kalçopolit’ do të kishte një shije të veçantë. Pas gjithë këtyre që ndodhën do të preferoja që titullin ta fitonte Roma”. Francezi shton: “Objektiv vendi i dytë? Në këto momente shohim ata që kemi prapa”.
MORATI
Interi fitoi edhe një pikë në raport me ndjekësen e tij më të afërt, Romën, e tani fluturon në +7. Vitin e kaluar diferenca midis dy ekipeve pas javës së 29-të ishte dyfishi: 15. Java e 29-të solli edhe një shifër të bukur për kapitenin zikaltër Havier Zanetin: 417 ndeshje në Serinë A, po aq sa legjenda Sandro Macolam, duke qenë njëherësh edhe lojtari i tretë me shumë ndeshje me Interin. Padroni Masimo Morati pas barazimit në Xhenoa dhe humbjes së Romës me Lacion në derbin kryeqytetas komentoi edhe ndëshkimin e lojtarit të tij, Pele: “Ishte shumë i ashpër. Arbitri mund të bëjë ç’të dojë dhe të mendojë se ka të drejtë, por pozicioni im qëndron ky. Skuadra? Rezistoi shumë mirë edhe pse në një situatë të vështirë. Ishte normale që të pësoje gol.
STATISTIKA
Inter-Juventus është dhe ndeshja kyçe dhe më e pritura e javës së 30-të të Serisë A, takim që do të luhet të shtunën në “San Siro”.
Takimi i fundit në Torino përfundoi 1-1: Kruz për Interin dhe
Kamoranezi për Juventusin. Sfida do të jetë intriguese edhe për dy nga golashënuesit më të mirë të kampionatit italian: Ibrahimoviç (15 gola) për zikaltërit dhe Trezege (16 gola) për bardhezinjtë. Në “San Siro” janë zhvilluar 74 takime: 32 fitore për Interin, 18 fitore për Juventusin dhe 24 barazime. Për të kujtuar është se takimi i fundit, ai i sezonit 2005-2006, përfundoi 1-2 për Juventusin. Në gjirin e dy skuadrave ka tre lojtarë aktualë që kanë veshur fanellën e Interit dhe Juventusit;
Ibrahimovic dhe Vieira (të aktualisht te Interi) dhe Kristiano Zaneti (aktualisht te Juventusi).

Kaka, 10 ditë “argëtim”

Problemet e Milanit nuk kanë të sosur. Kaka do të qëndrojë 10 ditë larg fushave pas dëmtimit të tij në këmbën e djathtë. Superylli brazilian u detyrua të largohej pas nëntë minutash në humbjen 2-1 të Milanit me Sampdorian. 25-vjeçari do të mungojë në ndeshjen kundër Torinos, por mund të mos jetë i gatshëm edhe për takimin kundër Atalantës. Kaka ka bërë një sezon të varfër shumë larg të qenit nga futbollisti që fitoi “Topin e artë” dhe që udhëhoqi Milanin në fitimin e Ligës së Kampioneve të vitit të kaluar.

Rudi humb “El clasico”-n

Një humbje e madhe për trajnerin gjerman Bernd Shuster. Sulmuesi holandez i Realit të Madridit, Rud van Nistelrooy, do të mungojë për rreth gjashtë javë pas ndërhyrjes kirurgjikale në kaviljen e djathtë. Lajmi u konfirmua nga “shtëpia e bardhë” e futbollit.
Ish-sulmuesi i Mançeter Junaitid midis të tjerash do të humbasë edhe “El clasico”-n e Spanjës, takimin Real Madrid-Barcelona, që do të luhet në Madrid më 7 maj, ku do të vendoset edhe fati i kampionatit spanjoll.

21 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›