E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbët ‘duhet të votojnë‘

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës Qendrore, i kanë bërë thirrje Beogradit zyrtar që të mos e pengojë pjesëmarrjen e qytetarëve serbë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit në Kosovë.

Në një debat për BBC-në, njëra nga përfaqësueset e Këshillit Kombëtar Serb, Rada Trajkoviq, tha se serbët e Kosovës duhet të provojnë që të organizojnë jetën e tyre në Kosovë.

"Serbët duhet që patjetër të marrin pjesë në zgjedhje, sepse mendoj se kjo është mënyra që ti ruajmë ata," tha ajo.

"Unë nuk mund të garantoj se institucionet në Prishtinë do të punojnë në mbrojtjen e serbëve në Kosovë, por ne duhet të bëjmë çdo gjë që të provojmë e të organizojmë jetën tonë në një mënyrë që do të mundësonte që populli të qëndronte", tha Trajkoviq.

Ajo shtoi se rasti më i mirë për serbët do të jetë marrja e përgjegjësive në komunat e reja me shumicë serbe, që pritet të krijohen menjëherë pas zgjedhjeve lokale.

Thirrja e Beogradit

Trajkoviq i bëri thirrje Beogradit zyrtar që të mos kërcënojë qytetarët serbë me sanksionim nëse marrin pjesë në zgjedhje.

Por Sekretari i Shtetit në Ministrinë për Kosovën, Oliver Ivanoviq, tha se vendimi që Serbia nuk mbështet zgjedhjet në Kosovë nënkupton një urdhër.

"Porosia e Serbisë është shumë e qartë, nuk ka si të jetë më e qartë. Ajo nënkupton mos dilni në zgjedhje," tha ai.

"Serbia ka arsye të forta që e thotë këtë. Serbia tani ka institucionet e saj vetëqeverisëse lokale në Kosovë. Se sa janë ato efikase ne mund të flasim tërë ditën, por unë ju them se Serbia nuk do të heqë dorë nga ato institucione," tha Ivanoviq.

"Nuk mund ta sanksionojmë dikë vetëm pse vullneti i tij nuk përputhet me konceptin e shtetit, por vendimi që Serbia nuk mbështet zgjedhjet këtu nënkupton urdhër", shtoi ai.

Pjesëmarrje 'më e madhe'

Nga 74 subjekte politike që janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale, 20 i takojnë pakicës serbe.

Autoritetet në Beograd thonë se pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet lokale të Kosovës do të jetë e vogël.

Ndërkohë përfaqësuesit politikë të serbëve në Kosovën Qendrore kanë shfaqur bindjen për një pjesëmarrje më të madhe të serbëve në krahasim me zgjedhjet e tjera.

Zgjedhjet lokale në Kosovë nuk do të organizohen në veriun e Kosovës dhe në Partesh, në lindje të vendit, për shkak se siç thuhet nuk janë pjekur kushtet.

Autoritetet në Kosovë u kanë bërë thirrje qytetarëve serbë të bëhen pjesë e procesit zgjedhor dhe të inkuadrohen në institucionet e vendit. /BBC/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›