E Diel, 1 Nëntor 2026

Komuna kërkon heqjen e reklamave për të kryer fasadimin

Inspektorati komunal i Prishtinës u ka kërkuar pronarëve të lokaleve afariste në ndërtesat kolektive në rrugët Garibaldi, George W. Bush dhe Bulevardi i Dëshmorëve të Kombit, që brenda një afati sa më të shkurtër ti largojnë reklamat dhe mbishkrimet nga lokalet, për të mundësuar fasadimin e ndërtesave.

Në kuadër të projektit për fasadim, zyrtarë të komunës së Prishtinës theksuan se gjatë kësaj jave do të bëhet edhe lirimi i disa hapësirave publike në lagje të ndryshme të qytetit, por edhe disa rrënime të shtojcave nëpër ndërtesa.

Nëse nuk largohen në afat sa më të shkurtër kohor reklamat dhe mbishkrimet nga ana e shfrytëzuesve, inspektorati komunal do të ndërmarrë masa që ti largojë ato, për të mos penguar realizimin e projektit, ka thënë zëdhënësi i komunës Muhamet Gashi.

Sipas tij, inspektorati komunal është duke i shpërndarë edhe disa aktvendime për largimin, rrënimin e disa shtojcave, anekseve, tarracave dhe një lokali afaristë, që janë ndërtuar në sipërfaqe publike në javët e fundit, në lagje të ndryshme të qytetit.

Largimi i këtyre ndërtimeve dhe lirimi i sipërfaqeve publike do të bëhet në fund të kësaj jave, bëri të ditur Gashi.

Ndryshe, Komuna e Prishtinës pas fasadimit të ndërtesave në qendër të kryeqytetit, këtë muaj ka nisur fasadimin edhe të ndërtesave nga rrugët kryesore në lagjen Ulpiana, Dardania dhe disa rrugë më të qarkullueshme. /Kosovapress/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›