E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoxhaj, ftesë botës arabe për njohje të Kosovës

Nga Express më 01 tetor 2011 në ora 16:42

Ministri i Punëve të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj në një intervistë për gazetën Egjiptiane, “En-Nour” ka thënë se Egjipti pas revolucionit është shtet i ri dhe duhet të ndjekë politika të reja karshi njohjen së Kosovës.

“Ne vihemi në pozitë të vështirë kur pyetemi se pse shtetet arabe e islamike nuk ju njohin, veçanërisht kur një pjesë shumë e madhe e shteteve nga i gjithë globi deri tani kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ajo për të cilën ndjej keqardhje është fakti se shumica e shteteve islamike e arabe nuk e kanë njohur akoma shtetin e Kosovës me popullatë shumicë myslimane. Për këtë, isha në Kajro, si mik, për të kërkuar njohjen nga Egjipti, si lidere e Botës Arabe e Islame, veçanërisht për shkak të lidhjeve historike e kulturore midis dy vendeve tona. Të gjithë e dinë se Mehmet Ali Pasha, themelues i Egjiptit modern, ka qenë shqiptar dhe ndajmë identitetin, kulturën e qytetërimin e njëjtë. Ne ndajmë aspiratat e përbashkëta për liri, demokraci e prosperitet, si dhe marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy popujve”, ka thënë Hoxhaj.

I pyetur për revolucionin në Egjipt, ministri Hoxhaj ka theksuar se populli i Kosovës ka simpatizuar dhe ka mbështetur Revolucionin Egjiptian që nga momenti i parë dhe i dëshiron popullit egjiptian stabilitet, zhvillim dhe prosperitet.

“Mendoj se Revolucioni ka qenë i pashmangshëm, dhe ky revolucion ka qenë i rëndësishëm për gjithë Botën Arabe. Jam i bindur se Egjipti do të ketë të ardhme të ndritur pas Revolucionit dhe Kosova e mbështet Egjiptin e popullin e saj, i cili ka luftuar njësoj si populli im për liri”, ka shtuar ai.

Ministri Hoxhaj ka folur edhe për vizitën që i ka bërë sheshit “Sheshin Tahrir”, i cili sipas tij është bërë simbol i lirisë, krenarisë, dinjitetit dhe prosperitetit, jo vetëm të Egjiptit, por për të gjitha shtete arabe e islamike.

“Gjatë vizitës në “Sheshin Tahrir” kam ndjerë luftën e popullit egjiptian për liri, ashtu siç ka luftuar populli kosovar për 20 vjet për arritjen e pavarësisë e lirisë së tij, si dhe luftën paqësore për liri e sovranitet. Kjo luftë për liri ka frymëzuar popullin e Kosovës, ashtu siç ka frymëzuar gjithë botën për vendosmërinë dhe mënyrën paqësore e kulturore të protestimit për të realizuar të drejtat dhe liritë”, ka theksuar Hoxhaj.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›