Hyseni: Është bërë mjaft për njohjet
Në vitin që po lëmë pas, Kosova është njohur vetëm nga tetë shtete të botës. Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, ka deklaruar se institucionet e vendit kanë shfrytëzuar të gjithë mekanizmat për të siguruar njohje.
“Mirëpo, përshtypja ime është se çështja e njohjeve po interpretohet në mënyrë shumë të thjeshtësuar, ndërkohë që është një problem shumë kompleks. Unë ju siguroj që të paktën nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme - për aq kohë sa ajo është udhëhequr nga unë - është bërë çdo gjë që ka qenë e mundshme, që të sillen njohjet. Në këtë kuadër, njohjet kanë ardhur për aq sa kanë ardhur”, ka deklaruar Hyseni për Radion Europa e Lirë.
Diplomacia kosovare vazhdimisht ka qenë në thumb të kritikave nga ana e shoqërisë civile, por ish-ministri Hyseni edhe sot i hedh poshtë këto vërejtje, duke thënë se vonesa e njohjeve ndodh për shkak të interesave të shteteve veç e veç.
“Kosova nuk ka mundur të bëjë asgjë më shumë. Njohjet nuk mungojnë si pasojë e mungesës së aktiviteteve dhe punës së institucioneve të Kosovës - absolutisht jo. Njohjet mungojnë për arsye të tjera”, ka thënë Hyseni.