Serbët e veriut kundërshtojnë presidentin Tadiç
Të dielën në mbrëmje presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, takoi liderët e serbëve të veriut të Kosovës, për të diskutuar çështjen e barrikadave rrugore në atë pjesë të vendit.
Mediat bëjnë të ditur se Tadiç u ka kërkuar serbëve të mundësojnë lirinë e lëvizjes për ushtarët e KFOR-it, si dhe për pjesëtarët e EULEX-it në atë pjesë.
Kësaj kërkese thuhet se i janë përgjigjur negativisht liderët serbë të veriut të Mitrovicës.
Njëri nga përfaqësuesit e serbëve te veriut, Sllavisha Ristiç, ka thënë se zgjidhja nuk është afër.
Fatkeqësisht, asgjë domethënëse nuk ka ndodhur. Nuk mund të themi as pas takimit se jemi më afër zgjidhjes në kuptimin e vazhdimit të bisedimeve për heqjen e barrikadave. Nuk jemi më afër zgjidhjes. Sa i përket kërkesës së presidentit Tadiç, që të mundësohet liria e lëvizjes edhe për EULEX-in, ne gjithsesi se do të bisedojmë për këtë temë, ashtu sikur edhe mendojmë se gjithnjë duhet të bisedohet.
Por pa garanci të qarta se EULEX-i nuk do të instalojë doganierët kosovarë dhe nuk do të sillet në terren në atë mënyrë, që të zbatojë Planin e Ahtisarit, mendoj se nuk do të vijmë lehtë te zgjidhja për lëvizjen e lirë për EULEX-in, ka thënë Ristiç.
Barrikadat rrugore në veri ishin vendosur që pas aksionit policor të Prishtinës zyrtare për rimarrjen e kontrollit në dy pikat kufitare në atë pjesë të vendit.
Më 22 tetor, KFOR-i tentoi të largojë barrikdat, por ndërpreu aksionin pas kundërshtimeve të ashpra të banorëve serbët.