Takimi i Tadiçit me serbët e veriut, pa rezultat. Barrikadat nuk hiqen
Barrikadat do të vijojnë të mbeten në veri. Takimi i përfaqësuesve të komunave paralele të veriut të Kosovës me presidentin e Serbisë, Boris Tadiç, mbrëmjen e së dielës nuk ka nxjerrë përfundime që ato të hiqen.
Slavisha Ristiç, i ashtuquajturi kryetar i Komunës së Zubin- Potokut, pas takimit prej katër orësh e gjysmë me të parin e shtetit serb, ka thënë se asgjë e rëndësishme nuk ka ndryshuar pas bisedave me Tadiçin dhe se barrikadat mbesin.
Nuk mund të themi se pas takimit të sotëm jemi shumë afër zgjidhjes, ka thënë ai.
Ristiç ka treguar se Tadiçi ka insistuar që tu mundësohet EULEX-it dhe KFOR-it kalimi në veri, me kusht që të mos i transportojë doganierët kosovarë, porse kusht i përfaqësuesve të katër komunave paralele të veriut të Kosovës ka qenë që EULEX-i të mos i instalojë doganierët, të mos vendosë institucione të tjera në veri të Kosovës dhe të mos veprojë në pajtim me planin e Marti Ahtisaarit. “Tadiçi ka kërkuar nga ne që tu mundësohet lëvizja EULEX-it dhe KFOR-it, por për ne është e papranueshme që EULEX-i të transportojë doganierët kosovarë dhe të zbatojë Planin e Ahtisarrit. Për këtë kërkesë të Tadiçit duhet ta pyesim popullin, ka thënë ai.
Në një kumtesë të zyrës për media të kryetarit të Serbisë, të lëshuar pas takimit, është thënë se Tadiçi u ka thënë përfaqësuesve serbë të veriut se furnizimi i KFOR-it dhe lëvizja e KFOR-it është një detyrim në bazë të marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës, e që shteti ynë e ka pranuar, por edhe Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara. Lëvizja e EULEX-it është mundësuar në bazë të planit të gjashtë pikave të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, e që e ka miratuar Këshilli i Sigurimit.
Tadiçi e ka përsëritur qëndrimin e Serbisë që sa më parë të rifillojë dialogu Beograd-Prishtinë, nën ombrellën e BE-së, sepse, sipas tij, ai është i domosdoshëm për funksionimin e jetës në Kosovë. Ai ka përsëritur se në kuadër të dialogut është arritur marrëveshja për vulat doganore, porse nuk ka qenë fjala për regjimin e funksionimit të vendkalimeve Bërnjak dhe Jarinjë, thuhet në kumtesën për media të kryetarit të Serbisë.
Në takim kanë marrë pjesë pos Ristiçit edhe kryetarët e tjerë të komunave të veriut të Kosovës që janë nën kontrollin e Serbisë, të Mitrovicës, Leposaviqit, dhe Zveçanit, Kërstimir Pantiç, Branko Niniç dhe Dragisha Miloviç, po ashtu edhe Radenko Nedeljkoviç, shef i rrethit të Mitrovicës. Në takim përveç presidentit kanë marrë pjesë edhe Borislav Stefanoviç, shef i grupit negociator dhe ministri për Kosovën, Goran Bogdanoviç.
Idetë e presidentit serb për zgjidhjen e problemit qenë bërë të ditura më herët përmes një letre. Ai në një njoftim të dërguar për media ka vlerësuar se KFOR-i dhe EULEX-i duhet të sigurojnë paqe dhe stabilitet dhe të mos zbatojnë dhunën dhe të mos jenë të njëanshëm. Çdo hap i dhunshëm në drejtim të heqjes së barrikadave dërgon drejt thellimit të krizës dhe largimit të arritjes së ndonjë marrëveshjeje për Kosovën dhe Metohinë. I ftoj qytetarët që të jenë të përmbajtur nga të gjitha aktet e dhunës dhe reagimet e mundshme e provokimet që mund të arsyetonin përdorimin e dhunës ndaj tyre, ka thënë Tadiç. / Koha Ditore