Serbët ndalojnë festat kombëtare në Medvegjë

Autoritetet policore serbe ndaluan dhe morën në bisedë informative për katër orë, sekretarin e shoqatës humanitare "Medvegja", Fadil Selmani, i cili më pas u deportua në Kosovë. Fadil Selmani së bashku me tre aktivistë ishte ndaluar nga policia serbe në hyrje të Medvegjës në fshatin Mutivot dhe nuk i është lejuar hyrja në vendlindje, ndërsa pas katër orësh ata janë deportuar në drejtim të Kosovës. Shoqata humanitare "Medvegja" ishte bashkëorganizatore e festive kombëtare, sidomos organizimit të 100 vjetorit të Kongresit të Manastirit, një manifestim që ishte paraparë të mbahet në Pallatin e Kulturës në Medvegjë, por që u ndalua nga kryetari i kësaj komune Sllobodan Drashkoviç. Me iniciativë të partisë Lëvizjen Demokratike për Integrim, aktiviteti me rastin e 100 vjetorit të Kongresit të Manastirit është mbajtur në korridorin e Pallatit të Kulturës, pa leje të organeve kompetente serbe. Shoqata humanitare "Medvegja" në Zvicër reagoi ashpër me rastin e arrestimit të sekretarit të saj, Fadil Selmani, i cili siç thuhet ishte nisur për në vendlindje me mision humanitar për të ndihmuar familjet skamnore. "Kjo situatë rikujton masat e dhunshme serbe që më parë aplikoheshin në Kosovë gjatë regjimit të Millosheviçit. Tani i njejti realitet po ndodh në Medvegjë që nga ajo periudhë, ku ushtrohet dhunë dhe presion për të braktisur këto treva shqiptarët autokton", thuhet në reagimin e shoqatës "Medvegja", e cila pret që lidhur me këtë rast të reagojnë autoritetet lokale në rajonin e Luginës së Preshevës dhe deputeti i zonës, Riza Halimi.