Hyseni: Njohje të reja në dhjetor

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni shprehet se përpjekjet e Serbisë për të penguar shtetin e Kosovës janë të dëshpëruara. "Përpjekjet e Serbisë janë të dëshpëruara në këtë nëntë muaj e gjysmë, prej kur se u shpall pavarësia e Kosovës. Kjo mendoj se bëhet për të evituar konfrontimin me një realitet që Serbia nuk do t'a pranojë dhe që nuk ka kthim prapa dhe shmangie", theksoi shefi i diplomacisë së Kosovës, Skender Hyseni.Ai rithekson qëndrimin se Kosova në asnjë mënyrë nuk e pranon planin gjashtë pikësh të OKB për shtrirjen e misionit të EULEX-it."Nuk do të lejohet në asnjë mënyrë asnjë ndërhyrje dhe veprim që shkel sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës", theksoi për agjencinë INA, ministri Hyseni. Sipas tij, edhe gjatë muajit dhjetor do të ketë njohje të reja të pavarësisë së Kosovës. Ndër të tjera Hyseni deklaroi se Kosova për çdo ditë po e konsolidon vetveten me institucionet e saj, të cilat po dëshmojnë se janë me të vërtet faktor i rëndësishëm i paqes, stabilitetiti e sigurisë në Ballkan e më gjërë.