E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbët në Veri: Nuk heqim barrikadat, duam takim me Tadic

MITROVICË- Pavarësisht marrëveshjes së përkohshme të arritur mes Qeverisë së Kosovës, asaj serbe dhe KFOR-it, qytetarët serbë të Veriut të Kosovës kanë vazhduar me barrikadat e tyre. Vendimi për heqjen e barrikadave thuhet se do të merret në takimin e katër të ashtuquajturave komuna serbe në Veri, e cila pritet të mbahet javën tjetër.

“Konsultimet me përfaqësuesit e këtyre komunave do të nisin sot”, ka thënë për “Tanjug” i ashtuquajturi kryetar i komunës së Mitrovicës, Kristimir Pantiç. Siç raporton “B92”, KFOR-i në Zveçan do të përdorë rrugë alternative, përderisa në Rudar, Zupç dhe Zubin-Potok dhe Leposaviç mund të përdoret vetëm një korsi e rrugës.

Një burim i të përditshmes serbe “Danas” thotë se protesta e serbëve në Rudar do të vazhdojë derisa delegacionin e tyre ta takojë presidenti i Serbisë, Boris Tadiç. Në mënjanimin e barrikadave nuk kanë ndikuar as deklarimet e shefit të delegacionit serb për bisedime me Kosovën, Borislav Stefanoviç, i cili ka thënë se pa respektimin e marrëveshjes së djeshme nuk do të ketë bisedime me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare.
(m.a/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›