Serbët rivendosin barrikadën në Bërnjak

Në rrugën kryesore Ribariq-Zubin Potok, në afërsi të vijës kufitare në Bërnjak, serbët kanë vendosur barrikadë nga dheu dhe nga drunjtë.
Barrikadat u vendosën pasi KFOR-i dje hoqi kamionët e transportit që ishin pengesë në këtë rrugë. Serbët fillimisht nxorën kamionin e larguar nga hendekët drejtë liqenit të Gazivodës.
Derdhjen e dheut e kanë shikuar ushtarët gjermanë të KFOR-it, të cilët me dy makina kanë dalë në Bërnjak, raporton Tanjug.
Edhe pse pjesëtarët e KFOR-it theksojnë se kufiri është i hapur, trafiku drejtë Ribariqit bëhet në rrugën anësore të Bërnjakut, të cilën e kontrollojnë ushtarët francezë të KFOR-it.
Trafiku nuk zhvillohet as në Jarinjë, ku po ashtu përdoren rrugët anësore për të shkuar në Rashkë dhe në Novi Pazar.
Serbët edhe mbrëmë kanë bërë “kujdestari” në Jagnjenicë, Zupç, Mitrovicën veriore, Leposaviq dhe në barrikadat tjera më të vogla. Por, për shkak të ftohtit, numri i tyre ishte më i vogël.
Sipas agjencisë serbe, natën e djeshme nuk është shënuar ndonjë lëvizje e KFOR-it.