E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbët, zjarr kufirit me Kosovën, NATO mbyll kalimin

• Serbë të zemëruar i kanë vënë flakën dje dy postave kufitare në veri të Kosovës, në shenjë proteste kundër deklaratës së pavarësisë. Sulmi i kufirit serb me Kosovën ishte akti i fundit i dhunës kundër pavarësisë.Serbia është zotuar që të mbajë me të gjitha mënyrat Kosovën, ndërsa në përgjigje të kësaj deklarate, grupe nacionalistësh serbë kanë sulmuar me zjarr pikën kufitare që kalon në Jarinë dhe Banja, në kufirin verior të Kosovës. Zëdhënësi i SHPK-së, Veton Elshani, tha se zjarri ishte vënë nga grupe serbësh të inatosur, por nuk kishte raportime për të plagosur. Një tjetër incident në Serbi, të cilin policia nuk mundi ta konfirmojë, sipas AFP-së, ishte vënia në flakë e një ndërtese doganore në qytetin Zubin Potok, edhe kjo nga protestuesit serbë. Në Beograd prej të dielës ka pasur protesta kundër pavarësisë, të cilat janë kthyer edhe në sulme të dhunshme kundër ambasadave perëndimore. Këtë të enjte në Beograd është paralajmëruar një protestë shumë e madhe nga partitë kryesore politike serbe, që kundërshtojnë pavarësinë. Ndërkohë KFOR-i ka mbyllur dy pika kufitare me Serbinë për 24 orë. Masat u morën pas djegies nga serbët të dy pikave kufitare, ku trupat e NATO-s morën kontrollin pasi evakuuan policët nga vendi i ngjarjes. Kjo ishte hera e parë që forcat e NATO-s reagojnë, që kur Kosova shpalli pavarësinë të dielën. Rreth një mijë serbë të Kosovës morën pjesë në protestë, duke detyruar policinë e OKB-së dhe atë kosovare të kërkojnë ndihmën e NATO-s. “Çdo lloj dhune është plotësisht e papranueshme dhe nuk do të lejohet. Pres që gjithë qytetarët e Kosovës të tregohen të matur, të qetë dhe të respektojnë UNMIK-un e KFOR-in, që do vazhdojnë të sigurojnë mjedis të sigurt në gjithë Kosovën”, tha shefi i UNMIK-ut, Joakim Ryker. Sipas zëdhënësit të KFOR-it, Bertrand Bonneau, 70 automjete, përfshi 10 autobusë, kanë kaluar kufirin dhe kanë hyrë në Kosovë në kohën e sulmit kundër pikave kufitare. Ndërkohë kreu i komunës së Zubin Potokut, në veri të Kosovës, Sllavisha Ristiç, tha se protesta ishte në përgjigje të thashethemeve se zyrtarë shqiptarë të doganave do vendoseshin në pikat e kontrollit. “Ne nuk mund të lejojmë që të na imponohen institucionet e një vendi që nuk ekziston”, ka deklaruar Ristiç, duke shtuar se nuk ka asgjë kundër KFOR-it. “Kemi dy pika kufitare që po digjen. Djegiet janë provokuar nga grupet e serbëve në veri dhe veriperëndim të Kosovës. Gjendja është thjesht e papranueshme. Deri tani kemi parë njerëzit të protestojnë lumturinë apo pakënaqësinë e tyre me dinjitet, maturi dhe përgjegjësi. Ne nuk mund t’i pranojmë këto sjellje që vijnë nga komuniteti serb”, tha Bonneau, zëdhënësi i KFOR-it. Ndërkohë në Mitrovicë vazhdojnë protestat. Serbët e Mitrovicës kanë dalë në qendër të qytetit, duke refuzuar krijimin e Kosovës. Me ngritjen e duarve sipas simbolit të Serbisë, serbët refuzuan vendimin e institucioneve kosovare. Përfaqësuesi i komunave serbe në Kosovë, Marko Jakshiç, tha se Serbia dhe serbët janë kundër krijimit të një shteti të ri shqiptar në Ballkan dhe kanë theksuar se ata që mendojnë se një shtet i tillë është krijuar më 17 shkurt 2008, gënjejnë veten. Jakshiç shtoi se, aktualisht po ndodhte lidhja e Kosovës në zemrën e Serbisë. Jakshiç iu drejtua shumë herë liderëve të Kosovës nga turma si “Vrasës”, “Nuk do t’jua lemë Kosovën”, “Rusia” dhe “Kosova është zemra e Serbisë”. “Për sa kohë të jemi ne, Serbia dhe Rusia, nuk do të ketë kurrë  Kosovë të pavarur”, tha Jakshiç, duke dënuar njëkohësisht edhe misionin e BE-së në Kosovë. Ai theksoi edhe një herë se ky mision ishte njëlloj sikur BE të kishte pushtuar një vend duke shkelur standardet ndërkombëtare, e i quajti liderët e BE-së “Pushtues”. Jakshiç u bëri thirrje liderëve serbë të mos nënshkruajnë asnjë marrëveshje me BE-në. Protestuesit kanë kënduar himnin kombëtar serb, “Zoti i Drejtësisë” dhe e kanë përfunduar udhëtimin e tyre në urën e Ibrit, që ndan shqiptarët e Mitrovicës me serbët e Mitrovicës. Thaçi si Bin Laden Zemërimi i serbëve ka arritur në një pikë të tillë, sa ambasadori serb në Nigeri, Dragan Mraoviç, e krahasoi Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi me Osama bin Laden në një letër të hapur drejtuar gazetës kryesore nigeriane, vend që e mbështet pavarësinë e Kosovës. “Dikush mund t’i besojë Thaçit, i cili është shumë i njohur për aktet e shumta terroriste, për të cilat nga Serbia është dënuar me burgim... në të njëjtën mënyrë që duhet t’i besohet Osama bin Laden”, shkruan ai.Lavrov: Pavarësia e Kosovës, e rrezikshme Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka paralajmëruar homologen e tij amerikane, Kondoliza Rajs, se shpallja e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës rrezikon stabilitetin ndërkombëtar. Ministria e Jashtme ruse, në një deklaratë të shkurtër, ka bërë të ditur se Lavrov dhe Rajs kanë biseduar për Kosovën me nismën e Uashingtonit. Gjatë bisedës Lavrov ka përsëritur kundërshtimin e Rusisë ndaj pavarësisë së Kosovës. Rusia ka qenë partneri kryesor i Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës. ShpërthimI i dytë në Mitrovicë Një shpërthim pranë ndërtesës së OSBE-së në qytetin e Mitrovicës, në veri të Kosovës, ka dëmtuar tre automjete të këtij misioni. Policia tha se nuk ishin identifikuar ende autorët e shpërthimit. Policia tha se ky është një rast i shkëputur i shpërthimit të dhunës dhe paralajmëroi shtimin e masave të sigurisë. Ky është incidenti i dytë me mjete shpërthyese në veri të Kosovës, që kanë pasur si objektiv ndërtesa të ndërkombëtarëve. Të hënën në këtë rajon ende të ndarë kishin protestuar rreth 8 mijë serbë, duke kundërshtuar pavarësinë e Kosovës.Jeremiç: OSBE të dënojë pavarësinëMinistri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, u bëri thirrje anëtarëve të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Evropian të dënojnë deklaratën e pavarësisë së Kosovës dhe u betua të martën se Kosova do të mbetej pjesë e Serbisë. “Bëjmë thirrje të dënoni këtë deklaratë të njëanshme dhe ilegale pavarësie nga autoritetet e Prishtinës nga Republika e Serbisë, duke riafirmuar vlerat dhe principet bazë të OSBE-së”, tha Jeremiç. Ai gjithashtu shfaqi largimin nga vendet që kanë vendosur ta njohin Kosovën. “Historia do të gjykojë se ata kanë zgjedhur të shtypin themelet e sistemit ndërkombëtar dhe principet mbi të cilat është ndërtuar OSBE”, shtoi ai. “Nëse kjo shkelje në natyrën e sistemit ndërkombëtar nuk është e gabuar, atëherë asgjë nuk mund të jetë e gabuar”, tha ai, duke theksuar se disa vende kanë zgjedhur ta injorojnë këtë të vërtetë universale. Jeremiç theksoi se Serbia është gati në çdo kohë, në çdo vend, në çdo mënyrë të angazhohet në bisedime me Prishtinën për të gjetur një zgjidhje të pranueshme nga dy palët... “Por jo sovranitetin”. Zbatimi mbi planin për Kosovën: Kini durim Ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiç, tha se Serbia do të insistojë mbi anulimin e deklaratës së njëanshme të pavarësisë. Ai tha se Serbia do të insistojë për këtë çështje në OKB dhe do të vazhdojë në mënyrë indirekte të kontrollojë rajonet e populluara nga serbët. Samarxhiç theksoi se Beogradi ka refuzuar misionin e BE-së në Kosovë, dhe do të insistojë që aty të mbetet misioni i UNMIK-ut. “Miratimi i parlamentit mbi vendimin e qeverisë për anulimin e këtij akti, i ka hapur dritën jeshile shtetit serb të zbatojë politikën e tij të brendshme dhe të jashtme mbi Kosovën. Serbia do ta vazhdojë iniciativën e saj diplomatike dhe do të nisë të përdorë masat e marra në Planin e Aksionit, lidhur me vendet që njohin pavarësinë e njëanshme të Kosovës”, tha ai. Samarxhiç tha se ata do të marrin masa individuale drejt çdo vendi që mund të vendosë të pranojë vendimin e Kosovës, dhe secila prej këtyre masave do të llogaritet. “Kini durim dhe shihni çdo të ndodhë”, theksoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›