E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrtare, Tirana hap ambasadë në Kosovë

• Shqipëria ka zyrtarizuar dje vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën.Përmes një mbledhjeje jashtë rendit, qeveria ka miratuar vendimin e propozuar nga ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, për të hapur ambasadën në shtetin më të ri në botë. “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 15, të ligjit nr. 9095, datë 3.7.2003, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, dhe të nenit 8, të ligjit nr. 9836, datë 26.11.2007, “Për buxhetin e shtetit të vitit 2008”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave vendosi ngritjen e përfaqësimit diplomatik në nivel ambasadori të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës dhe hapjen e ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, në Prishtinë”, thuhet në vendimin e miratuar dje nga qeveria. Sipas vendimit, shpenzimet për hapjen e përfaqësisë diplomatike të përballohen nga buxheti i vitit 2008, miratuar për  Ministrinë e Punëve të Jashtme. Duke e cilësuar mbledhjen e djeshme si një nga më të shumëpriturat për 17 vjet me radhë, Kryeministri u shpreh se, pas konsultimit dhe me Presidentin e Republikës është rënë dakord që zoti Islam Lauka të jetë ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë. “Eshtë diskutuar dhe me Presidentin e Republikës, si dhe është rënë dakord, që ambasadori ynë në Prishtinë do të jetë një nga personalitetet më të shquara të Ministrisë së Punëve të Jashtme, një nga diplomatët më me eksperiencë të kësaj ministrie, një diplomat që ka vepra të tëra kushtuar Kosovës dhe që e njeh mirë problemin. Ky është zoti Islam Lauka”, tha kryeministri Berisha. Më tej, kreu i qeverisë bëri të ditur se i ngarkuari me punë në zyrën e Shqipërisë në Kosovë, Arben Çeku, do të kalojë me një detyrë më të rëndësishme se ajo që mban aktualisht. “Zoti Arben Çeku do të kalojë me një detyrë më të rëndësishme se ajo që mban sot. Mund t’ju them se zoti Çeku e ka kryer me shumë dinjitet, përkushtim dhe vendosmëri detyrën që mbante deri tani”, u shpreh Berisha.Tërheqja e ambasadorëveKryeministri Sali Berisha ka reaguar dje lidhur me hapin më të fundit të Beogradit për tërheqjen e të gjithë ambasadorëve nga vendet, që njohin pavarësinë e Kosovës. Duke folur në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin maqedonas, Gruevski, kreu i qeverisë shqiptare tha se, Beogradi po ecën kundër kohës. Sipas Berishës, “Duke mos dashur të ndërhyj në punët e tyre, por tërheqja e ambasadorëve nga vende, të cilat të ofrojnë miqësi, bashkëpunim dhe mbështetje për projektet më të mira të kombit serb për këtë shekull, është një veprim që bie ndesh me interesat më themelore të kombit tënd”. Më tej Berisha u shpreh se, nuk kishte informacion për qëndrimin e Beogradit lidhur me ambasadorin serb që është në Shqipëri, ndërsa shtoi se“, se cili do të jetë vendimi i Kryeministrit Koshtunica nuk e di, por çdo pakësim i marrëdhënieve në një kohë kur ne jemi të gatshëm t’i intensifikojmë ato, nuk është veprimi që popujt tanë presim”.Islam Lauka, karriera nga Moska në PrishtinëAmbasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, ka qenë më parë sekretar i Parë i ambasadës shqiptare në Moskë. I diplomuar në fakultetin e Histori-Filologjisë për rusisht, Lauka e ka nisur karrierën në vitin 1986 në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe një vit më vonë referent në Drejtorinë e Parë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, dhe më pas në detyrën e përgjegjësit të sektorit. Në vitet 1991-1995 Lauka ka qenë në Moskë me gradën e sekretarit të Parë, si dhe me pozicionin e të ngarkuarit me punë. Në dikasterin e diplomacisë shqiptare është rikthyer sërish në vitin 2005 si drejtor i Drejtorisë së Marrëdhënieve me Vendet Fqinje, pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në vitin 2007 Lauka ka shkruar librin “Kosova rast universal, apo ‘sui generis’”, i përkthyer edhe në anglisht dhe arabisht, librin “Shkëputja e Kosovës nga Rusia”, si dhe ka qenë bashkautor i librit “Shqipëria në arkivat ruse”.Festa në Kosovë, batutat e Berishës me ministratKryeministri Sali Berisha nuk i ka kursyer batutat edhe gjatë  mbledhjes së djeshme të qeverisë, që ishte jashtë radhe për të vendosur ambasadën në shtetin më të ri, që shpalli pavarësinë këtë të diel. Duke iu referuar disa bluzave që kishin veshur qytetarët kosovarë, në të cilat ishin fotografitë e Pasiç, Titos dhe Milosheviçit, tre ish-udhëheqës të Jugosllavisë dhe me mbishkrimin “Fuck YU”, kryeministri iu drejtua tre ministrave më të rinj të kabinetit, Bashës, Olldashit dhe Bregut. “Pastaj ishin ato fanellat që sido që të ishin, mund t’i kishit veshur dhe ju, ti Luli dhe ti Sokol, ti Majlinda jo sigurisht. Por ato ishin pjesë e festës”. Dita e shpalljes së pavarësisë së Kosovës u shoqërua me festime të shumta, jo vetëm në Prishtinë, por edhe në shumë qytete të tjera të Kosovës. Inicimi i bluzave me tre fotografitë e ish-udhëheqësve jugosllavë u bë pikërisht nga e përditshmja kosovare “Ekspres”, e cila të dielën hapi faqen e parë të saj pikërisht me titullin “Fuck YU”. Maqedonia ende pa vendim për KosovënKryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski, tha dje se, qëndrimi i Shkupit lidhur me njohjen e pavarësisë së Kosovës do të vendoset në pajtim të interesave të vetë Maqedonisë. “Ne po ndjekim me vëmendje gjendjen në Kosovë e Serbi dhe kuptohet do të vendosim në pajtim me interesat shtetërore të Republikës së Maqedonisë dhe në komunikim të drejtpërdrejtë me miqtë tanë evropianë e të NATO-s”, tha Gruevski në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Berisha. “Ne diskutuam edhe për temën aktuale lidhur me Kosovën. Shqipëria ka ndërmarrë hapa të caktuara. Republika e Maqedonisë e përcjell me vëmendje procesin, duke pasur parasysh të gjitha karakteristikat që ka Republika e Maqedonisë si shtet multietnik, kandidat për në NATO e BE dhe më tej ne do të vazhdojmë në lidhje me interesin tonë dhe në bashkëpunim me miqtë tanë”, vijoi më tej Gruevski.“Shëtitja e Lirisë”, festa  e Tiranës për KosovënDita e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, do të jetë çdo vit ditë feste në kryeqytet. Kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, do t’i kërkojë shumë shpejt Këshillit Bashkiak që ta kthejë në traditë 17 shkurtin.”Do t’i propozoj Këshillit Bashkiak që ta shpallë 17 shkurtin ditën e “Shëtitjes së Lirisë”, një ditë ku Tirana do të kremtojë lirinë si një shprehje e pacenueshme e qenies së çdo populli dhe individi, lirinë si një vlerë që i takon secilit prej nesh ta ruajë e ta përsosë duke rritur standardet e demokracisë, lirinë si një amanet i atyre që s’janë më e njëkohësisht si një borxh ndaj fëmijëve tanë”, tha Rama. Ai shtoi se Tirana e Prishtina festuan së bashku lirinë dhe së bashku duhet të ecin në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. “’Shëtitja e Lirisë’, e 17 shkurtit duhet të jetë festa e re e kalendarit të kryeqytetasve, por edhe shprehja simbolike e aspiratës së përbashkët të gjithë shqiptarëve për të shëtitur përgjithnjë të lirë në territorin e Bashkimit Evropian”.LSI: Komuniteti ndërkombëtar vlerësoi pavarësinë e KosovësLëvizja Socialiste për Integrim, përshëndeti dje njohjen e Kosovës si shtet i pavarur e sovran nga SHBA, si edhe nga Britania e Madhe, Franca, Italia, Gjermania, Turqia e shumë vende të tjera. Kryetari i KDK-së të LSI-së, Edmond Haxhinasto, vlerësoi se “komuniteti ndërkombëtar ka shprehur me këto akte se ai vlerëson vullnetin e paepur të një populli për të qenë i lirë e i pavarur, se ai respekton progresin e jashtëzakonshëm që ka bërë Kosova drejt një shoqërie multietnike, që i respekton të gjithë qytetarët e saj pavarësisht nga përkatësia etnike”. “Njohja ndërkombëtare e Kosovës si shtet i pavarur e sovran është një tregues i ngadhënjimit të lirisë mbi shtypjen, i drejtësisë mbi padrejtësinë historike, është një triumf i humanizmit e civilizimit mbi shovinizmin e gjenocidin”, tha Haxhinasto.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›