E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lotaria amerikane, përgjigjet e dyta do të merren pas 10 marsit

Të gjithë fituesit e lotarisë amerikane për vitin 2008 do të kenë mundësi të konfirmojnë përfundimisht pjesëmarrjen e tyre në listat finale pas datës 10 mars. Së fundi është mësuar se mes datave 10-25 mars do të zbardhet dhe lista e rikonfirmuar e fituesve të fazës së parë për vitin 2008. Gjatë këtyre gjashtë muajve, fituesit janë “testuar” dhe punonjës që merren posaçërisht me lotarinë amerikane kanë konfirmuar në pjesën më të madhe të aplikantëve të dhënat e tyre që lidhen kryesisht me arsimimin dhe dëshminë e penalitetit. Kësisoj, vetëm pas datës 10 mars do të mund të mësohen emrat e të gjithë atyre aplikantëve fitues të fazës së parë që kanë rezultuar “të pastër” në filtrimin e të dhënave.
Lotaria
Jo vetëm fati mund t'ju çojë në Amerikë, por edhe kujdesi që do të bëni në plotësimin e formularit për lotarinë. Nëse gaboni, ju skualifikoheni automatikisht nga kompjuteri. Sipas të dhënave nga Departamenti Amerikan i Shtetit, evidentohen shtatë pika kryesore ku aplikantët mund të gabojnë. Ato kanë të bëjnë me mënyrën e plotësimit, kriteret, fotografitë dhe specifika të tyre. Në njoftimin për mediat, Departamenti thekson disa herë që nëse një aplikant plotëson formularin më shumë se një here, ai skualifikohet menjëherë. Ndërkohë, duhet të bëni shumë kujdes për specifikimet e fotografive, ngjyrën e tyre, formatin, madhësinë dhe veshjen. Të gjitha këto specifikime janë të detajuara duhet të mbahen parasysh nga aplikuesit. Ndërkohë, kriteret për arsimin janë gjithashtu të rëndësishme. Nëse nuk keni 12 klasë shkollë ose dy vjet punë në pesë vitet e fundit, nuk do të kualifikoheni për formularin. Mos harroni të deklaroni fëmijët, natyralë apo të birësuar, beqarë dhe nën moshën 21 vjeç.
Aplikimi
Të gjithë ata persona, të cilët dëshirojnë të aplikojnë në programin e lotarisë, duhet të regjistrohen nëpërmjet faqes së internetit www.dvlottery.state.gov. Regjistrimi bëhet falas. Shqipëria është një nga vendet e listës së hartuar nga Departamenti i Shtetit, e cila përfshihet në programin e lotarisë. Për këtë vit, ky program parashikon 50 mijë fitues. Ndërkohë ende nuk janë ndarë kuotat e pranimit për shtetet, mes tyre dhe Shqipërisë. Në faqen përbri janë të gjitha procedurat e aplikimit dhe specifikimet e duhura për t'u bërë fitues i mundshëm i lotarisë. Ndërkohë, të gjithë aplikantët duhet të bëjnë kujdes për skualifikimet.
Programi
Ky program, i cili ka si qëllim për të sjellë diversitet racial dhe etnik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ofron viza të përhershme të qëndrimit për shtetasit e kombeve, të cilët kanë pasur tradicionalisht një nivel të ulët të emigrimit në SHBA. Sipas Departamentit të Shtetit, fituesit do të njoftohen me e-mail. Departamenti njofton se ka planifikur 50 mijë viza qëndrimi të përhershme për të gjitha vendet e përfshira në program. Për më shumë informacione mbi programin e vizave të diversitetit për emigrantët, mund t'i drejtoheni faqes së internetit të Departamentit të Shtetit.

Rregullat që nuk duhet të shkelen për të qenë fitues

1. Nuk duhet të aplikoni më shumë se një herë. Kompjuteri do t’ju skualifikojë automatikisht nëse do të regjistrohen dy formularë me të njëjtin emër, edhe nëse dikush tjetër do të aplikojë për ju.
2. Në listën e anëtarëve të familjes duhet të përfshini: bashkëshortin/bashkëshorten, fëmijët e pamartuar dhe ata nën moshën 21 vjeç (përveç atyre që kanë fituar tashmë nënshtetësinë amerikane), fëmijët e birësuar dhe thjeshtërit. Nëse ju nuk i keni regjistruar ata në fillim në plotësimin e formularit dhe kërkoni t'i përfshini në aplikimin e vizës, rasti juaj do të skualifikohet.
3. Aplikimi bëhet vetëm me anë të internetit. Mos dërgoni formularë me postë.
4. Nëse nuk keni një arsim 12-vjeçar ose dy vjet punë në pesë vitet e fundit, punë e cila ka kërkuar dy vjet trajnim ose eksperiencë, ju nuk do të pranoheni. Ky është një kriter i Programit të Lotarisë Amerikane dhe megjithëse nuk ka një limit për moshën e aplikuesit, sipas kërkesës së mësipërme, i bie që personat nën moshën 18 vjeç skualifikohen.
5. Fotografitë nuk mund të dërgohen të ndara me aplikimin. Pra nuk mund të plotësoni formularin dhe më pas fotografitë. Nëse dërgoni formularin fillimisht dhe fotografitë më pas, ju skualifikoheni.
6. Fotografitë duhet të jenë individuale dhe jo grupi apo familjare. Pra, fotografia e aplikuesit, por edhe e familjes së tij, duhet të jetë secila veç e veç dhe duhet të plotësojë të gjitha specifikimet e duhura.
7. Nuk duhet ta plotësoni formularin me shkëputje kohore. Pra nuk mund ta ruani dhe të ktheheni prapë dhe të mbaroni pjesën e mbetur të formularit. Formulari elektronik është dizenjuar për t'u plotësuar brenda 60 minutash, duke marrë parasysh problemet e vonesat e rrjetit. Ju duhet të merrni të gjitha materialet e duhura për plotësimin e formularit.

“Green Card”, çfarë është?

“Green card” është bileta që ju bën përkohësisht rezident në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është gjithashtu njëra nga mënyrat më të lehta për të emigruar në SHBA. Për të qenë pjesëmarrës i kësaj lotarie mjafton të kesh lindur në një nga vendet e zgjedhura për lotarinë. Shqipëria është një nga vendet e përzgjedhura dhe ku mjaft shqiptarë kanë fituar këtë lotari gjatë viteve të fundit. Gjithashtu, një tjetër kusht i rëndësishëm është që të kesh mbaruar një shkollë. Nëse është universitet, mundësitë janë më të mëdha. “Green card” është mënyra më e mirë e emigrimit dhe është miratuar nga Kongresi Amerikan që në vitin 1990.

20 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›