“The New York Times”: “Mehmet Shehu, më i fortë se Enver Hoxha”
Shqipëria është një vend i thyer malor dhe që po rrëshqet drejt izolimit nën kontrollin komunist, regjim i cili është duke e mbështjellë me një mister të çuditshëm. Një nga gjërat e paqarta është se realisht është një nga njerëzit më të fortë të këtij vendi. Përgjatë tetë apo nëntë viteve të fundit refugjatët kanë përmendur Mehmet Shehun si një njeri me pushtet real më tepër sesa Enver Hoxhën, sekretarin e Partisë Komuniste. Zoti Shehu mori drejtimin e qeverisë nga Enver Hoxha në korrikun e vitit 1954 dhe që atje ishte përhapur thashethemi se qëllimi i Bashkimit Sovjetik me Enver Hoxhën mund të ketë qenë për të marrë, ndonëse me shumë keqardhje, sa më shumë ide të komunizmit kombëtar të presidentit jugosllav, Tito. Detyra partiake e zotit Hoxha është më e rëndësishme, e klasifikuar si numri 1 në shtetin komunist dhe portreti i tij është duke u varur në të gjitha muret e zyrave në Tiranë. Por kryeministri Mehmet Shehu duket të jetë më i spikaturi në fotografitë e gazetave dhe ai thuhet se kontrollon aparatin policor. Kryeministri Shehu, i cili dha dje intervistën e parë të tij për një korrespondent amerikan në Tiranë, ka qenë një luftëtar i mirënjohur efektiv dhe i rreptë.
Ulje-ngritjet e Mehmet Shehut
Ai kishte pasur ulje-ngritjet e tij në trazirat komuniste. Në shkurtin e vitit 1948 ai humbi detyrën e tij si shef i Ushtrisë së Përgjithshme dhe anëtar i Komitetit Qendror të Partisë, sepse, siç thonë informacionet, kishte kundërshtuar mareshal Titon që “birësoi” partizanët shqiptarë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Por pastaj Bashkimi Sovjetik i ndërpreu marrëdhëniet me presidentin Tito dhe zoti Shehu u ngjit sërish në majë, duke u emëruar ministër i Brendshëm në tetor të vitit 1948. Kryeministri Shehu ka një sens ekuilibri të shkëlqyer dhe posedon vullnet të fortë, për shkak se ai drejtonte grupin folklorik të valleve të Pallatit Tirana, i cili i përkiste mbretit Zog.
Udhëheqësi që ishte bërë 44 vjeç më 10 janar kishte një paraqitje të mirë. Flokët e tij janë të kuqërremtë në biondë. Ai ka një qeshje të gjerë dhe një sjellje të lehtë për t’u kuptuar.
Edukimi i kryeministrit të hekurt
Ai është edukuar në Shkollën Profesionale Amerikane në Tiranë, e sponsorizuar nga Kryqi i Kuq Amerikan. Ai ishte akoma i ambientuar me anglishten. Ishte një nxënës aktiv. Shkruante poezi për gazetën e shkollës. Ai ishte diplomuar në vitin 1932 për bujqësi, pasi ia doli mbanë që së bashku me një student, të vinte në punë një makinë shirëse, me të cilën shinin grurin e fshatarëve të zonës përreth.
Zoti Mehmet Shehu, djalë i një kleriku mysliman, duket se ka qenë zhgënjyer pasi nuk ia doli mbanë që të merrte punën që mendonte në Ministrinë e Bujqësisë. Por ai fitoi një bursë për të ndjekur një kolegj ushtarak në Napoli të Italisë. Por, katër muaj më vonë, ai ishte kthyer mbrapsht për të vazhduar aktivitetet antifashiste.
Në vitin 1938 ai mori rrugën drejt Spanjës, ku u bë zëvendëskomandant batalioni në brigadën ndërkombëtare “Garibaldi”, duke mbështetur republikanët gjatë Luftës Civile. Kur brigada u zmbraps brenda në Francë, ai ishte internuar për tre vjet.
Në vitin 1942 ai rikthehet në Shqipërinë e pushtuar nga italianët dhe bashkëpunon në mënyrë të fshehur me luftëtarët partizanë dhe Partinë Komuniste Shqiptare. Ai shkëlqeu në mënyrën më të shpejtë në postin e Komandantit të Brigadës në vitin 1943 dhe më pas si komandant i Divizionit në vitin 1944. Ai luftoi në betejën që çliroi Tiranën dhe e mbylli me revoltën antikomuniste në zonën e Shkodrës gjatë vitit 1944. Kur ishte zgjedhur qeveria e përkohshme në Këshillin Antifashist për Çlirimin Kombëtare në maj të vitit 1994 në Përmet, ai ishte zgjedhur anëtar.
Pas një periudhe trajnimi në Akademinë Ushtarake Voroshilov në Moskë, zoti Shehu bëhet shef Shtabi në vitin 1946, duke mbajtur gradën e gjeneral-lejtënantit. Ai u bë edhe zëvendëskryetar i Kuvendit Popullor në vitin 1947; zëvendëskryeministër, ministër i Brendshëm dhe anëtar i Byrosë Politike në vitin 1948, kryeministër në vitin 1954.
Në maj të vitit 1955 ai përfaqësoi Shqipërinë në Konferencën e Varshavës, të vendeve të aleancës ushtarake të Bllokut Komunist Lindor, ku ishte zgjedhur kryetar i konferencës, ashtu si edhe në Pragë. Në prillin e kaluar ai shkoi në Moskë me zotin Hoxha dhe negocioi për marrëveshjen e re të ndihmës ekonomike me Bashkimin Sovjetik.
Zoti Shehu ishte martuar në vitin 1945 me Fiqerete Sanxhaktarin, një ish-mësuese shkolle dhe zyrtare poste, e cila iu bashkua Partisë Komuniste që në vitin 1941. Pastaj ata u takuan kur ajo ishte partizane dhe ai komandant lufte. Zonja Shehu, me flokë me ngjyrë të zezë, tepër e gjallë, rreth 37 vjeçe, është sekretare e Partisë Komuniste të Tiranës.
Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 29 gusht 1957
Titulli është redaksional
Përgatiti: Albert Gjoka
Në numrin e së enjtes do të lexoni
Intervista e plotë e Mehmet Shehut te “Bashkimi”, e “censuruar” nga “The New York Times”
Pas kërkesave të lexuesve të gazetës, risjellim intervistën e parë të gazetarit amerikan Harrison E. Salisbury me kryeministrin vendit komunist
Në të njëjtën ditë, intervista me gazetarin e “Times” u botua e plotë tek ATSH-ja e gazeta “Bashkimi”, të cilën e sjellim të ribotuar pas 51 vitesh
Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës
20 Shkurt 2008