E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbi, Tadiç në Bosnjë, mesazh për pajtim

BEOGRAD- Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç kërkoi dje pajtimin e kombeve të ish-Jugosllavisë, në prag të 15-vjetorit të masakrës së Srebrenicës, njoftoi agjencia serbe e lajmeve, TANJUG.
Boris Tadiç, i cili pritet të marrë pjesë në ceremonitë përkujtimore në Bosnje, theksoi se prania e tij do të jetë një akt pajtimi dhe një ndërtim urash mes kombeve të ish-shtetit të përbashkët jugosllav, shtoi agjencia e sipërcituar.
"Do të shkoj në Srebrenicë me shpresën e krijimit të urave të miqësisë mes kombeve në rajon'', deklaroi presidenti serb.
“Procesi i pajtimit rajonal mund të përfundojë vetëm nëse të gjitha kombet bien dakord për të marrë përgjegjësinë për krimet që individë të caktuar kanë kryer”, deklaroi zyra e tij e shtypit.
Ceremonia e përkujtimores do të mbahet sot në qëndër të Srebrenicës ne memorialin e Potocarit.

Kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan dhe Ministri i Jashtëm francez Bernard Kushner pritet gjithashtu të marrë pjesë në përkujtimoren e sotme përkrah përfaqësuesve të SHBA, NATO, organizatave humanitare etj. Nuk dihet nëse në përkujtimore do të marrin pjesë përfaqësuesit serbë të Bosnje Hercegovinë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›