Në Butrint hapet festivali i teatrit
TIRANE-Në datën 17 korrik hapet në qytetin antik të Butrintit, në Sarandë, edicioni i njëmbëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Butrinti 2000”, i cili vazhdon deri në datën 23 korrik. Në këtë festival do të marrin pjesë Teatri Kombëtar i Shqipërisë, Teatrit Shtetëror “Vera Komissarzhevskaya” i Shën Petërburgut, Rusi, Teatri i Dramës Shqipe të Shkupit, Teatri Nikoli i Krakovit, Poloni, Teatri Kombëtar “Radu Stanca” i Sibiut, Rumani, Teatri Kombëtar i Operetës “Ion Dacian” i Bukureshtit së bashku me Teatrin e Operetës dhe Muzikës së Budapestit. Në datën 17 korrik në skenën antike të Butrintit do të ngjitet “ëndrra e një nate vere” e Shekspirit me regji të bullgarit Alexander Morfov, inskenuar nga Teatrit Shtetëror “Vera Komissarzhevskaya” i Shën Petërburgut. Në datën 18 korrik, Teatri i Dramës Shqipe të Shkupit do të luaj pjesën “Peer Gynt” të Ibsenit me regji të Slobodan Unkovskit. Në datën 19 korrik, Teatri Nikoli i Krakovit do të ngjitet në skenë me “Natën Shopeniane” me regji të Nikolai. Veprev. Në mbrëmjen e datës 20 korrik në skenën antike të Butrintit do të ngjiten 70 artistë për të prezantuar një version muzikor të tragjedisë “Romeo dhe Zhuljeta” të Shekspirit. Në datën 21 korrik, Teatri Kombëtar “Radu Stanca” i Sibiut do të paraqitet me tragjedinë e njohur greke “Elektra”, një përshtatje sipas Sofokliut dhe Euripidit nga regjisori Mihai Maniutiu. Me “Elektrën” e tij do të paraqitet edhe Teatri Kombëtar nga Tirana në natën e fundit të festivalit, më 22 korrik. Nën regjinë e Adonis Filipit do të interpretojnë në rolet kryesore Luiza Xhuvani dhe Roza Anagnosti, respektivisht Elektra dhe Klitemnestra.
(d.b/Milosao/BalkanWeb)
(d.b/Milosao/BalkanWeb)