“Mashtrime të pazakonta, Bell vlerësoi rritjen ekonomike dhe inkurajoi qeverinë”
Partia Demokratike përgënjeshtron PS-në për deklaratat e FMN-së:
Selia Blu konsideroi dje si mashtrime të rëndomta të Partisë Socialiste deklaratat e se FMN i ka kërkuar qeverisë të jetë e kujdesshme me situatën ekonomike pasi po rrezikon të përjetojë të njëjtën situatë si Greqia. Deputeti i Partisë Demokratike dhe kryetari i komisionit parlamentar të ekonomisë, Edmond Spaho u shpreh se FMN përgëzoi autoritetet shqiptare për rritjen progresiste të ekonomisë, ndryshe nga shumë vende të tjera, të cilat vazhdojnë të përjetojnë krizën globale të financave.
“Jam para jush për të përgënjeshtruar deklaratat e përfaqësueses së Partisë Socialiste për gjoja çfarë ka deklaruar fondi ndërkombëtar monetar në një takim me komisionin e ekonomisë ditën e djeshme. Dua të theksoj se deklaratat e përfaqësueses së PS-së se ekonomia e Shqipërisë është në të njëjtën gjendje si Greqia janë fund e krye trillime dhe nuk paraqesin realitetin e diskutimeve të bëra dje në komision. Fondi Monetar Ndërkombëtar në mënyrë eksplicite theksoi se Shqipëria edhe gjatë vitit 2010 vazhdon të jetë një nga shumë të pakta ekonomi e cila ka rritje ekonomike pozitive”, u shpreh deputeti i PD-së dhe kreu i komisionit të ekonomisë dhe financave Edmond Spaho.
Sipas tij, Fondi Monetar Ndërkombëtar në takimin me Komisionin e Ekonomisë vlerësoi rritjen e eksporteve gjatë periudhës 6 mujore prej 74 për qind si promotori i rritjes ekonomike të Shqipërisë.
“FMN vlerësoi rritjen e kredisë gjatë kësaj periudhe prej 6 për qind dhe rritjen e depozitave prej 12 për qind të cilat krijuan një bazë të mirë për të realizuar objektivat për vitin 2010. Në linjë me politikat e qeverisë për shkurtimin e deficitit buxhetor Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerësoi masat që po ndërmerr qeveria për shkurtimin e shpenzimeve administrative dhe operative të cilat do të bëjnë të mundur që deficiti buxhetor në fund të vitit të rezultoi në nivelet 3.5 për qind të Prodhimin të Brendshëm Bruto. Gjithashtu Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerësoi politikat afatmesme që ka marrë qeveria për të reduktuar borxhin publik në nivelin 50 për qind në fund të vitit 2013. Kjo është e vërteta e të gjitha diskutimeve që janë zhvilluar me këtë organizëm në komisionin e ekonomisë. Gjithçka tjetër që pretendohet nga Partia Socialiste është shpikje dhe trillim i përfaqësuesve të tyre”, sqaroi deputeti demokrat. Mediat elektronike dhe ato të shkruara hapën faqet e tyre me germa kapitale se përfaqësuesi për Shqipërinë i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Gerwin Bell, paska deklaruar gjatë takimit me anëtarët e komisionit të ekonomisë dhe financave se gjendja e Shqipërisë është e ngjashme me situatën në Greqi. Spekulim ky, që gjeti hapësirën e duhur te ato media që për vite të tëra i janë nënshtruar politikës së mbrapshtë të ndjekur nga kryesocialisti Edi Rama. Varësia ndaj një karikature politike dhe aplikimi i prirjes dhunuese, për të vënë pushtetin e katërt në presione që e kanë emrin “dhunë”, përbën një nga shkeljet më të mëdha të lirisë së mediat dhe pavarësisë së tyre. Servirja opinionit publik, mashtrime, gënjeshtra dhe spekulime nga më të pazakontat, është kthyer tashmë në një procedurë normale për Edi Ramën dhe oborrin e pezakëve në ngrehinën e Partisë Socialiste. Errësimi i progresit dhe përparimit të dukshëm të ekonomisë shqiptare, falë reformave të qeverisë, nuk ka se si të kryhet përveç “kapjes” së medieve dhe përdorimin e tyre si shtojca të interesave personale të kryesocialistit.