Serbi, dyshime per dy varre masive shqiptare
RUDNICE - Në zonën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në vendin e quajtur Rudnicë dyshohet për një varr masive të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në territorin e Drenicës”, shkruan sot gazeta “Koha Ditore” në një korrespondencë nga Mitrovica. Sipas kësaj gazete “burime ndërkombëtare kanë thënë se në këtë vend janë dy varre masive të shqiptarëve të Kosovës - në njërën janë të varrosur nga 250-300 kufoma, ndërsa përbri saj në varrezën tjetër janë të varrosur rreth 150 kufoma të tjera.Ky burim ka specifikuar se kufomat në këtë varrezë janë nga disa fshatra të Drenasit dhe të disa fshatrave të tjera të Skenderajt”, shton gazeta. “Por, askush prej zyrtarëve relevantë nuk ka mundur ta konfirmojë një gjë të tillë”, bëhet e ditur. Gjatë viteve 1998-99, në Kosovë forcat serbe vranë e masakruan së paku 12 000 shqiptarë e mijëra të tjerë u zhdukën duke i dërguar e groposur edhe në Serbi apo edhe duke i djegur. Pas zbulimit të disa varrezave masive në Serbi, autoritetet e Beogradit kanë kthyer në Kosovë mbetjet mortore të 707 shqiptarëve në 18 kontigjente të veçanta, si dhe 90 qeske me mbetje mortore, por ende kërkohen rreth 1 900 kosovarë të zhdukur, fati i të cilëve nuk është zbardhur.(ATSH,Balkanweb)