E Diel, 1 Nëntor 2026

Poni: Bojkotimi i mbledhjes së këshillit nga Edi Rama erdhi prej shokut psikologjik

14-10-2011 / Gazeta 55

Anëtari i këshillit bashkiak të Tiranës, Ferdinand Poni, e cilëson hap të gabuar dhe të pa pranueshëm, bojkotimin e mbledhjes së këshillit nga përfaqësuesit e opozitës, në një moment kur do miratohej paketa e lehtësirave fiskale për bizneset dhe qytetarët si dhe i hapej rrugë investimeve në Kryeqytet. Sipas z.Poni, ky vendim i anëtarëve socialistë vjen në vazhdën e parathënies së bojkotit të Partisë Socialiste në institucionet e vendit. Kreu i grupit të demokratëve në këshillin bashkiak të kryeqytetit theksoi se Edi Rama është në shok psikologjik me bojkotin si dhe s’është i përgatitur për t’ju rikthyer rrugës konstruktive. “Kryetari Rama, jo vetëm këshilltarët, nuk do të donte të ishte prezent në një vendimmarrje që është në interes të qytetarëve të Tiranës. Është e pashembullt që në një tentativë për të ulur taksat dhe tarifat, prej së cilës përfitojnë të gjithë, opozita e bojkoton seancën. E bojkoton sepse psikologjikisht kryetari i saj nuk është i përgatitur që t’i kthehet rrugës konstruktive. Vuan mungesën e dëshirës, të përgatitjes për t’i shërbyer qytetarëve të Tiranës dhe jo më kot ky bojkot është në vijën e bojkotit të institucioneve. Administrata e re, në fare pak kohë, në transparencë të plotë dhe në mënyrë shembullore, i solli qytetit të Tiranës realizimin e disa premtimeve të fushatës, si ngritjen e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, një shpresë të madhe për thithjen e investimeve të mëdha në Tiranë, projekti i Unazës së Madhe erdhi në këshill për 2 muaj, ndërsa ne kemi asistuar për 6 vjet për këtë projekt. Z.Basha dha premtimin për zgjerimin e rrugës së Elbasanit si dhe zgjatimin e Bulevardit të Tiranës përtej Stacionit të Trenit. Të gjitha këto ishin në mbledhjen e këshillit bashkiak”- u shpreh Poni. Duke iu referuar debateve të krijuara në mbledhjen e këshillit, kryesisht për mandatet e dy anëtarëve të rinj, vota e cilëve edhe u bë mollë sherri, për miratimin e rendit të ditës me 3 projektvendime të reja, Poni tha se vota e tyre nuk u llogarit. “Nuk kishte asnjë lapsus. Në çdo seancë të këshillit janë futur në mbledhje projektvendime që kanë ardhur nga koha që është thërritur mbledhja e deri në zhvillimin e saj. Këto 3 projektvendime u shpjeguan nga kryetari për urgjencën e tyre dhe nuk është e ndaluar që të vijnë propozime të tilla. Këshilli ka të drejtë të votojë ose jo për projektvendimet që ka në rend dite. Rezultati i votimit ishte 27 pro me 25 kundër, që të futeshin në punimet e këshillit 3 projektvendime si shpallja “Qytetar Nderi të Tiranës” të Emirit të Katarit dhe 2 projektvendimet e tjera si ngritja e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorëve dhe ristrukturimi i administratës së bashkisë. Gjatë votimit, 2 këshilltarë që gjasme nuk ishin mandatar, është një lojë fjalësh, pasi ato vota nuk janë të numëruara. Aty mund të ngrejë dorën edhe një gazetar, por s’mund të quhet votë ajo. Votat u numëruan dhe rezultati ishte 27 me 25. Cilido njeri me mend dhe personalitet do ta kishte të vështirë të kundërshtonte heqjen e taksave dhe tarifave, ngritjen e Agjencisë për Konsumatorët, apo lëvizjet e reja në organigramë për rritjen e eficencës së administratës”- deklaroi Poni.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›