2013-a do ndëshkojë bllokadën antievropiane të Edi Ramës
Partia Demokratike nis organizimin për zgjedhjet parlamentare të 2013-ës Kryeministri Berisha rikonfirmon vullnetin politik për të mos iu nënshtruar shantazhit që kërkon arritjen e një pazari, si shkëmbim për votimin e ligjeve me shumicë të cilësuar, kërkuar nga Bashkimi Evropian. Mazhoranca thekson se fajtori tashmë është i qartë për të gjithë shqiptarët, të cilët do të japin vlerësimin e tyre në zgjedhjet e përgjithshme të 2013-s
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se procesi i integrimit është bllokuar nga lidershipi socialist. Gjatë një takimi me Forumin Rinor të Partisë Demokratike në Durrës, Berisha akuzoi Ramën se “mbi çdo interes tjetër ka ndjenjat, ndjesitë dhe ambiciet e tij dhe mban një parti të ngrirë jashtë çdo funksioni”. “Ka një bllokim të pamohueshëm, dhe ky bllokim vjen sepse lidershipi socialist ka vendosur të përdorë pushtetin e dhënë nga populli, si në asnjë vend tjetër të Ballkanit e Europës, për të bllokuar ligjet me 3/5”, u shpreh kryeministri. “Shqipëria, ju jeni vetë dëshmitarë po ecën me ritmet më të shpejta të zhvillimit, por Shqipëria ka nevojë jetike të vrapojë për të kapur kohën e humbur, për të kapur diferencën midis saj dhe vendeve të tjera. Shqipëria, vend i zhvilluar është rruga më e sigurt e integrimit të Shqipërisë në BE dhe ky proces ju garantoj ju, se është i pa rikthyeshëm. Procesi i integrimit është procesi më jetik për shqiptarët dhe është një proces që kurrë nuk mund të kthehet mbrapa”, iu drejtua Berisha të rinjve. Por, sipas kryeministrit rrugën e integrimit po tenton ta bllokojë lidershipi socialist, i cili po keqpërdor pushtetin që i kanë dhënë votuesit shqiptarë. “E vërteta është që në këtë periudhë ka një bllokim të pamohueshëm dhe ky bllokim vjen se lidershipi socialist ka vendosur të përdorë pushtetin e dhënë nga populli, si në asnjë vend tjetër të Ballkanit dhe të Evropës, për të bllokuar ligjet me tre të pestat. Ju me të drejtë mund të thoni, po mirë pse për kaq na bllokojnë ne? Unë ju them ju, se dhe unë po të isha ndonjëri prej atyre që vendosin për këtë, nuk mund të them se do të merrja vendim tjetër, sepse parë nga sipër kur një forcë kryesore e vendit nuk voton ligjet që kërkohen për integrim, atëherë sa garanci ka që ky është një proces serioz për këtë vend, kur njëra forcë politike i voton dhe tjetra jo. Kur një forcë politike gjen vullnetin për tu ngritur haptas kundër çdo interesi të qytetarit shqiptar, ç’garanci jep ajo në këtë proces? Sepse në rast se vendet e tjera e morën, kështu e mori Mali i Zi, e mori Serbia, e morën të gjitha këto vende sepse nuk kanë një opozitë që kërkon të bllokojë vendin e vet në rrugën e integrimit. Të 12 kërkesat janë që të gjitha për reformën e integrimit. Por ato mund të ishin 40, këto reforma janë interesi më i mirë i shqiptarëve dhe kur tjetri përdor pushtetin, si në asnjë vend tjetër për ti bllokuar pikërisht këto reforma, natyrisht në Bruksel kanë shumë të drejtë të mendojnë se ç’janë këta shqiptarë që veprojnë kundër vetes së tyre. Lidershipi socialist kërkon të përdorë bojkotin për të marrë peng procesin demokratik, kushtetutshmërinë e vendit, por kjo nuk mund të ndodhë kurrë. Ai vërtetë mund të pengojë tre apo 10 ligje me tre të pestat, por kushtetuta, e cila përbën kontratën e qytetarëve me shtetin, ajo është garancia e çdo qytetari, ndaj dhe qëndrimi ynë është dhe do të mbetet të jemi shumë të hapur karshi tyre, por duke ofruar të gjithë fleksibilitetin për reformën zgjedhore, të gjithë fleksibilitetin për rregulloren parlamentare, në asnjë rast ne nuk do të pranojmë të dhunojmë parimet kushtetuese të vendit, kushtetutshmërinë e vendit. Kushtetutshmëria është risia e demokracisë moderne. Është folur edhe në Greqinë e Lashtë për të drejtat e njeriut, për lirinë e fjalës. Është respektuar liria e besimit dhe më vonë, por shtylla e kushtetutshmërisë përbën një demokraci funksionale, e mbron atë nga aventura dhe aventurierë, e mbron atë, nga nënshtrimi ndaj vullneteve të sëmura dhe kjo është arsyeja që ne jemi të bindur që ky proces nuk mund të kalojë përmes dhunimit të kushtetutës dhe rendit kushtetues”, tha Berisha. Ai theksoi se në dy vite me radhë, 2 milion herë partia e Ramës shqiptoi termin “Kuti Votimi”. Sipas Berishës, rezultati i të gjitha aksioneve të Ramës ka qenë humbja elektorale dhe dërrmimi në Tiranë, ku Rama pësoi humbjen më të thellë me gati 11 mijë vota. “Rezultati i saj ishte që kutitë nuk u hapën se nuk e lejonte ligji, nuk e lejonte kushtetuta. Kushtetuta i ka ndarë pushtetet, aty ku vendos pushteti gjyqësor nuk mund të ndërhyjë pushteti tjetër. Po cili ishte rezultati? Partia socialiste hyri vetë në kuti. Sepse Partia Socialiste kishte një rol shumë të madhe dhe ka një rol shumë të madhe, për të bërë radiografinë e qeverisë çdo ditë dhe çdo javë para shqiptarëve, për të kritikuar, për të qortuar për ta paraqitur alternative, kurse kjo parti u paraqiti shqiptarëve për dy vjet rresht vetëm kutitë. Dhe ngaqë hyri vetë në kuti mori atë që mori në datën 8 maj. Kurrë ndonjëherë nuk ka patur një humbje më katastrofale një opozitë në zgjedhjet lokale me 141 mijë vota , pësoi humbje personale zotëria e tij, një humbje shumë të thellë me 10 900 vota, Ishte rinia e Tiranës, ajo që përcaktoi fitoren e zotit Lulzim Basha dhe disfatën e tij. Po shkojmë drejt 2013. Do jenë vetëm shqiptarët që do e zgjidhin këtë. Miqtë kanë bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të ndihmuar. Nuk ka pasur rezultat. Ai nuk ka dëgjuar, ka vetëm interesin e tij. Mos harroni, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, të gjitha këto e morën. Opozita e tyre nuk mendon kurrë, që të bllokojë ligjet dhe reformat e vendit për tu integruar në Evropë, siç mendon kreu i opozitës shqiptare dhe opozita shqiptare. Por vendi, në qoftë se ky, bllokon 5, 6 apo 8 reforma, nuk bllokon dot reformat në tërësi, ka bllokuar 4 ligje, por janë miratuar 400 ligje, të cilat qëndrojnë në bazën dhe në themelet e një zhvillimit të shpejtë të këtij vendi. Ndaj dhe ne duhet të përgatitemi për zgjedhjet e viti 2013 në mënyrë që shqiptarët të mund të zgjidhnin me votën e lirë këtë situatë. Unë jam i bindur se do ta zgjidhim në mënyrën më të mençur dhe më të shkëlqyer, por kjo kërkon që ne të mos mendojmë kurrë se kemi diçka të dhënë njëherë e mirë. Ne duhet të fillojmë tani një punë shumë serioze, duhet të fillojmë një punë organizative, një punë të një niveli shumë të lartë se ajo që kemi bërë deri më sot, të një niveli shumë më të kualifikuar. Dhe të shkojmë me seriozitetin më të madh, duke zbatuar çdo reformë që ndryshon jetën e qytetarëve shqiptarë. Ne operojmë në Shqipërinë tjetër, një Shqipëri tjetër lëshon shtat nga Jugu në Veri, një Shqipëri tjetër ecën drejt horizonteve të zhvillimit dhe ju jeni vektorët kryesorë të saj”, tha më tej Kryeministri Berisha. Ai kërkoi mirëkuptimin dhe angazhimin e të rinjve në përpjekjet për ta çuar përpara këtë proces, si interesi më mirë i mbarë qytetarëve shqiptarë. “Ne duhet të fillojmë tani një punë shumë serioze, duhet të fillojmë një punë organizative, një punë të një niveli shumë më të lartë se ajo që kemi bërë deri më sot, të një niveli shumë më të kualifikuar. Dhe të shkojmë me seriozitetin më të madhe, duke zbatuar çdo reformë që ndryshon jetën e qytetarëve shqiptarë”, vijoi shpreh kryeministri. Berisha falënderoi të rinjtë për punën dhe përkushtimin, në funksion të fitoreve elektorale të Partisë Demokratike. “Dëshiroj tu përshëndes shumë përzemërsisht dhe tu falënderoj për ftesën, tu falënderoj për të gjithë punën dhe përkushtimin, kontributin që dhatë dhe që jepni në të gjitha përpjekjet e mëdha të Partisë Demokratike, për shndërrimin e Shqipërisë vend i zhvilluar”, tha kryeministri. Gjithashtu, në këtë takim Berisha prezantoi nënkryetaren e re të Forumit, Greta Koçi, e mirënjohur nga të rinjtë shqiptare, si një nga zërat e suksesshëm të muzikës shqiptare. Kryeministri shprehu bindjen se besimi i të rinjve si Greta, te Forumi Rinor i Partisë Demokratike është dëshmi e vlerave të qarta që ky forum mbart, ruan kultivon dhe zhvillon.
...