Serbia, 250 milionë euro në Kosovë

Ministri për Kosovës në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic, ka thënë të dielën se investimet e shtetit të Serbisë në Kosovë janë në pajtim me ligjin dhe, ndryshe nga periudha më parë, tash ato janë nën kontroll të plotë.
“Investime në Kosovë janë më pak se 250 milionë euro në vit dhe aty llogariten rrogat, pensionet, përfitimet sociale, investimet kapitale”, ka thënë Bogdanovic në një intervistë për agjencinë Tanjug.
Ai ka vënë në dukje se që kur ai e drejton Ministrinë për Kosovën, nga dita e parë, ka kontroll të shpenzimeve të parave dhe nuk ka vend për kritika, që askush nuk e di se si dhe ku shpenzohen paratë e dedikuara për serbët e Kosovës. Sipas Bogdanovicit, ka kontroll të rreptë të shpenzimeve, të të gjitha mjeteve të parashikuara për Kosovë.
“Duke pasur parasysh faktin se unë jetoj në Kosovë, pata mundësi për të parë se një shumë e madha e parave jepet për këto zona dhe se kjo nuk është përdorur në mënyrë adekuate. Kam dhënë urdhrin e kontrollimit të të të gjitha listave të rrogave, investimeve, investimeve kapitale, projekteve që janë financuar dhe do të financohen në këto hapësira”, ka thënë Bogdanovic.