Mehmet Shehu: “Amerikanët të mos i besojnë gënjeshtrat për Shqipërinë”
Mehmet Shehu mesazh Uashingtonit përmes “The New York Times”-it.Gazeta “Bashkimi” botoi të plotë intervistën me gazetarin amerikan
Gazeta Albania risjell intervistën e plotë që kryeministri Mehmet Shehu dha për gazetarin e “The New York Times”-it, Harrison Salisberi në vitin 1957, e cila u botua në të njëjtën ditë edhe në Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe në gazetën “Bashkimi”. Gazeta amerikane bëri një shkurtim të bisedës me kryeministrin shqiptar, por që ajo u botua e plotë në mediat tona. Për këtë arsye, ne kemi përballur dy versionet e intervistës; atë të “Times” dhe atë të botuar nga mediat e kohës së regjimit komunist.
Çështja e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Cili është qëndrimi i qeverisë shqiptare në këtë çështje? Çfarë pengesash ekzistojnë nga ana e Shqipërisë? A do t’i mirëpriste populli shqiptar marrëdhëniet normale me Shtetet e Bashkuara?
Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë e ka deklaruar mëse një herë se ajo është e gatshme dhe do të mirëpresë vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në bazë të parimeve të barazisë, të respektit reciprok të sovranitetit, integritetit tokësor dhe pavarësisë kombëtare dhe të mosndërhyrjes në punët e brendshme të njeri-tjetrit, në bazë të parimeve të bashkëjetesës paqësore. Ky qëndrim i qeverisë sonë përkrahet plotësisht nga populli shqiptar. Në Luftën e Dytë Botërore të dy popujt tanë luftuan së bashku kundër armikut të përbashkët, kundër fashizmit. Qeveria jonë dëshironte që pas fitores dhe vendosjes së pushtetit popullor në Shqipëri të zhvillonte marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve dhe punoi sinqerisht në këtë drejtim. Në këtë rast edhe sot e kësaj dite vazhdon të mos ketë marrëdhënie të rregullta midis dy vendeve tona, kjo nuk është për fajin e Shqipërisë. Nga ana jonë nuk ka asnjë pengesë në këtë çështje. Por mua më duhet të them me keqardhje se në këtë drejtim bëhet pengesë politika që ndjekin Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj vendit tonë. Siç dihet, populli shqiptar, pas një lufte të gjatë dhe plot sakrifica kundër okupatorëve fashistë e nazistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre, për herë të parë në histori mori fuqinë në dorë, vendosi pushtetin e demokracisë popullore dhe sot po ndërton socializmin. Kjo ngjarje nuk u pëlqen disa qarqeve me influencë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat, në kundërshtim me parimet më elementare të së drejtës ndërkombëtare, u përpoqën të ndërhynin në punët tona të brendshme për të përmbysur pushtetin e popullit dhe të rivendosin pushtetin e vjetër të çifligarëve e të kapitalistëve. Një rol aspak të hijshëm në këtë veprimtari ka luajtur, ndër të tjerë, ish-përgjegjësi i Misionit amerikan në Shqipëri H. T. Fultz. Çështja e regjimit në vendin tonë është punë e popullit tonë, ashtu si është punë e popullit amerikan në rast se i pëlqen të mbajë ose jo regjimin kapitalist, i cili neve nuk na pëlqen aspak. Sot, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, politika e ndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera është sanksionuar me ligj dhe Kongresi amerikan aprovon çdo vit fonde të mëdha për veprimtari subversive kundër vendeve socialiste, ndër të tjera edhe kundër Shqipërisë. Si mund të pajtohet me Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe me parimet e njohura të së drejtës së kombeve deklarata e presidentit Ajzenhauer se “çlirimi paqësor i popujve të robëruar të Europës Lindore është një nga pikat kryesore të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara”? Ose deklarata e sekretarit të Shtetit, Dallas, sipas së cilës qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk do të pushojë përpjekjet e saj për ta parë Shqipërinë të lirë? Nga kush kërkon qeveria amerikane ta çlirojë Shqipërinë? Kjo ishte e okupuar nga fashistët italianë dhe nazistët gjermanë dhe populli shqiptar e çliroi vendin e vetë, me luftë të gjatë e të përgjakshme. A mos vallë tani qeveria amerikane kërkon ta çlirojë Shqipërinë nga populli shqiptar, domethënë të rivendosë një regjim okupacioni dhe shfrytëzimi? Kjo nuk do të ngjasë kurrë. Ngjarjet e këtyre 13 viteve duhet ta kishin bërë të qartë edhe për qarqet drejtuese amerikane se pushteti i sotëm në Shqipëri është i fortë e i patundur, se Republika Popullore e Shqipërisë është një shtet me të cilin mund të vendosen vetëm marrëdhënie në shkallë barazie dhe në respekt reciprok. Ne kemi bindjen se vendosja e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve do t’u përgjigjesh ndjenjave të miqësisë reciproke të dy popujve tanë, do të ishte në dobinë e përbashkët dhe të paqes. Ne kemi bindje se si populli shqiptar, ashtu edhe populli amerikan do ta mirëpresin normalizimin e marrëdhënieve midis Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Çështja e marrëdhënieve ekonomike. A ekziston ndonjë bazë për tregti midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara? Në ç’mënyrë mund ta ndihmojnë Shqipërinë Shtetet e Bashkuara?
Pikëpamja jonë është se ekzistojnë baza reale për tregti midis Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, veçanërisht me hovin që ka marrë zhvillimi i ekonomisë në vendin tonë pas çlirimit. Ne mendojmë se shkëmbimet tregtare direket midis dy vendeve, në baza barazie dhe përfitimi reciprok, janë plotësisht të mundshme dhe do t’i shërbenin mirëkuptimit reciprok. Pikëpamja jonë është se shkëmbimet tregtare janë një ndihmë e mirë reciproke. Ju ndoshta keni parasysh ndonjë ndihmë ekonomike që mund t’i japin Shtetet e Bashkuara vendit tonë. Populli shqiptar pranon me mirënjohje ndihmën vëllazërore e pa asnjë interes që i japin Bashkimi Sovjetik dhe vendet e tjera socialiste dhe që plotëson nevojat e zhvillimit të ekonomisë së tij kombëtare, por nuk mund të pranojë kurrë një ndihmë si ajo që japin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që në fakt synon nënshtrimin e vendit dhe të popullit. Këtë e pohoi kohët e fundit vetë z. Dallas në një letërkëmbim që pati me senatorin Balter, lidhur me të ashtuquajturën çështje të ndihmës amerikane për disa vende të Europës Lindore. Në përgjigjen e tij z. Dallas thekson se Shtetet e Bashkuara u japin ndihmë disa vendeve të Europës Lindore pa u nisur aspak nga arsye humanitare ose nga aspirata për të ngritur mirëqenien e popujve të këtyre vendeve. Qeveria amerikane, tha Dallas, i studion me kujdes veprimet e saj, të cilat duhet të ndihmojnë në çlirimin paqësor të vendeve të demokracisë popullore. Ai shton se autoritetet amerikane përpiqen t’u japin përkrahje forcave të natyrshme, të cilat veprojnë që tani në vendet e bllokut sovjetik për të rivendosur kondita më të lira dhe më normale në këto vende etj. Kjo deklaratë e z. Dallas nuk lë pikë dyshimi mbi karakterin dhe qëllimin e vërtetë të ndihmës amerikane. Për këtë lloj ndihme ne nuk kemi nevojë.
Çështja e marrëdhënieve kulturore. A do t’i mirëpriste populli shqiptar shkëmbimet me karakter kulturor me Shtetet e Bashkuara? A është i disponuar populli shqiptar për miqësi me Shtetet e Bashkuara? Amerikanët kanë përshtypjen se një propagandë e fortë anti-amerikane zhvillohet nga qeveria shqiptare. A është e vërtetë kjo?
Ne mendojmë se, ashtu si në fushën e tregtisë, edhe në fushën e kulturës, shkëmbimet midis dy vendeve janë të mundshme dhe të dobishme. Një gjë të tillë do ta mirëpriste populli shqiptar dhe duam ta besojë edhe populli amerikan. Ne mendojmë se nuk ka popull në botë që të mos jetë i disponuar për miqësi ndaj popujve ndaj popujve të tjerë dhe padyshim këmbimet kulturore i afrojnë popujt, sepse i bëjnë të njohin më mirë njëri-tjetrin. Unë dua të them me këtë rast se pushteti i demokracisë popullore, me gjithë qëndrimin negativ të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj vendit tonë, ka punuar mjaft për t’i bërë të njohur popullit shqiptar kulturën e popullit amerikan. Kështu vetëm nën pushtetin popullor populli shqiptar po njihet me veprat e Mark Tuenit, të Drajzerit, Uitmanit, Xhek Londonit si dhe me vepra shkrimtarësh të tjerë amerikanë, me vepra të artit dhe të muzikës tuaj. Një gjë e tillë nuk mund të thuhet se ngjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me kulturën e popullit shqiptar. Në Amerikë jo vetëm nuk është përkthyer ndonjë vepër e letërsisë shqiptare, por vetë zyrtarët dhe e gjithë propaganda përpiqen të errësojnë realitetin mbi Republikën Popullore të Shqipërisë; ato cenojnë dhe dinjitetin e popullit tonë duke na paraqitur si popull pa kulturë dhe vendin tonë sikur të ishte një në kohën e barbarisë. Populli shqiptar ka një kulturë të lashtë, artin dhe letërsinë e tij, monumente të shumta që dëshmojnë këtë kulturë dhe aftësitë e tij krijuese artistike. Sot në Shqipëri lulëzojnë të gjitha artet dhe kultura me një forcë të paparë ndonjëherë më parë. Amerikanët, thoni ju, kanë përshtypjen se qeveria shqiptare zhvillon një propagandë të fortë anti-amerikane. Por a mund t’ju pyes z. Salisberi, nëse gjatë qëndrimit tuaj në Shqipëri keni arritur në këtë konkluzion? A keni parë gjatë qëndrimit tuaj në Shqipëri të behet propagandë amerikane? A keni lexuar artikuj ose fjalime në shtypin tonë të drejtuar kundër Amerikës? A shtypen në Shqipëri libra dhe karikatura shpifarake kundër Amerikës? A prodhohen apo shfaqen në Shqipëri filma me përmbajtje anti-amerikane? A ekziston në Shqipëri ndonjë radiostacion me mision që të shpifë, të gënjejë e të ngjallë urrejtje kundër Amerikës? A keni dëgjuar në Shqipëri ndonjë personalitet zyrtar ose qoftë dhe një qytetar të thjeshtë të Republikës sonë t’i bëjë popullit amerikan thirrje që të përmbysë qeverinë e tij? A keni mësuar që autoritetet shqiptare të kenë dërguar njeri në Amerikë për të kryer akte spiunazhi, sabotime dhe vrasje? A keni mësuar gjë se në Shqipëri strehohen qytetarë amerikanë që të shtypin gazeta e libra, të flasin në radio dhe të stërviten ushtarakisht për të përmbysur me forcë qeverinë amerikane? Dihet se asgjë nga këto nuk ngjet në Shqipëri kundër Amerikës, porse të gjitha këto bëhen nga qeveria amerikane kundër Shqipërisë dhe popullit shqiptar. Prandaj unë mendoj se pyetja juaj është drejtuar gabim dhe duke u kthyer me terma të drejtë, ajo mund t’i drejtohet qeverisë suaj duke e pyetur se përse ajo e bën këtë propagandë dhe zhvillon këtë veprimtari të patolerueshme kundër Shqipërisë dhe popullit shqiptar.
Çështja e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. Shumë njerëz në Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Shqipërinë si një satelit të Bashkimit Sovjetik. A është e vërtetë kjo? A ka Shqipëria një politikë të jashtme të pavarur? Shumë njerëz në Shtetet e Bashkuara besojnë se këshilltarët ushtarakë sovjetikë drejtojnë forcat e armatosura të Shqipërisë dhe se një numër i madh trupash sovjetikë si dhe forca të armatosura janë përqendruar në Shqipëri. A është e vërtetë kjo?
Kjo pyetje ka një karakter provokues të qartë, megjithatë unë po ju përgjigjem. Unë nuk e mendoj se në Shtetet e Bashkuara të ketë shumë njerëz që e konsiderojnë Shqipërinë si satelit të Bashkimit Sovjetik. Këtë shpifje e kurdisin dhe e përhapin me qëllim vetëm një grusht njerëzish, të cilët ushqejnë qëllime armiqësore kundër vendit dhe popullit tonë dhe duan të helmojnë marrëdhëniet ndërkombëtare. Propaganda amerikane i quan satelit të Bashkimit Sovjetik vendet socialiste sepse regjimi i tyre nuk u pëlqen monopoleve amerikane. Sipas konceptit tonë satelit është një vend i nënshtruar ndaj politikës, ekonomisë dhe forcës së një shteti tjetër. Në qoftë se ju z. Salisberi, keni ardhur në Shqipëri për të gjetur një vend satelit, ju keni gabuar portën. Porta e shteteve satelite nuk është as në Shqipëri as në ndonjë vend tjetër të demokracisë popullore. A të mund ta gjeni te regjimi i sotëm i Guatemalës, tek klikat e Çan Kai Shisë dhe e Sin Man Risë. Marrëdhëniet tona me Bashkimin Sovjetik nuk janë marrëdhënie sateliti, por marrëdhënie të barabarta dhe vëllazërore. Ato bazohen në parimet e barazisë, të miqësisë, të respektit reciprok e të mos ndërhyrjes, të bashkëpunimit dhe të ndihmës reciproke. Në vendet perëndimore, disa njerëz ose e kanë vështirë ose nuk duan me qëllim ta kuptojnë karakterin e vërtetë të marrëdhënieve midis vendeve tona. Por këtë e kanë fare të qartë popujt tanë. Republika Popullore e Shqipërisë është një shtet i lirë, i pavarur e sovran. Pushteti demokratik bëri reforma të rëndësishme që shpunë në transformime të thella ekonomike e shoqërore dhe njëkohësisht krijuan bazat e nevojshme për ndërtimin e ekonomisë socialiste. Ndër këto reforma vlen të përmenden: reforma agrare, e cila zhduku pronën feudale dhe i bëri fshatarët zotë të tokës, shtetëzimi i industrisë, i minierave, i bankës, i transporteve. Kështu u krijua sektori socialist në ekonomi, i cili sot luan rolin vendimtar në zhvillimin e të gjithë ekonomisë. Brenda këtyre vjetëve, me punën vetëmohuese të popullit dhe me ndihmën bujare të Bashkimit Sovjetik në radhë të parë si dhe të vendeve të tjera socialiste, u ngrit industria jonë moderne, prodhimi i së cilës sot, në krahasim me vitin 1938, është 11,5 herë më i madh. Shqipëria, dikur një vend i prapambetur bujqësor, tani është kthyer në një vend agro-industrial. Tjetër fitore e rëndësishme e ekonomisë tonë është zhvillimi i bujqësisë. Reforma agrare, ndihmat e mëdha të shtetit, punimet e mëdha për kanalizime e bonifikime të kryera nga qeveria gjatë këtyre vjetëve, kanë zgjeruar sipërfaqet e mbjella dhe rritur prodhimin në një shkallë të ndjeshme. Kështu, në krahasim me vitin 1938, në vitin 1956 sipërfaqja e mbjellë është 75 për qind më e madhe, ndërsa prodhimi bujqësor 58 për qind më shumë. Brenda vitit 1960 sipërfaqja e mbjellë do të jetë 201 për qind në krahasim me vitin 1938. Më parë Shqipëria kurrë nuk e ka prodhuar bukën; brenda vitit 1960, ne do të sigurojmë bukën në vend. Bujqësia siguron lëndën e parë për industrinë tonë të lehtë e ushqimore. Më parë, në Shqipëri bujku punonte vetëm me parmendën e kohëve homerike, tani bujqësia jonë po mekanizohet me ritëm të shpejtë. Në fund të vitit 1956 në Shqipëri numëroheshin mbi 1500 traktorë të llogaritur në 15 kuaj fuqi, rreth 2000 kombajna dhe makina mbjellëse dhe shirëse. Sa vjen e përdoret më gjerë agroteknika moderne; është rritur së tepërmi numri i agronomëve dhe i teknikëve bujqësorë. Por faktori që do ta kthejë brenda një kohe të shkurtër bujqësinë tonë në një bujqësi të përparuar, me prodhime të larta që t’u përgjigjen nevojave në rritje të popullsisë dhe industrisë sonë, është kolektivizimi. Kolektivizimi i bujqësisë, i cili bëhet në baza krejt vullnetare, dy vitet e fundit ka marrë hov të madh në Shqipëri. Sot janë krijuar kushtet e duhura për këtë zhvillim.
Në fillim të gushtit në Shqipëri numëroheshin rreth 1500 kooperativa bujqësore, që përfshijnë afërsisht 49 për qind të sipërfaqes së punuar. Kjo është një kthesë historike në ekonominë e fshatit tonë, në ekonominë tonë në përgjithësi. Vendi ynë ka perspektiva jashtëzakonisht të favorshme për bujqësinë, blegtorinë, frutikulturën, hortikulturën. Qeveria jonë po merr masa të rëndësishme dhe po përgatit plane të reja prodhimi që brenda pak vjetëve do bëhen realitet. Edhe tregtia e jashtme ka ndryshuar shumë nga e kaluara si në volum, ashtu edhe në cilësi, ky është rrjedhim jo vetëm i ndryshimit të sistemit politik, por edhe i transformimeve të thella ekonomike që përmenda më lart. Para lufte Shqipëria eksportonte vetëm prodhime bujqësore, por këto hiqeshin nga goja e popullit, i cili vuante për bukë. Sot eksportimet tona përfshijnë në shkallë dërrmuese prodhime minerale dhe industriale. Volumi i tregtisë sonë të jashtme është disa herë më i madh se ai i para luftës. Ne sot bëjmë tregti me 21 shtete dhe jemi gati të bëjmë shkëmbime tregtare edhe me shtete të tjerë në baza barazie e përfitimi reciprok. Këto janë disa nga fitoret kryesore të ekonomisë shqiptare gjatë viteve të fundit. Këto suksese kanë forcuar ekonominë tonë në mënyrë të pakrahasueshme me paraluftën dhe kanë përmirësuar së tepërmi me mirëqenien e popullit tonë. Po jap disa shifra që tregojnë se me ç’ritëm është rritur dhe po ecën vjetët e fundit mirëqenia e materiale e masave punonjëse. Krahasimet do t’i kufizoj vetëm brenda dy planeve tona pesëvjeçare, 1951-1955 dhe 1956-1960. Një tregues i mirë janë të ardhurat kombëtare: nga 1950 në 1955 pagat reale do të rriten afro 70 për qind. Kurse në 1960 do të jenë 53 për qind më të mëdha se në 1955. Në vitin 1951 deri në vitin 1955 pagat reale të punëtorëve u rritën 20 për qind dhe të ardhurat e fshatarësisë 35 për qind, kurse më 1956 deri në vitin 1960 ato do të rriten respektivisht 25-38 për qind. Në vitin 1951-1955 shteti ndërtoi 450 mijë metër kuadrat banesa në qytete dhe në qendra pune pa përfshirë këtu 17 mijë shtëpi që u ndërtuan në fshat. Në planin e dytë pesëvjeçar 1956-1960 shteti do të investojë 47 për qind fonde më shumë për ndërtime banesash në qytete. Në sajë të rritjes së prodhimit industrial dhe bujqësor është rritur konsumi për frymë: kështu në 1951-1955, për shembull, do qytetar mori më shumë sheqer, rreth 59 për qind, sapun 62 për qind, tekstile të pambukta 72 për qind, të leshta 100 për qind, këpucë 150 për qind etj., ndërsa në periudhën 1956-1960 volumi i qarkullimit të mallrave të konsumit të gjerë do të rritet 84 për qind. Këto janë vetëm disa të dhëna të pjesshme që tregojnë zhvillimin e ekonomisë sonë dhe rritjen e mirëqenies së popullit. Në Shqipëri sot nuk ka papunësi: bile në disa sektorë ka mungesë fuqie punëtore. Këto janë suksese të mira, niveli i jetesës së popullit tonë nuk ka asnjë krahasim me të kaluarën, por ta krahasosh atë me nivelin e një shteti tjetër socialist si Çekosllovakia, ne akoma jemi mjaft prapa. Ne akoma nuk prodhojmë për disa artikuj ushqimore sasi të mjaftueshme. Vlen të përmendet se në një sistem socialist ku ideal kryesor është rritja e vazhduar e mirëqenies materiale dhe kulturore e punonjësve, kurdoherë do të ketë nevoja të reja, pse rritet fuqia blerëse, rriten kërkesat. Një tregues kuptimplotë është fati se ndërsa më 1938-n rritja natyrale vjetore absolute e popullsisë ishte 16,9 për një mijë banorë më 1956 kjo shifër ishte 29, 9 për një mijë banorë. Ju pyesni se deri ku arrin dhe cili është qëllimi i ndihmës dhe përkrahjes së BS-së? Unë për këtë u fola edhe më parë. Unë ju them se ndihma dhe përkrahja ekonomike e BS-së luan një rol të dorës së parë në zhvillimin tonë ekonomik. Ju mbase e keni dëgjuar se këtë vit BS-ja i fali popullit tonë të gjatë kreditë e dhëna deri në fund të vitit 1955, që arrijnë në 422 milionë rubla dhe me të cilat janë ndërtuar objektet tona kryesore industriale, janë zhvilluar minierat, ndërtuar hidrocentrale, mekanizuar bujqësia etj. Për ç’qëllim e bën këtë BS-ja? Që populli shqiptar të forcojë ekonominë e tij të rrisë mirëqenien e tij, të rrojë i lumtur, të ndërtojë socializmin. Kjo është ndihma që vëllai më i madh i jep vëllait më të vogël. Natyrisht, në vendet Perëndimore ka njerëz që nuk e besojnë këtë dhe kjo mund të kuptohet në një farë mase, sepse në botën kapitaliste ndihma pa interes dhe përkrahja vëllazërore janë koncepte të panjohura në marrëdhëniet ndërkombëtare. Por në botën socialiste, këto koncepte janë në themel të marrëdhënieve tona. Kështu është e vërteta, nuk ka asgjë të fshehtë mbrapa këtyre fakteve. Popujt le të shikojnë, të krahasojnë e të gjykojnë se cilat janë karakteri, qëllimet dhe rezultatet e ndihmës që i jep Bashkimi Sovjetik Shqipërisë dhe asaj që i japin Shtetet e Bashkuara të Amerikës disa vendeve të tjera.
Çështja e mirëqenies së Shqipërisë. Sa të sigurt e konsideron qeveria shqiptare pozitën e saj nga pikëpamja e përkrahjes së popullit? Shumë njerëz në SHBA besojnë se Shqipëria është një “shtet policor” dhe se sigurimi i saj mbahet nga një numër i madh i forcave të sigurimit të brendshëm dhe nga një ushtri e madhe në këmbë. A është e vërtetë kjo? Mao Ce Duni ka thënë se kontradiktat duken në shoqërinë komuniste midis udhëheqjeve dhe të udhëhequrve. A është kjo e vërtetë për Shqipërinë? A ka opozitë të brendshme të regjimit?
Unë kujtoj se gjatë vizitës suaj në Shqipëri, përgjigjen e kësaj pyetjeje, zoti Salisberi, do ta keni marrë nga vetë jeta e popullit tonë. Qeveria shqiptare nuk e vë në diskutim çështjen e pozitës së saj ndaj popullit, sepse vetë origjina, veprimtaria dhe kuptimi i ekzistencës së saj, nuk mund të shkëputen nga populli. Në qeverinë tonë nuk ka asnjë ministër që të mos ketë luftuar me armë në dorë krah për krah me popullin kundër okupatorëve fashistë e nazistë, që të mos ketë vuajtur e luftuar bashkë me të kundër shtypjes, skllavërisë dhe mjerimit. Qeveria jonë realizoi aspiratat më të thella të popullit shqiptar: lirinë dhe pavarësinë, pushtetin, mirëqenien. Qeveria jonë nuk ka ideal më të lartë se atë të lumturisë, begatisë dhe mbrojtjes së popullit dhe atdheut. Në Shqipëri, popull e qeveri janë një. Pyetja juaj me të vërtetë është vështirë të kuptohet nga populli ynë. Përpara këtij realiteti nuk ka vend opinioni që paskan disa njerëz në Shtetet e Bashkuara se gjoja Shqipëria qenka shtet policor. Shtet policor ne konsiderojmë një vend ku sundon fashizmi. Shtet policor mund të konsiderohet gjithashtu një vend ku populli nuk ka të drejtë të zgjedhë qeverinë e tij, ku shtypen pakicat nacionale e raciale, ku këtyre u mohohet e drejta e votës, ku pushteti është në duart e një grushti njerëzish që përfaqësojnë grupe të lidhur nga interesa egoiste financiare dhe që mbahen në fuqi me anë të forcës. Ju mund të bëni vetë krahasime po deshët midis Shqipërisë dhe ndonjë vendi tjetër që në Shtetet e Bashkuara disa njerëz e quajnë demokratik, për shembull Spanja e Frankos, Portugalia e Salazarit, Afrika e Jugut. Krahasime shumë instruktive mund të bëhen drejtpërsëdrejti edhe në vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ushtria dhe forcat tona të sigurimit janë për të mbrojtur integritetin dhe pavarësinë e atdheut, fitoret dhe jetën e qetë të popullit tonë. Ne kemi pakësuar forcat tona të armatosura më 1995-n dhe urojmë që këtë ta bëjnë edhe shtete të tjera që të arrihet në një vendim mbi pakësimin e armatimeve dhe të të gjitha forcave të armatosura të vendeve të ndryshme. Për fat të keq, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe fuqitë e tjera perëndimore ndjekin një rrugë të kundërt. Duke iu referuar raportit të njohur të Mao Ce Dunit mbi kontradiktat, ju pyesni se në Shqipëri ka kontradikta midis udhëheqësve dhe të udhëhequrve. Teoria e ekzistencës së krijimit dhe mënyrës së kapërcimit të kontradiktave është përpunuar prej kohësh nga klasikët e marksizëm-leninizmit dhe Mao Ce Duni e ka sqaruar me gjerë këtë teori në lidhje me kushtet konkrete të Kinës. Si tek ne, ashtu edhe në çdo vend tjetër që ndërton socializmin, midis udhëheqësve dhe masave punonjësve, (që ju i quani të udhëhequr) ka unitet të plotë mendimi dhe veprimi. Sepse në regjimin socialist popull dhe udhëheqje përbëjnë një unitet të pandarë, sepse në udhëheqjen e jetës së vendit marrin pjesë të gjitha masat punonjëse. Por në qoftë se një udhëheqës, të cilit masat punonjëse i kanë dhënë votën dhe besimin për të drejtuar, nuk e kryen porosinë e masave dhe fillon të shkelë besimin e popullit, ky udhëheqës vihet në kundërshtim me masat punonjëse, me popullin, i shmanget unitetit të mendimit dhe të veprimit me masat punonjëse, dmth që krijohet kontradiktë midis këtij udhëheqësi dhe popullit. Kjo kontradiktë nuk është antagoniste, siç është për shembull kontradikta midis popullit dhe armiqve të tij që duan të përmbysin pushtetin popullor dhe duan të përmbysin pushtetin kapitalist. Kjo kontradiktë nuk mund të kapërcehet duke e korrigjuar këtë udhëheqës me anën e kritikës konstruktive. Në qoftë se ky udhëheqës korrigjohet, kontradikta është kapërcyer dhe uniteti midis udhëheqësit dhe masave punonjëse është rivendosur. Në qoftë se ky udhëheqës nuk korrigjohet, por vazhdon rrugën e gabuar, në kundërshtim me interesat e popullit, atëherë ai është bërë jo vetëm i pavlefshëm, por edhe i dëmshëm për interesat e popullit. Prandaj, në këtë rast, ai hiqet nga posti që ka dhe në vend të tij vihet një tjetër. Një udhëheqës duke vazhduar rrugën e tij të gabuar në mënyrë konsekuente mund të bëhet edhe i pakorrigjueshëm, mund edhe të kalojë në kontradiktë antagoniste me popullin.
Në këtë rast, kundrejt tij merren masa për ta bërë atë të padëmshëm për popullin. Raste të këtilla kanë ndodhur edhe te ne. Ruajtja e unitetit midis udhëheqjes dhe masave punonjëse është parim themelor në jetën tonë socialiste. Në Shqipëri, opozitë kundër regjimit me kuptimin e një grupi të organizuar politik nuk ka. Ne ndërtojmë një shoqëri pa klasa. Ne kemi shpronësuar klasat e vjetra shfrytëzuese, të feudalëve, të kapitalistëve. Në Shqipëri ka elementë të këtyre klasave të cilët sigurisht që nuk janë në favor të pushtetit popullor. Për këta elementë nuk ka demokraci, por diktaturë të masave punonjëse (punëtorë, fshatarë dhe intelektualë). Këta elementë, ekonomikisht të pafuqishëm dhe politikisht të diskretituar, janë ata që në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjetkë i konsiderojnë si opozitë e regjimit”. Mbi këta mbështet, duket shpresat, edhe z. Dallas kur flet “për forca të natyrshme” që veprojnë brenda bllokut sovjetik….” Në Shqipëri këta elementë nuk do të mundnin kurrë, qoftë edhe me ndihmën e përkrahësve të tyre të jashtëm, të kthejnë regjimin e kaluar.
Çështja e fitoreve kulturore. A ekziston analfabetizmi në Shqipëri? Sa i përhapur është sistemi i arsimit publik? Cila është gjendja e shëndetit publik?
Para çlirimit, në Shqipëri, rreth 85 % e popullsisë ishin analfabetë. Megjithkëtë, qeveria e atëhershme nuk kishte turp të fliste për superprodhim intelektual në Shqipëri. Në Shqipërinë e re dhe në fushën e arsimit dhe të kulturës është bërë revolucion. Sot analfabetizmi është zhdukur gjer në moshën 40 vjet dhe po punohet që të likuidohet edhe në moshat më të rritura. Në Shqipëri në vitin 1938 kishte gjithsej 654 shkolla fillore e të mesme me rreth 58 mijë nxënës. Kur në vitin shkollor 1953-1957 ka pasur 2624 shkolla fillore, të mesme e të larta, me 293 mijë nxënës e studentë. Arsimi është falas. Shteti jep me mijëra bursa për nxënës e studentë që ndjekin mësimet e të gjitha kategorive. Në Shqipëri është realizuar arsimi i përgjithshëm i detyruar fillor 7-vjeçar, në qytet dhe kudo ku ka shkolla 7-vjeçare. Tani punohet për realizimin e arsimit të përgjithshëm të detyruar 7-vjeçar. Për herë të parë në historinë e Shqipërisë, këtë vit çelet Universiteti Shtetëror i Tiranës. Sot në të gjithë sistemin e shkollave në vendin tonë, në çdo pesë veta një njeri vete në shkollë. Gjatë këtyre 13 vjetëve, Shqipëria ka përgatitur me mijëra kuadro të mesëm dhe të lartë. Vetëm në Kombinatin e Tekstileve Stalin në Tiranë tani punojnë më shumë inxhinierë sesa punonin në të gjithë Shqipërinë përpara çlirimit. Për herë të parë në Shqipëri janë çelur Lice artistikë dhe shkolla dramatike, janë ngritur teatro të dramës, operës dhe baletit. Për shkak të gjendjes ekonomike të vështirë dhe të pakujdesisë së regjimeve të kaluara, shëndeti i popullit ka pas qenë shumë i keq. Mbi 50% e popullsisë ishte e prekur nga malaria, kishte krahina ku ky indeks arrinte mbi 90%. Sot praktikisht malaria është zhdukur. Është zhdukur krejtësisht sifilizi. Po luftohet me sukses tuberkulozi. Më pas rrjeti i institucioneve shëndetësore ishte jashtëzakonisht i kufizuar. Më 1938, numri i krevateve në spitale ishte 800, kurse sot ka arritur mbi 6000. Sot jo vetëm në qytete, por edhe në fshatra, janë çelur spitale, maternitete, ambulanca, etj.. Numri i personelit sanitar po shtohet shpejt; këtë vit dolën nga Instituti ynë i mjekësisë 60 mjekët e parë, pothuaj aq sa numëronte gjithsej Shqipëria në vitin 1938. Në Republikën Popullore të Shqipërisë të gjithë ata që janë në marrëdhënie pune me shtetin dhe fëmijët e tyre mjekohen gratis edhe në spitale. Ndihma ambulatore është falas për të gjithë popullsinë, falas në spitale kurohen edhe ata që nuk janë në marrëdhënie pune, por vuajnë nga sëmundje ngjitëse. Rëndësi e madhe u është dhënë masave profilaktike. Sigurimet shoqërore më parë ishin të panjohura, tani ato janë një institucion shumë i rëndësishëm për shëndetin e popullit. Përmirësimi i konditave materiale dhe ngritja e nivelit kulturor të popullit kanë influencuar drejtpërsëdrejti në përmirësimin e shëndetit të tij.
Çështja e marrëdhënieve të Shqipërisë me shtetet e tjera. Cilat janë perspektivat e marrëdhënieve më të mira midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë dhe cilat janë pengesat e tyre? A ka ndërmend Shqipëria që t’i zgjerojë marrëdhëniet me shtetet e Perëndimit?
Në politikën tonë kundrejt Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë ne nisemi nga fakti se si Shqipëria ashtu edhe Jugosllavia janë dy shtete që ndërtojnë socializmin. Edhe marrëdhëniet midis vendeve tona nuk mund të kenë udhë tjetër zhvillimi veçse ato të socializmit, të bazuar në parimet e barazisë, të miqësisë, bashkëpunimit dhe respektit reciprok të mosndërhyrjes. Marrëdhëniet tona reciproke do të përmirësohen në këto baza. Ne konsiderojmë se të gjithë shtetet socialiste janë njëlloj pjesëtarë të një familjeje, edhe shtetet socialiste i zgjidhin çështjet e tyre dhe i zhvillojnë marrëdhëniet midis tyre brenda në familje, pa pasur nevojë për arbitër të huaj.
Kështu qëndron edhe puna e marrëdhënieve tona me Jugosllavinë. Republika Popullore e Shqipërisë ka marrëdhënie të rregullta me të gjitha shtetet socialiste, si dhe me Italinë, Francën, Finlandën, Austrinë, Indinë, Egjiptin, Sudanin. Ajo kryen shkëmbime tregtare e turistike edhe me mjaft vende të tjera, duke përfshirë edhe vende perëndimore si Zvicra, Gjermania Perëndimore, Britania e Madhe, Belgjika etj.. Qeveria jonë, ashtu siç e ka deklaruar mëse një herë, është e gatshme që të vendosë marrëdhënie të rregullta diplomatike si dhe shkëmbime tregtare, kulturore, turistike me çdo shtet që dëshiron të ketë marrëdhënie të tilla me ne, pavarësisht nga sistemi i tij shoqëror, në bazë të parimeve të përmendura edhe më lart. Sikundër e thashë edhe në fillim, ne jemi të gatshëm të vendosim dhe të zhvillojmë marrëdhënie të tilla edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Çështja e politikës shtetërore të Shqipërisë. Në Perëndim thuhet se Shqipëria nuk e ka ndjekur tendencën e shumë shteteve komuniste qysh nga vdekja e Stalinit, domethënë se Shqipëria nuk e ka pakësuar rolin e policisë dhe të shërbimeve të sigurimit. Nuk ka vënë sigurime për mbrojtjen e individit kundrejt arrestimeve dhe burgimeve të padrejta, nuk ka shtuar liritë individuale të qytetarëve të saj në çështje të tilla si udhëtimi në shtetet e huaja, mundësi për kontakte me të huajt, raste për të lexuar letërsi të huaj dhe shkëmbim eksperience me teknikë dhe shkencëtarë të huaj. A ka gjë të vërtetë në këto të thëna?
Në Perëndim mund të thuhen edhe shumë gjëra të tjera jo të vërteta për Shqipërinë nga elementë që kanë për profesion të shpifin. Unë nuk do të kthehem përsëri në rolin e policisë dhe të shërbimit të sigurimit, organe të dashura të popullit tonë. Shqipëria, zoti Saliberi, është një shtet demokratik, ku populli është zot. Ndër ne ekziston një Kushtetutë demokratike dhe kjo nuk është mbyllur në vazo prej qelqi, por vepron dhe respektohet. Ndër ne ka kode dhe ligje të aprovuara nga Kuvendi Popullor për të vënë në jetë dispozitat e Kushtetutës në favor të të drejtave dhe të mbrojtjes së qytetarëve të Republikës. Ndër ne shteti siguron me ligj punën, të drejtat dhe liritë demokratike të qytetarit; këtij i krijon kushtet që të shprehet lirisht, të zhvillojë të gjitha prirjet dhe aftësitë e tij për të mirën e vet dhe të shoqërisë. Ne nuk lejojmë grupe fashiste terroriste që të pengojnë ushtrimin e këtyre të drejtave, shtypi dhe radio nuk janë në duart e grupeve financiare, por në duart e popullit. Ju ngrini çështjen e kontakteve të qytetarëve tanë me të huaj. Po të dëshironi mund të shikoni statistikat, këto do t’ju tregojnë se si asnjëherë më parë nuk kanë dalë kaq qytetarë shqiptarë në shtete të huaja dhe nuk kanë ardhur kaq udhëtarë të huaj në Shqipëri sa pas vendosjes së pushtetit popullor; se si asnjëherë më parë nuk janë shtypur në gjuhën shqipe kaq përkthime (Dhe këtu flas edhe për përkthime nga letërsia perëndimore, duke përfshirë edhe atë amerikane) sa sot; se si asnjëherë më parë Shqipëria nuk merrte pjesë me shkrimtarët dhe njerëzit e saj të artit, të shkencës, kulturës në konferenca e kongrese ndërkombëtare sa sot, si asnjëherë më parë sportistët shqiptarë nuk merrnin pjesë në ndeshje ndërkombëtare, etj.. Në rast se e keni fjalën për kontaktet tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, unë jua përsëris se ne jemi gati të vendosim me vendin tuaj këmbime kulturore me baza reciprociteti; bile ne pranojmë të vijnë në Shqipëri për vizitë si turistë qytetarë amerikanë, por qeveria amerikane nuk u jep pasaportë; ajo pengon edhe shtetasit shqiptarë që jetojnë atje dhe duan të vizitojnë Atdheun e tyre; ajo ka kufizuar vetëm në një pjesë të Nju Jorkut lirinë e qarkullimit të misionit tonë të përhershëm pranë Kombeve të Bashkuara. Unë shpresoj se këto shpjegime, kur të botohen në gazetën që ju përfaqësoni, do të ndihmojnë për të hedhur dritë mbi të vërtetën rreth vendit tonë dhe për t’i treguar popullit amerikan se ata që përhapin këto gënjeshtra nuk duan mirëkuptimin dhe afrimin midis popujve, por të mbjellin farën e mosbesimit dhe të paragjykimeve të dëmshme.
Pas vdekjes së Stalinit në të gjitha shtetet komuniste janë bërë hetime të thella për shkeljen e drejtësisë dhe për rehabilitimin e personave të akuzuar ose të ekzekutuar padrejtësisht me akuza të gënjeshtra. A ka patur ndonjë gjë të kësaj natyre në Shqipëri?
Në Shqipëri nuk ka pasur gjë të kësaj natyre dhe nuk del qartë se për çfarë elementesh interesoheni. Dënimet e dhëna nga gjyqet e Republikës Popullore të Shqipërisë janë dhënë me drejtësi dhe kanë gjetur aprovimin e popullit.
Cili është kontributi kryesor individual dhe kombëtar që Shqipëria do të dëshironte t’i jepte paqes dhe vullnetit të mirë të kombeve?
Ne mendojmë se kontributi që mund të japë Shqipëria në çështjen e paqes dhe të vullnetit të mirë të kombeve është që vendi të lulëzojë e të përparojë si shtet socialist duke zhvilluar dhe rritur mirëqenien ekonomike e kulturore të popullit tonë, të vazhdojë politikën e saj të paqes e të miqësisë midis popujve. Ne e konsiderojmë se Republika Popullore e Shqipërisë është një faktor paqeje e stabiliteti në Ballkan dhe në Mesdhe. Dëshira jonë është që të vendosim dhe të zhvillojmë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit me të gjitha vendet fqinje të kësaj zone si dhe me të gjitha vendet e tjera. Ne jemi gati të përkrahim çdo iniciativë që do të forconte mirëkuptimin midis shteteve dhe paqen e përgjithshme. Ju lutem t’i transmetoni popullit amerikan ndjenjat e miqësisë të popullit dhe të qeverisë sonë dhe urimet e mia për paqe e lumturi.
21 Shkurt 2008